Duke aguar 6 shkurti i vitit 1967 diktatori Enver Hoxha mblodhi në Tiranë të gjithë sekretarët e partisë të rretheve dhe urdhëroi që në mëngjesin e kësaj dite të fillonte fushata e prishjes së kishave dhe xhamive. Kjo ishte një ditë e zezë për popullin tonë. U alarmuan qytete dhe fshatra, shtëpi më shtëpi u lajmëruan besimtarët e krishterë për të dorëzuar ikonat, të cilat i ruanin si sytë e ballit, duke i kërcënuar me burgim dhe internim. Qëllimi ishte që këto ikona të grumbulloheshin dhe të shkatërroheshin të gjitha. Por, ato shpëtuan rastësisht. Dikush i vuri në dukje diktatorit vlerat e mëdha materiale që ato përbënin, ndaj dha urdhër që të mblidheshin në Mitropolinë e Korçës.
Kjo nuk ishte një punë e lehtë. Për grumbullimin e ikonave nga të gjitha kishat e Shqipërisë nevojiteshin fonde dhe mjete që nuk disponoheshin. Veç asaj çdo vonesë favorizonte personat keqbërës, të cilët gjetën rastin për të shkatërruar së bashku me kishat edhe ikonat që përmbanin ato. Kështu p.sh në katundin Rehovë të Kolonjës u bënë kaminë 150 ikona me vlerë dhe iu vu zjarri e kjo u përsërit edhe në raste të tjera.
Përgjithësisht populli reagoi kundra kësaj masakre dhe nuk vuri dorë mbi kishat dhe xhamitë. Ato u prishën nga persona të shtyrë prej regjimit komunist. Në katundin Kamenicë të Korçës, që banohet kryesisht nga familje myslimane, asnjë nuk donte të vinte dorë për prishjen e Kishës së manastirit të Shën Kollit, dhe anasjelltas, asnjë i krishterë i vërtetë nuk ka vënë dorë në prishjen e xhamive.
E vetmja gjë që mund të shpëtohej në atë valë shkatërrimi ishin ikonat dhe vjen të theksojmë se ata që u interesuan me gjithë shpirt për një gjë të tillë ishin besimtarët e vërtetë, të cilët u angazhuan vullnetarisht në këtë detyrë. Në rrethin e Korçës këtë punë e kreu Seksioni i Arsimit, dhe një punonjës i tij që ishte besimtar, ndihmoi që në një kohë të shkurtër të grumbulloheshin të gjitha ikonat që patën mundësi të shpëtonin.
Një ndihmesë shumë e madhe për grumbullimin e ikonave të mbarë vendit dha punonjësi shkencor i Institutit të Historisë, theologu i shquar, Theofan Popa, i cili vullnetarisht mori përsipër këtë detyrë kaq të vështirë. Ky besimtar, që gjithë jetën e tij ia dedikoi Zotit, edhe në kohën e persekutimit të egër komunist nuk la rast pa shfrytëzuar për të treguar epërsitë dhe vlerën e madhe të kulturës kristiane.
Edhe në librin e tij të shquar “Pikturat mesjetare shqiptare” Th. Popa i dha vendin që meriton artit kishtar. Prej këtij libri mundën të shpëtojnë vetëm pak kopje, se autori i tij u persekutua si besimtar dhe ky libër u hoq nga qarkullimi.
Me iniciativën e Theofan Popës u mblodhën në Mitropolinë e Korçës rreth 8000 ikona dhe u dha mendimi që pjesa më e mirë e tyre të ekspozohej në kishë, e cila do të lozte rolin e një muzeu, por regjimi në fuqi duke pasur frikë edhe nga një kishe e mbyllur, e rikonstruktoi duke e kthyer nga një kishë madhështore në një muze me pamje të zymtë dhe të shëmtuar, që akuzon edhe sot e kësaj dite regjimin komunist dhe gjithë ata që vazhdojnë t’i mohojnë Kishës Orthodhokse të drejtat mbi pronësinë dhe kulturën e saj.
Eshtë e drejta e Kishës dhe jo e Shtetit të vendosë për fatin e ikonave të muzeut, sepse ato janë pronë e Kishës dhe duhet t’u kthehen kishave që u janë marrë. Edhe ato që kanë vlera të mëdha Kisha do t’i ruajë dhe t’i përdorë për interesat mbarëkombëtare. Këto ikona sot duke u mbrojtur në vende të papërshtatshme po dëmtohen, dhe duke u herë mjete përfitimi dhe nuk e kanë të ardhmen e sigurt.
Ilia Nençe, Korçë