EmailFacebookKontakt

Skrofotinë – Kamping 1996

Unë jam vreshti, ju jeni hardhitë (Joani 15:1)

Skrofotinë – Kamping 1996

12 korrik 1996

Përgatitja

“Unë jam vreshti, ju jeni hardhitë”, do të ishin fjalët që do shoqëronin në periudhën përgatitore, organizatorët e të parit kamp për vajza të gjimnazit dhe Universitetit, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me bekimin dhe kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, menjëherë filluan përgatitjet në disa drejtime. Ndërkohë që nisën punimet për ngritjen e godinave të kampit, u fillua edhe me përgatitjen e materialeve ndihmëse të bisedave e diskutimeve që do të zhvilloheshin në çdo ditë të kampit, kryesisht jetë dhe tregime mbi mrekullitë e shenjtorëve, që do kremtoheshin gjatë periudhës së zhvillimit të tij (12-30 korrik 1996).

Vendi

Si vend mikpritës do të ishte Skrofotina (një fshat në afërsi të Vlorës). Ata njerëz besimtarë, me shpirtmadhësinë e tyre, nuk munguan për asnjë moment të na qëndronin pranë, që në ato ditë të para përgatitjesh. Dhe, puna intensive 2-mujore bëri të mundur që në atë kodër (dikur repart ushtarak) të ngriheshin godina të reja, të pajisura me të gjitha kushtet.

Përgjatë rrugës që gjarpëron në anë të kripores, nuk mund të mos vesh re, përkrah kampit dhe një kishë të sapongritur. Është ajo e ndërtuar për nder të Shën e Premtes (Shën Parashqevisë), para ikonës së të cilës do të përuleshin mijëra të sëmurë, veçanërisht të verbër, duke kërkuar rikthimin e shikimit të humbur. Sipas thënieve të banorëve nuk kishin qenë të pakta rastet kur përpjekjet e të gjithë atyre që kishin guxuar të shkatërronin përfundimisht këtë vend të shenjtë (të bënin punime përreth vendit ku kishte qenë kisha, apo të prisnin drurët), kishin dështuar, si për t’u kujtuar se ai vend i përket asaj.

E tani, Shën e Premtja, me pafundësinë e hireve që Perëndia i kishte falur, në atë kishë të re, priste ato vajza, që me duart e tyre, me zërat e tyre, t’i jepnin jetë, që bashkë me ajrin e pastër që të falte hijeshia e këtij vendi, t’i jepnin frymëmarrje e si shkëmbim, t’i falnin këtyre njerëzve ajrin shpirtëror, për të cilin kaq shumë kishin nevojë.

12 korrik 1996

Dita e shumëpritur e 12 korrikut hapi siparin me zërat e 38 vajzave, të sapoardhura nga rrethe të ndryshme, si Tirana, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Fieri e Korça, si dhe katër vajzave nga Greqia, të cilat vinin të kalonin tri javë jete sëbashku me njëra-tjetrën. Nuk njiheshin më parë, por dashuria e Krishtit i bashkon njerëzit, i bën vëllezër e motra ata që besojnë në Të, një në Trupin e Tij.

Mëngjesi

Një zile ore shpërndan në mjegullën e gjumit fragmentet e fundit të ëndrrave dhe trokitja e “talandos” gris përfundimisht qetësinë. Hapet kështu faqja e një dite të re.

Me hapa të shpejtë grupe-grupe vajzat nisen për në Kishë. Dhe atje, nga buzët e çdonjërës dalin tingujt e psalmeve dhe falenderimeve drejtuar Zotit. Janë falenderimet e para mbi gëzimin që u fali Perëndia me pjesëmarrjen në këtë kamp. Marrin bekimin e Zotit dhe fytyrat e lumtura të vajzave përcjellin “mirëmëngjeset” e para.

Kështu, mëngjeset do të pasonin njëri-tjetrin e vajzat do të mbanin shënime mbi interpretimin e pjesëve të shkëputura nga Letrat e Apostujve apo nga Ungjijtë. Nuk do të mund të harrojnë këto vajza bisedat mbi Misterin e Pendimit dhe Rrëfimit, mbi Bariun e Mirë që kujdeset për delet e Tij (Joani 10:1-4); mbi gjykimin, duke u bazuar në thëniet e Shën Markut dhe Shën Vasilit, mbi mirësinë (Rom 14:15), bazuar në thëniet e Shën Joanit e Shën Dorotheut e për virtytet në përgjithësi, për mënyrën e rrugët e përfitimit të këtyre virtyteve.

