EmailFacebookKontakt

Si e sulmonin komunistët festën e Pashkëve në shtypin ateist

Në propagandën ateiste të regjimit komunist shqiptar, feja cilësohej si një helm për ndërgjegjen e njerëzve. Pashkët, sipas propagandës ateiste në shtypin komunist, përgjatë diktaturës, etiketoheshin si mbeturina të besimeve të kota të lindura mijëra vjet më parë, në kohën kur njerëzit nuk ishin në gjendje të shpjegonin fenomenet e natyrës. Ritet fetare dhe festat fetare, propaganda komuniste në shtypin ateist i shihte si forma me qëllim errësimin e mendjeve të njerëzve, që synonin mbajtjen në kontroll dhe errësimin e botës psikologjike e shpirtërore të besimtarëve dhe mbajtjen e atyre që besojnë sa më larg botës reale, duke i gënjyer dhe ushqyer me iluzione të kota hyjnore.

Shkrimi ateist “Pashkët dhe origjina e tyre”, botuar në gazetën “Luftëtari” të datës 9 prill, në numrin 29, në faqen 3, të vitit 1967, propagandon ndër të tjera se Pashka, Ngjallja e Krishtit prej së vdekurish, është një legjendë që nuk ka asnjë bazë reale dhe, si Pashka, ashtu dhe Krishtlindja, sipas ateistëve të kohës, janë fund e krye një trillim. Gazeta ateiste sulmon festën e Pashkëve duke shkruar se nga faktet historike nuk vërtetohet asgjë rreth jetës së Krishtit. “Ai është vetëm një qenie fantastike që nuk ka jetuar asnjëherë. Ashtu si vetë Krishterimi, edhe Pashka nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e dogmave dhe besimeve të kohëve të vjetra”- thuhet në shkrimin ateist. “Festa e Pashkëve, sipas autorit të shkrimit ateist, e ka fillin gjithashtu te festat që organizonin popujt e lashtë për ringjalljen e perëndive të tyre dhe se besimi te Zoti, te Krishti dhe festat fetare si Pashkët u kanë shërbyer gjithmonë interesave të klasave sunduese”, argumentonin komunistët ateistë. Gazeta shkoi më tej në shkrimin propagandistik, teksa citon se me qëllim për t’i mbajtur gjallë dhe për t’i përforcuar këto besime që propagandonin nënshtrimin e të varfërve dhe pajtimin midis klasave, Kisha, kleri dhe e gjithë veprimtaria dhe ideologjia fetare kanë përdorur të gjitha mjetet për t’u rrënjosur thellë në popull, akuzonin komunistët në shtypin ateist. Komunistët sulmonin fenë se gjoja propagandon të jetojnë njerëzit në varfëri e vuajtje si Krishti. Sipas shkrimit ateist të kohës, “Klasat sunduese duan t’i bindin masat e shtypura se po të durojnë, po t’i nënshtrohen fatit, vuajtjeve, shtypjes dhe shfrytëzimit të klasave sunduese, do të fluturojnë në qiell si Krishti”.

Komunistët akuzonin Krishterimin se mashtronte me anë të legjendave. Sipas shkrimit të gazetës “Luftëtari”, të përmendur më lart, duhej luftuar dhe zbuluar me këmbëngulje çdo shenjë e besimeve dhe paragjykimeve fetare dhe bëhej thirrje për një punë të gjallë propagandistike e bindëse me njerëzit, duke ndikuar që edhe shokët, të afërmit dhe prindërit të flaknin çdo besim fetar që komunistët e quanin “neveri”, “opium”, “helm” për ndërgjegjen e njerëzve.

Në shkrimet ateiste të periudhës komuniste, Kisha Katolike akuzohet pa fakte e pa prova si gjoja qendër spiunazhi dhe imoraliteti. Për të krishterët, Pashka është festa më e rëndësishme ku themelohet baza e këtij besimi që është Trinia e Shenjtë, Ati-Biri-Shpirti i Shenjtë, që në Pashkë simbolizon Ngjalljen e Krishtit dhe Ngjitjen e Tij në Qiell tek Ati.

Sistemi propagandistik antifetar komunist, duke sulmuar dhe bindur njerëzit gjoja për kotësinë dhe trillin e të pavërtetat që qarkullojnë rreth këtyre festave, tentonte të bindte njerëzit se besojnë në një mashtrim dhe se duhej të hiqnin dorë sa më parë. S. Pëllumbi, në shkrimin “E vërteta mbi Pashkët”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, të datës 21 prill, të vitit 1962, me numër 32, në faqen 5, deklaron se historia e festës së Pashkës që vjen nga greqishtja që do të thotë “Passim” vuajtje, është një histori e pabesueshme sipas tij, nëse Perëndia sakrifikoi Birin e Tij për të shlyer mëkatet e njerëzimit, Perëndia mund ta shpëtonte njerëzimin pa tragjedi, pa e vrarë djalin e vetëm. Sipas propagandistit komunist Pëllumbi, ky besim, që përbën bazën e Pashkës, është një tregim fantastik, një fabul që s’pasqyron asgjë reale.

Propagandisti komunist K. Xhavara, në shkrimin “Si ka lindur Pashka”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” në numrin 1, në janar – shkurt të vitit 1963, në faqen 28, deklaron se festa e Pashkës nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në mënyrë të stërholluar e perëndive që vdisnin dhe ngjalleshin që në kohën përpara lindjes së Krishterimit. Kjo festë, sipas propagandistit ateist Xhavara, është përdorur nga Kisha me qëllim që “të propagandojë nga njëra anë idetë që i leverdisnin shfrytëzuesve dhe në dëm të punonjësve, pra idenë e nënshtrimit, të përuljes, të durimit, të vuajtjes dhe, nga ana tjetër, atë të dashurisë dhe të paqes midis shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, midis të pasurve dhe të varfërve”. Në këtë shkrim propagandistik thuhet se ideja e dashurisë dhe kuptimit të festës së Pashkës është komplet reaksionare në jetën e klasave, pasi, sipas shkrimit në fjalë, me anë të kësaj feste të krishterët propagandojnë dashuri vetëm për besimin e tyre dhe jo për të tjerat. Sipas Xhavarës, kjo festë është intolerante dhe armiqësore, pasi “feja propagandon në popull mungesën e durimit ndaj besimtarëve të besimeve të tjera dhe ndaj ateistëve, megjithëse ata mund të jenë vëllezërit e tij punëtorë apo fshatarë. Intoleranca fetare i ka ndihmuar dhe ndihmon klasat shfrytëzuese të mbajnë të nënshtruar popullin e tyre, si dhe popujt e tjerë – akuzonin komunistët.

Marrë nga gazeta online “Koha jonë”