EmailFacebookKontakt

Si mund ta dimë se besimi ynë është e vërteta

AT LUKA VERONI

Disa ditë më parë, një miku im dëshironte të bisedonte me mua. Ishte një student, të cilin e kisha pagëzuar vite më parë dhe natyrisht, ai e quante veten të krishterë orthodhoks. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ai ishte konfuz në lidhje me atë që ai besonte.

Gjatë javëve të kaluara ai kishte frekuentuar një nga lokalet “shëruese” apo njerëzit mrekullibërës të Shqipërisë; një grua në Tiranë, për të cilën njerëzit thonë se ka kryer shumë mrekullira. Problemi ishte, se kjo shëruese po e çorodiste mikun tim me mësimet e saj. Ajo pranonte se Jisui ishte një njeri i madh, një nga profetët më të mëdhenj, por përjashtonte me forcë idenë, se Ai është Biri i Perëndisë dhe vetë Perëndia. Ajo i mësoi, se nuk mund të besojmë çdo gjë në Bibël, pasi shkrimet e shenjta origjinale janë shtrembëruar. Kjo grua, madje, pretendonte se kishte patur një vegim të vetë Jisuit, në të cilin Ai vetë i tha asaj se nuk ishte Biri i Perëndisë dhe tërë njerëzit, të cilët besonin tek Jisui, si Biri i Perëndisë, do të ndëshkoheshin.

Miku im, i cili erdhi të më takonte, ishte tashmë i çoroditur. Ai i njihte mësimet e Kishës. Ai dinte Besoren e Besimit tonë. Ai dinte, se ne besojmë në Jisuin jo vetëm si Mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë, por si Biri i Perëndisë, një person i Trinisë së Shenjtë. Ai i dinte të tëra këto dhe përsëri ishte i çoroditur, sepse kjo grua dukej e veçantë – ajo supozohej të bënte mrekullira, lutej shumë dhe thoshte, se kishte pasur vegime të Krishtit. Ajo, gjithashtu, e kishte hutuar mikun tim, duke i thënë se shumë shqiptarë, qoftë dhe me origjinë orthodhokse dhe katolike, kishin shkuar tek kjo grua. Kështu, miku im më pyeti: “Çfarë duhet të bëj?” Si mund ta di se cilin të besoj ose çfarë duhet të besoj?

Për njerëzit që kanë pyetje të tilla, Kisha ofron një përgjigje konkrete, si dhe një siguri në njohjen, se cila është e vërteta. Çdo ditë kur ne festojmë ditët e shenjtorëve, veçanërisht Etërit e Shenjtë të shtatë sinodeve të parë ekumenike, ne nderojmë jo vetëm dëshminë kolektive dhe jetët e burrave dhe grave të shenjta, por, ne kujtojmë sigurinë e besimit që ka kaluar deri tek ne. Ata na kujtojnë në mënyrë konkrete të vërtetën dhe gabimin.

Për shembull, le të mendojmë për një nga herezitë (gabimet në mësim) më të mëdha në Kishën e hershme, e cila vazhdon të jetë herezi edhe sot për grupe të ndryshme fetare. Në shekullin e katërt, ishte një prift që quhej Arius, i cili filloi të mësonte një herezi. Ai pranoi mësimin orthodhoks se Jisui ishte një njeri i madh. Gjithashtu, ai tha se ishte hyjnor. Megjithatë, nuk ishte dakort se Jisui ishte i barabartë me Perëndinë Atë. Ai nuk qe dakort se Jisui ishte pjesë e Perëndisë së përjetshme. Në vend të saj, ai tha se Jisui ishte një perëndi e krijuar, i pari i gjithë krijesave.

Ndoshta, sepse dukej të ishte një shpjegim logjik, më i lehtë për t’u kuptuar, sesa misteri i Trinisë së Shenjtë, shumë të krishterë në shekullin e katërt filluan të besojnë mësimin e Ariusit. Hutimi u përhap ndërmjet besimtarëve dhe një ndarje filloi brenda Kishës. Sido që të ndodhte, e vërteta duhej të zbulohej. Cili ishte Jisui dhe cila ishte e vërteta mbi natyrën e tij?