Vreshti

Kampi e meritonte të kishte një emër. Ato që sapo kishin ardhur e ishin mbjellë si hardhitë e para në atë vend, do t’u pëlqente ta quanin këtë kamp me një emër aq domethënës: “Vreshti”. Më pas, mbas diskutimeve mbi emërtimin e grupeve, në të cilat u ndanë e do dëgjoje të flitej për “Martire”, “Terapostuj”, “Dhiakone”, “Ungjillore”. Çdo grup, i përbërë nga 9 vajza, tashmë veç Shën e Premtes, mbrojtëses së kampit do kishte dhe shenjtoren mbrojtëse të vet, jeta e të cilave për të gjitha ditët e qëndrimit, do ishte udherrëfyese dhe të cilës do të mund t’i drejtonin lutjet e tyre të shpirtit.

Vizita e Kryepiskopit

Dy orë pas ardhjes së vajzave, “Vreshti” do të priste një bekim tjetër. Ishte bekimi i Kryebariut, Kryepiskopit Anastas. “Lavdi më Ty o Perëndi ndër shenjtorët e Tu” – ky është urimi që buronte nga zemra e çdonjërës prej vajzave dhe që dukej në xixëllimën e syve të tyre. Shpirti u përgjua dhe u ndriçua nga fjalët e tij: “Që nga ky çast, që nga ky moment, që nga kjo ditë, duaje më shumë Perëndinë”. Kështu bariu i mirë erdhi të shikojë delet e tij, kopshtari të shikojë lulet e tija, të mbjella në kopshtin e Perëndisë. Në sytë e tij pamë dritë gëzimi ndërsa shihte godinën e Vreshtit, teksa bisedonte me ne, duke dhënë kujtimet e rinisë së tij në kampingje të tilla. E zemrat tona, të mbushura me dashuri, duket se përcillnin në çastet e ndarjes shpresën, dëshirën që të jenë përjetësisht pranë Perëndisë, martire, dhiakone, ungjillore, ierapostulle të Krishtit.

Kisha

Kisha, kjo shtëpi, ku vajzat e nisnin dhe e përfundonin ditën, priste diçka prej tyre. E ato nuk nguruan të fillonin nga puna. Pas pastrimit të mjediseve të brendshme dhe atyre përreth, bekim do të pasonte bekimin. Vetë ato morën ikona e duke i ngjitur në dru, i përgatitën dhe i vendosën në kishë. Tanimë ikonat e vendosura prej tyre, shandanët e qirinjve, temjanica, rregullimi i hierores, shumë shpejt i dhanë pamjen e vërtetë kësaj ndërtese të shenjtë, në hyrje të së cilës përshëndetjen e parë ta jepte e shenjta Parashqevi, në krah të ikonës të së Tërëshenjtës.

Programi ditor

Pas zgjimit dhe Shërbesës së Mëngjesit, me lutjet për një ditë të paqme, gjithçka nis në ritmin e saj. Të ndarë në grupe vajzat fillojnë të shpërndahen sipas punëve në pastrimin e mjediseve të brendshme dhe të territorit përrreth, në kuzhinë, duke dhënë ndihmën në përgatitjen e ushqimit, ndihmesë në sallën e ngrënies. Po ajo punë që vërtet mund të quhej një bekim për atë grup që e kryente, ishte shërbimi në kishë. Do ishin ato vajza, që me aq kujdes do pastronin ikonat, shandanët e mjediset e kishës, si dhe do shpërndanin materiale ndihmëse pas çdo bisede shpirtërore.

Në mbarim të punëve, koha e lirë do t’i gjente vajzat të shpërndara kudo; një grup vajzash me qepjen e perdeve të dhomave të kampit apo të mbulesave të kishës. Një grup tjetër nisi të përjetësojë në murin e sallës së ngrënies “Vreshtin”, me hardhitë e mbushura me fryte, që rrethojnë ikonën e Krishtit, që do jetë dëshmia e duarve të arta prej artisti e vajzave të kampingut. Pak nga pak, një gjethe, një degë, disa fryte, që shtohen nga dita në ditë, krijojnë vizionin e plotë të “Vreshtit”, që së vërteti e jo të vizatuar në mur, u përpoqën ta jetonin si për tre javë.

Veç drekës, e cila shoqërohej gjithnjë me këngë, dëshira e vajzave ishte që pothuaj çdo ditë të kishin në program mësimin e këngëve të kampingut “Djemtë e Galileas”, “Kishëza”, “Rini e Krishtit”, “Në fundin e rrugës” e veçanërisht, të psalmeve perla të Kishës sonë, si “Paraklisi i Shën Marisë”, “Faleminderit Zotit”, “O Zonjë Virgjëreshë”. Pak nga pak në çdo ditë të kampingut të gjitha vajzat mësuan të psalnin himnet e shërbesave e kështu tingujt e “O dritë gazmore”, “Përlufteshës generale”, “Tek ty thirra, o Zot” dëgjoheshin aq harmonikisht në çdo shërbesë të ditës.

