EmailFacebookKontakt

Sinaksari – Shenjtorë të muajit Tetor

Lukiani, Presviter i Antiokisë (15 tetor)

Në moshën 12-vjeçare humbi prindërit, që ishin zyrtarë. Pas kësaj ai e dha lëmoshë pasurinë e tyre dhe emigroi nga Samosta e Eufratit të veriut, më në jug, në Edesën e Sirisë, ku u arsimua dhe u pagëzua. U bë murg, pasi që fëmijë ushtrohej me rreptësi dhe lutej me lotë, ishte serioz, gjumëpakë dhe kreshmues deri në tepri. Tashmë hante një herë në javë, si dhe në festat. Arriti kulmet e teologjisë, ndaj e hirotonisën prift të Antiokisë, ku jepte mësim në shkollën që themeloi. Si zotërues i hebraishtes bëri me zell shpjegimin e Dhiatës së Vjetër, duke larguar në mënyrë tepër orthodhokse spekullimet e heretikëve. Në rrugë e shikonin vetëm ata që donte ai. Maksimiani (286 – 305) urdhëroi dhe u arrestua sapo një prift heretik i tregoi vendin e tij të fshehtë. Pasi e çuan tek mbreti në Nikodimë (në veriperëndim të Azisë së Vogël), bindi në Kapadoki mohues të Krishtit që të ndërronin mendje dhe të martirizoheshin. Për pendimin e “të rënëve” (domethënë e atyre që ishin konvertuar në idhulltarë për shkak të përndjekjeve), punoi gjithë jetën me sukses, duke vepruar me fjalë dhe letra – pothuajse 3000. Duke ditur se pamja dhe gojëtaria e tij të bënin për vete, perandori komunikoi me të nga larg, nëpërmjet një të treti! Meqenëse i dolën huq premtimet, filluan torturat. Shenjtorit ia shtrembërruan këmbët në “drurin” e torturës dhe i ngulën në shpinë tjegulla majëmprehta. Megjithëse qëndroi 14 ditë i pangrënë në burg, nuk shijoi sakrifikimet e idhujve. Kështu ditën e Theofanisë, ashtu siç e kishin braktisur si gati për të vdekur, meshoi duke përdorur gjoksin e tij si Tryezë të shenjtë! E mbanin nxënësit e tij. Më pas u dukën gardianët. Thirri tri herë “Jam i krishterë” dhe dha shpirt- sipas disa të tjerëve merrte ende frymë kur e hodhën në det. Mbas 14 ditëve u shfaq dhe lajmëroi një bindësin e tij, kështu që ai bashkë me të tjerë nxituan në breg të detit, në vendin ku i kishte thënë. Atje një delfin shumë i lodhur solli trupin e tij të paprishur, që mbante erë miro dhe menjëherë ngordhi. Dora e djathtë u gjend më vonë e zgjidhur nga guri që i kishin lidhur. Në varrin e tij shën Elena (21 maj) ndërtoi një kishë. E himnizoi bashkëvendësi i tij Krisostomi i hyjshëm (13 nëntor). Lukian do të thotë i ndritshëm.

Theodhota dhe Sokrati, martirë (21 tetor)

U martirizuan në kohën e perandorit Sevir (222-225 pas Krishtit). Theodhota, e cila ishte bijë e një familjeje të shquar aristokrate të Pontit (Azia e Vogël), u tërhoq në një vend të veçuar për t’u ushtruar (asketuar), sepse dëshironte një jetë të lartë shpirtërore. Por, u mor vesh se ajo ishte e krishterë dhe u kap nga sundimtari i Kapadokisë. Nuk u tërhoq për asnjë çast nga besimi i saj, ndaj pësoi tortura. Atë e varën, ia çanë mishrat dhe e futën në furrë të ndezur, por mbeti e pacënuar nga flakët me ndihmën e Perëndisë. Atëherë tirani e çoi në Bizant e më pas në Ankara. Atje prifti Sokrat, i cili ishte i respektuar nga të krishterët për besimin dhe punën e tij të zjarrtë, u fut i vendosur në një panair të madh pagan dhe rrëzoi altarin me flijimet! E pagoi guximin e tij të befasishëm me prerjen e kokës. Fund të njëllojtë pati edhe shenjtorja, meqë nuk u bind, që t’u bënte fli idhujve dhe të respektonte perënditë pagane. Ndoshta është e njëjtë me martiren Theodhota, që kremtohet më 17 shtator.

Dëshmori i Madh Dhimitri (26 tetor)

Lindi në Selanik në një familje besimtarësh aristokratë, rreth vitit 280. Pavarësisht se ishte zyrtar mjaft i lartë, i ngarkuar me administrimin e Greqisë, dhe tepër i ri, ruante virgjërinë e plotë, prandaj u nderua që shpejt si shembull i murgjve. Pastërtia e frymës dhe e trupit e bëri njohës të mistereve dhe mësonjës të teologjisë. Drejtonte kryesisht një rreth të rinjsh, midis të cilëve ishte dhe bashkëqytetari i tij Nestori, me moshë shumë të re, adoleshent (27 tetor). U arrestua ndërsa jepte mësim në një bodrum. Në lojërat për nder të perandorit Maksimian (286 – 305), i cili ishte vetë i pranishëm, mori pjesë gjiganti i guximshëm Lieu i pamposhtur, mburrja e mbretit. Nestori vendos që ta përulë krenarinë e të dy idhulltarëve të shquar. Ndaj, arrin të hyjë në burg dhe kërkon uratën dhe ndërmjetimet e shenjtit, i cili bën mbi të shënjën e kryqit dhe i parathotë fitoren dhe martirizimin. Më kot e këshillon në stadium Maksimiani që t’i vijë keq për rininë e tij. Sulet duke thirrur: “Perëndi e Dhimitrit më ndihmo” dhe e ngul shpatën thellë në zemrën e barbarit. Ngjarja e pabesueshme u konsiderua si fitore e krishterimit kundër idhulltarisë dhe monarku i egërsuar urdhëroi dhe e vranë Dhimitrin duke e shpuar atë me shtiza, më pas dhe Nestorin me prerje koke. Të krishterët e varrosën mbrojtësin e Selanikut të respektuar nga populli në vendin e martirizimit, atje ku sot ndodhet kisha e lashtë dhe e shkëlqyer e tij. Varri nxirrte miro ashtu si gjaku dhe unaza e tij bënin mrekullira të shumta. Sot festohet dhe transferimi në Konstandinopojë (1149) i ikonës – mbulesë e varrit. Mirovliti (= miroburonjësi) mbrojti qytetin e tij nga invazione të ndryshme gjatë kohërave, dhe çlirimi përfundimtar i tij prej turqve u arrit ditën e kujtimit të tij (26.10.1912). Të paktën që nga shekulli i 12 – të, në çdo tetor ngrihej një qytet shtesë, ku kryheshin “Dhimitriat”, Panair tregtar, ekspozitë e prodhimeve vendase dhe të huajve, takime të dijetarëve dhe artistëve – pararendëse të aktiviteteve të sotme të “Ekspozitës së Selanikut”. Emri Dhimitër rrjedh nga Dhimitra, d.m.th. nëna e tokës.

At Justini