Për të zbuluar të vërtetën, Kisha u përgjegj, duke mbledhur tërë etërit e Kishës, dhe i kërkoi atyre të mblidheshin së bashku dhe të përcaktonin cila ishte e vërteta për Krishtin. Kisha kuptoi se një person mund të keqkuptonte besimin dhe të bënte një gabim. Por, kur tërë drejtuesit e Kishës u bashkuan, nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, atëherë e vërteta, siç ishte pasuar nga Apostujt, mund të përcaktohej. Për t’iu përgjigjur çoroditjes së Ariusit, 318 etër të shenjtë u bashkuan në lutje dhe iu përgjigjën herezisë së Ariusit me Besoren, siç e dimë dhe sot, duke na shpjeguar qartë cili është Jisu Krishti – i lindur prej Atit para gjithë shekujve, dritë prej drite, Perëndi e vërtetë prej Perëndie të vërtetë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.

Duhet të kuptoni se në çdo gjeneratë ka njerëz të cilët mundohen të shtrembërojnë të vërtetën, por, gjithashtu, në çdo gjeneratë ka shenjtorë, burra dhe gra të shenjta, të cilët mbartin besimin e vërtetë nga gjeneratat e mëparshme dhe e kalojnë këtë të vërtetë në gjeneratat e reja. Për 2000 vjet, kjo Traditë e Shenjtë ka ruajtur të pandryshuar Besimin Orthodhoks.

Është e njëjtë me pishtarin e lojrave Olimpike. Kujtoni, kur, në fillimin e lojrave Olimpike, sa vrapues të ndryshëm marrin pishtarin, e mbajnë atë për një distancë të përcaktuar dhe pastaj e kalojnë tek atletët e tjerë, deri sa ndezin flakën e madhe të lojrave Olimpike. Të krishterët e çdo gjenerate janë mbajtës pishtari, të cilët marrin pishtarin nga të mëparshmit dhe e mbajnë për një distancë, dhe pastaj e japin përpara. Në të njëjtën mënyrë, pishtari i besimit të vërtetë ka kaluar i sigurt, nga njëra gjeneratë në tjetrën, nëpërmjet apostujve, martirëve dhe shenjtorëve.

Dëshmi e këtyre miliona burrave dhe grave besnikë është siguria që ata kanë në njohjen, se cili është besimi i vërtetë. Kjo është arsyeja përse miku që përmenda në fillim, i cili kërkon të vërtetën, ka nevojë të kuptojë se ne kurrë nuk bazohemi në përvojën ose opinionin e një personi të vetëm. Nëse një person i vetëm, si kjo grua shëruese, thotë, se ajo di të vërtetën ose se ajo ka pasur një zbulim të veçantë nga Krishti, kundër së vërtetës të tejçuar nga gjeneratat e mëparshme, atëherë duhet t’i themi kësaj gruaje, se zbulimi i saj i veçantë është i gabuar. Ajo është mashtruar. Mësimi i saj nuk mund të jetë i Perëndisë! Edhe Shën Pavli thotë: “Nëse një ëngjëll nga qielli vjen dhe predikon një ungjill të ndryshëm, lëreni të mallkohet!”

Kështu, kurdoherë ne, në Kishën Orthodhokse, kemi ditët e festimit të shenjtorëve, veçanërisht etërit tanë të shenjtë të sinodeve ekumenike. Le të na kujtojnë këto ditë vendosmërinë në besim, me të cilën ata kanë siguruar të ardhmen e gjeneratave dhe le t’i falenderojmë ata! Është një ngushëllim i madh të kesh një sens sigurie në të vërtetën që është tejçuar tek ne me anë të Traditës së Shenjtë. Le të tregojmë tërë falenderimin për një siguri të tillë, duke imituar ata etër të shenjtë dhe të mundohemi të tejçojmë të njëjtën të vërtetë, të pandryshuar, në gjeneratën e re të besimtarëve!