Situata e agravuar e zjarrvënieve në disa vatra aktive në territorin e vendit tonë ka shkaktuar dëmtime, ndër të tjera, edhe në disa kisha monumente kulture:
– Në qarkun e Gjirokastrës, kisha e Shën Ilias, monument kulture i kategorisë së dytë në fshatin Lekël, është dëmtuar nga zjarri. Pas vlerësimit të dëmit, ka nisur puna për hartimin e projektit të restaurimit nga ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
– Në qarkun e Vlorës, në Manastirin e Shën Mërisë së Krimanovës në Piqeras, flakët kanë dëmtuar vetëm bimësinë në oborrin e pasëm, pa prekur strukturën e manastirit.
Njoftim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Me vendim të Sinodit të Shenjtë, në shenjë solidariteti me situatën e rëndë që po kalon vendi ynë për shkak të zjarreve të shumta, në Litanitë e Paqes së Liturgjisë Hyjnore dhe të shërbesave të shenjta, shtohet lutja e mëposhtme:
“Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën, për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, si edhe për ata që me vetëmohim luftojnë për shuarjen e tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit.”
Kjo lutje do të shqiptohet veçanërisht në të gjitha shërbesat e shenjta të festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, më 15 gusht, një ditë tepër e shenjtë dhe e dashur për besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë.
I bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të marrin pjesë duke bashkuar zërin e tyre në lutje, që me ndërmjetësinë e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, vendi ynë të ruhet dhe shpëtohet nga çdo rrezik dhe fatkeqësi.