Frankët qenë popuj barbarë, të cilët e njohën krishterimin që në fillim në doktrinën orthodhokse. Popullsia frënge ishte pagane, megjithatë krishterimi kishte mundur të depërtonte në disa treva rreth lumit Rin. Krishterimi në masë i frankëve u bë nën shembullin personal të mbretit të tyre Klovis (481 – 511). Ky i fundit ishte pagan, por u njoh me krishterimin nga martesa me Klotildën, një princeshë nga fisi gjerman i Burgundëve, e cila ishte orthodhokse. Gjithashtu edhe fëmijët e tyre u pagëzuan në orthodhoksë. Por një ngjarje historike do të ishte vendimtare për kthimin e mbretit të frankëve.
Grigori i Turunnit në veprën e tij “Historia e frankëve” (Historia francorum), na tregon se mbreti i frankëve Klovis, përpara një beteje vendimtare kundër Alemanëve, në vitin 496, premtoi se nëse do të fitonte do të bëhej i krishterë. Përpara betejës Klovis kërkoi ndihmën e Krishtit dhe doli fitimtar. Menjëherë pas betejës u pagëzua tek episkopi i Reimsit, në ditën e Krishtlindjeve të vitit 496, duke marrë emrin Kostandin.
Shembullin e tij e pasuan edhe 3000 ushtarë e fisnikë, të cilët u pagëzuan me një ceremoni madhështore. Me mbështetjen e popullsisë së krishterë Klovis i shtriu zotërimet e tij pothuaj në gjithë Francën.
Në vitin 507 Klovis, pasi pati marrëveshje me Burgundët, filloi luftën ndaj Vizigotëve e i mundi në betejën e Vonillës, ku mbeti i vrarë, mbreti i tyre Alariku II.
Tashmë, zotërimet e frankëve shtriheshin që nga Tuluzi e deri në Akitania dhe Klovis u njoh zyrtarisht mbret i frankëve nga Perandori Bizantin Anastasi (491 – 518). Ai e vendosi rezidencën në Paris dhe forcoi pozitat e tij mbi të gjitha fiset franke, duke pasur gjithmonë mbështetjen e popullsisë së krishterë. Në vitin 511 ai thirri Sinodin e Orleanit. Klovis ndërroi jetë në vitin 511, në moshën 45-vjeçare.
Andrea LLukani