Bisedat shpirtërore

Dëshira për t’i dhënë përgjigje çdo pyetjeje, për t’u thelluar në njohjen e së vërtetës hyjnore të Krishtit, i kishte pushtuar ato vajza, të cilat i prisnin me kaq dëshirë bisedat shpirtërore. “Ashtu si trupi, edhe shpirti ka nevojë të ushqehet”. Këtë ushqim shpirtëror u përpoqën të marrin këto vajza në kampingun e tyre. Pak e çuditshme tema “Infektimi i shqisave”, por që shumë shpejt u qartësoi gjithçka shpjegimi i shoqëruar nga thëniet e Nikodhim Ajoritit në librin e tij “Këshillmorja”. Nuk mund të mos përmenden diskutimet e gjera mbi Liturgjinë Hyjnore apo mbi trajtimin e vendit që zë në kishën tonë çdonjëra prej dy rrugëve që Perëndia na ka caktuar – Martesa dhe Murgjëria.

Një interes të veçantë, megjithëse në orët e vona të darkës, pati për vajzat biseda mbi murgjërin, mbi atë se ç’janë murgjërit, premtimet e një murgu, forcën e bindjes për të mposhtur egoizmin dhe fituar përulësinë, për të cilën njohja është më e pakët. Kjo temë u trajtua nga motra Filothei.

Liturgjitë Hyjnore

Etërit e kishës sonë nuk munguan të vinin herë pas here të na vizitonin, të bisedonin me ne, të zhvillonin Liturgjitë Hyjnore bashkë me ne. Mes tyre at Theologu, at Luka Veroni, at Kalevi nga Finlanda dhe familja e tij, at Kosmai që diti t’i thotë djallit “ndal” edhe në periudhën më të vështirë: at Theologu, të cilit i hapën zemrat e tyre dhe e kërkuan si ndërmjetues shpirtëror për faljen e mëkateve nga Perëndia i Tërëmirë, në Misterin e Shenjtë të Rrëfimit; at Luka Veroni, me bisedën e tij mbi udhëtimin e besimit tonë, “garë në të cilën jo të bëjmë një hap dhe të ndalojmë, po të vazhdojmë gjithnjë duke vrapuar”: at Kalevi nga Finlanda dhe familja e tij; at Martini duke theksuar “rëndësinë e dashurinë që duhet t’u falim njerëzve, pavarësisht nga besimi a vendlindja, por duke i parë si ikona dhe shëmbëlltyra të Perëndisë” apo at Dhimitri nga Sinai.

Ata do t’i kishim gjithnjë pranë, si ndërmjetues të lutjeve tona tek Perëndia, në çdo të kremte të Kishës.

Diapozitivat

Udhëtimi fotografik do të fillonte nga ai vend i shenjtë ku filloi jeta e vërtetë, nga Qyteti i Shenjtë, Jerusalemi, ku në çdo moment, të shoqëruar me shpjegime, të dukej se kishe qenë tek vendi ku u lind Krishti në Vithlehem, aty ku ndodhej varri i të Tërëshenjtës, atje ku kishin ndodhur kaq shumë mrekulli për vite me radhë. Do të vazhdonte udhëtimi nga mbrëmja në mbrëmje e do të ndalej nëpër Sina. Një mbrëmje të tillë vere shpirtrat e të gjitha vajzave do të ngriheshin lart mes atyre që shihnin në diapozitiva, do të ngjiteshin tek engjëjt e shenjtë për t’u futur më pas në Liturgjinë Hyjnore, për shpjegimin e çdo momenti të zhvillimit të saj, në lutjet që thuhen në të e veçanërisht në çastin më të shenjtë të saj, në marrjen e Trupit dhe Gjakut të Tërëshenjtë të Atij, që ishte vetë Sakrifica për tërë njerëzimin. Do të vazhdonte ky udhëtim i bukur në Indi, Afrikë, e Kore, duke dëshmuar veprën ierapostolike e do të ndalej së fundi në kopshtin e Të Tërëshenjtës, siç është quajtur Mali i Shenjtë.

Argëtimet

Ditët e netët ia linin vendin njëra-tjetrës, e ndërkohë kishte filluar e ishte lidhur një miqësi e vërtetë midis vajzave, që, megjithëse nga qytetet e fshatra të ndryshme, do t’i gjeje bashkë në Kishë në lutje, në këndimin e psalmeve në shërbesa, duke diskutuar rreth përgatitjes për Misterin e Rrëfimit, bashkë dhe në momentet argëtuese. Hynë në traditën e kampit festimet e ditëve të emrave të grupeve, ku çdo grup jepte urime për të qenë imituese të jetës së shenjtores që kremtonte atë ditë, festimet e emrave apo dhe ditëlindjet mes këngëve e urimeve.

