Të gjithë jemi dëshmitarë, se me rihapjen e kishave, numri i besimtarëve sa vjen e shtohet dhe ato duken tepër të vogla për të nxënë brenda, ata që vijnë të marrin pjesë në Liturgjinë Hyjnore e Shërbesat e ndryshme. Përveç besimtarëve të vjetër, vijnë edhe shumë djem e vajza të reja, fëmijë, nxënës dhe studentë.
Të gjithë ata vijnë t’i luten Perëndisë. Pa lutje, – thuhet në Shkrimet e Shenjta, – nuk ka dashuri të vërtetë ndaj Perëndisë, nuk ka as dashuri të vërtetë ndaj njerëzve. Ndaj, për të ndjekur me vëmendje këto shërbesa, ne duhet të mbajmë në Kishë qetësi të plotë, që nga çasti që hyjmë e deri në përfundim të tyre. Edhe me mbarimin e shërbesës në Kishë, besimtarët që dëshirojnë mund të rrinë të luten dhe të tjerët që dalin duhet të kalojnë pa zhurmë, me qëllim që të mos u prishin qetësinë. Pra, në Kishë në çdo kohë, ka apo nuk ka shërbesë duhet të ketë vazhdimisht qetësi.
Me qëllim që të dëgjojmë me kujdes Liturgjinë Hyjnore apo shërbesat e tjera, duhet të kemi parasysh që të zbatojmë disa rregulla, të cilat, ndofta janë të thjeshta, por kanë shumë rëndësi:
1. Duke hyrë në Kishë bëjmë Kryqin.
2. Marrim qiri, e ndezim dhe e vendosim te vendi i caktuar.
3. Përshëndesim dhe puthim ikonën që gjendet ne hyrjen e Kishës.
4. Hyjmë në Kishë, puthim ikonën e Krishtit dhe të Shën Marisë.
5. Në qoftë se nuk ka filluar shërbesa, mund të puthim të gjitha ikonat që janë në ikonostas, ndërsa po të ketë filluar, nuk puthen, se pengojmë zhvillimin e shërbesës (Ikonat puthen edhe mbasi ka mbaruar e gjithë shërbesa).
6. Qëndrojmë në vendin e caktuar me duar të bashkuara në lutje.
7. Gjatë qëndrimit në Kishë nuk lejohet asnjë bisedim; të njohurit që takojmë i përshëndesim vetëm me lëvizje të kokës.
8. Kujdes të madh duhet të kemi gjatë leximit të Ungjillit. Në këtë kohë të gjithë besimtarët ngrihen në këmbë. Ata që vijnë nga jashtë në këtë moment qëndrojnë në vend nuk lëvizin, madje nuk puthin as ikonat. Me të mbaruar leximi dhe kur Ungjilli futet në Ajodhimë, atëherë mund të lëvizim, puthim ikonat e zëmë vendin e caktuar.
9. Çast tjetër i rëndësishëm është Kungimi i Shenjtë. Në këtë kohë të gjithtë ngrihen në këmbë dhe mirë është të qëndrohet kështu, derisa të mbarojë. Eshtë krejt e parregullt që disa në këtë moment dalin nga Kisha, duke krijuar pa dashje zhurmë.
Të gjithë besimtarët që janë pregatitur për Kungim vihen në radhë; në fillim kungohen fëmijët e vegjël, pastaj të sëmurët e të moshuarit, e më pas të gjithë të tjerët (radha zihet në mesin e Kishës, përballë derës së bukur).
10. Shërbesa përfundon kur Kryepiskopi ose Prifti thotë: “Me urata e Etërve tanë të Shenjtë, O Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona!”
Mbas kësaj të gjithë vendosen në radhë, si në rastin e Kungimit, marrin naforën dhe pa zhurmë largohen, që besimtarëve që qëndrojnë në Kishë të mos u prishet qetësia.
Më datën 1 të çdo muaji në kishë bëhet Ajazmë. Gjatë kësaj shërbese duhet të kemi parasysh:
1. Të gjithë qëndrojmë të ulur në karrike dhe ndjekim me vëmendje.
2. Kur prifti fillon të psali “O Zot shpëto popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd….” dhe fillon spërkatjen e Kishës dhe njerëzve me Ajazëm, të gjithë ngrihemi në këmbë e nuk lëvizim.
3. Kur fillon puthja e Kryqit dhe spërkatja me Ajazëm, të gjithë sipas radhës kalojmë para priftit, pasi kemi puthur Kryqin (kur ditën e Ajazmës ka Meshë marrim naforën, pastaj kush dëshiron zë radhë për të marrë Ajazmë. Edhe në këtë kohë të kemi kujdes që të mbahet rregull e qetësi. Besimtari zë radhë, gjithnjë si për Kungimin.
4. Ajazma ndahet mbasi të ketë mbaruar e plotë shërbesa.
At Sotir Xhaferi,
Kostandin Bozaxhiu,
Kisha e Ungjillëzimit,
Tiranë