Vëzhgime
Sipas qejfit të kronistëve, apo…?
Ditën e vizitës së Kryeministrit grek Simitis në Kryepiskopatën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërsë, në kronikën e rastit në Televizion, nga gazetarja Erestina Halili u tha se “takimi u zhvillua pa praninë e gazetarëve”. Ky është një lajm sa i pavërtetë, aq edhe spekulativ.
Eshtë i gënjeshtërt, sepse në të vërtetë, në takimin e mësipërm (që zgjati pak minuta, për shkak të programit tepër të ngjeshur të z. Simitis), morën pjesë të gjithë gazetarët që dëshiruan një gjë të tillë, pa asnjë lloj pengese a seleksionimi. Në qoftë se znj. Halili nuk i fut në kategorinë e gazetarëve kolegët e saj shqiptarë, korrespondentë të ATSH-së, REUTER-s, Ass. Press-it apo të dërguar të shtypit të huaj, ky është një problem i vetë asaj.
Nga ana tjetër, ky deklarim është edhe spekulativ, sepse synon të mbulojë atë, se gazetarja, për arsye që i di ajo vetë, preferoi të vinte deri përpara Kryepiskopatës Orthodhokse, të bënte një xhirim nga jashtë dhe të largohej për diku tjetër. Një veprim ky profesionalisht i dyshimtë.
Dhe, së fundi, nuk do të donim që t’i futeshim edhe qëllimshmërisë negative të këtyre deklaratave, qëllimshmëri të cilën komentet e Televizionit e kanë pasur me bollëk vitet e fundit kur bëhej fjalë për KOASH.