E kremtja e Shën Ilias do të krijonte një tjetër atmosferë. Të gjitha së bashku me këngë në gojë do të merrnin rrugën për t’iu ngjitur kodrave plot gjelbërim, jo shumë larg kampit. Në atë lartësi mes ullinjve, ku nga një anë dalloje, si një pikë të bardhë, kishën e Shën e Premtes e nga tjetra ishullin e Sazanit e pafundësinë e detit, do ndaleshim për t’i drejtuar lutjet tona Perëndisë në Shërbesën e Mëngjesit e më pas… pak pushim, disa këngë, ngrënie e mëngjesit dhe një diskutim i shkurtër mbi jetën e Shën Ilias që kremtonte. Ndërkohë ashtu si dhe pas çdo shërbese në Kishë, vajzat u shpërndanë për të kaluar disa momente në qetësi, vetëm ato dhe Perëndia i tyre, për t’u rikthyer sërish në kamp e për të kaluar një ditë të re veprimtarish.

Takime me banorët

Gjithçka që po mësonin mbi besimin, mbi të vërtetën hyjnore të Krishtit, por edhe çdo gjë tjetër të bukur, vajzat nuk mund ta mbanin për vete. Ata njerëz të moshave të ndryshme në Skrofotinë, ata fëmijë që merrnin pjesë në Liturgjitë Hyjnore, kishin etje për më tepër.

Tre herë në javë do t’i shihje dhjetra fëmijë tek mblidheshin, të cilët veç lojrave aq argëtuese, me shumë gëzim do të pritnin çastet kur dëgjonin histori nga jeta e shenjtorëve, kur thonin lutjet “Ati ynë” e “Shenjt Perëndi” dhe sidomos kur u jepej ndonjë ikonë e fillonin ta puthnin e ta mbanin në duar si diçka të shenjtë.

Ndërkohë në këto ditë të takimeve një shërbim i veçantë për vendasit do të ishin vizitat mjekësore nga vajzat e kampit që kanë mbaruar apo vazhdojnë Fakultetin e Mjekësisë. Ishin këto mjeke të reja që do t’u gjendeshin pranë në çdo moment edhe shoqeve të kampit në rast nevoje, me ndihmën e shpejtë apo me biseda.

Gazeta

Çdo moment, çdo orë, çdo ditë e kaluar aq këndshëm në kamp kishte emocionet, mbresat e secilës vajzë në mënyrën e tyre të përjetimit.

Një zgjidhje vjen e pranueshme për të tëra: Dalja e një gazete. Çdo grup vajzash nis me dëshirë përpjekjet për gazetën e tyre. Ndoshta e kanë për herë të parë, por fjalët e dala nga shpirti bartin emocione e bëhen të magjishme për mënyrën e shprehjes. Nisin të shkruhen radhët e para me falenderime të pafundme. Më pas mendime e mbresa nga një moment i veçantë i jetës në kamp, një moment nga lutjet në kishë a një kujtim do të gjenin vend në atë fletë të madhe sipër të cilës gjeje “Kultërsinë shpirtërore” të vajzave durrsake, simbolet e grupeve të vizatuara bukur, pse jo dhe vargjet e dala nga shpirti.

Largimi

Dhe ja, 20 ditët e qëndrimit në kamp dalngadalë shkojnë drejt fundit. Ndoshta tani vajzat janë duke plotësuar dhe faqet e fundit të ditareve, ku nuk mungojnë adresat, kujtimet e fundit mes shoqeve.

…Dita e largimit tani po linte orët e saj të fundit. Automjetet që vinin njëri pas tjetrit e kishin të vështirë t’i shkëpusnin vajzat nga krahët e shoqeve të tyre. E ndërsa grupi linte kampin, të tjerat e përcillnin me tingujt e himnit të kampit.

Kështu u mbyllën këto ditë, që do të mbeten në kujtesën e çdo vajze pjesëmarrëse. Perëndia, ashtu si këtë herë, na bekoftë që të mos mbetet i vetëm, por hardhitë e “Vreshtit” të shtohen, sepse kështu dhe frytet do të jenë më të shumta, nga viti në vit.

Vajzat largohen duke marrë me vete një mesazh:

Fryte të bukura arrin të marrë
Shpirti me Perëndinë
Hardhi, të cilat pranoi t’i ushqejë
Verë e Vreshtarit të mirë.

Përgatiti: Kristina Hanxhari