EmailFacebookKontakt

Si e gjeta Episkopin Jerotheos

Fisi i nënës sime kishte një brengë 60-vjeçare në zemër. Në vitin 1929 ishte larguar njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria i përndershmi Mitropolit Jerotheos, xhaxhai i nënës sime, me origjinë nga Çarshova e Përmetit, ku në rini njihej me emrin Janaq Andon Jaho. Që nga ai vit e deri më 1990 ne nuk dinim gjë për fatin e tij.

Episkopi Jerotheos ishte një nga nismëtarët dhe klerikët e lartë që përkrahën e kontribuan për autoqefalinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Ai erdhi në Shqipëri si përfaqësues, eksark i Patrikanës së Konstandinopojës, në fillim të viteve 20-të, dhe u vendos në Mitropolinë e Korçës. Në kishën e Shën Gjergjit në Korçë, Imzot Jerotheos, së bashku me Imzot Kristofor Kisin, hirotonisën në episkop Imzot Theofan Nolin, më 21 nëntor 1923.

Në vitin 1929, pas një konflikti me mbretin Zog, pasi ky i fundit donte ta vinte Kishën në varësi të shtetit, Imzot Jerotheos u largua nga Shqipëria, i zhgënjyer dhe u vendos në Malin e Shenjtë në Greqi, ku jetoi dhe shërbeu si Episkop deri sa vdiq, më 23 shkurt 1956.

Për jetën dhe veprimtarinë e tij si klerik i lartë kanë shkruar Fan Noli në librin “Autobiografia”, profesori teolog i Universitetit të Selanikut Apostolos Glavinas në librin e tij voluminoz për historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë; klerikët e Malit të Shenjtë, arqimandriti Gavril Dhionisiati në librin “Lavdia e Malit të Shenjtë”; murgu Anthimos Ajananiti në librin “Shën Ana – hapi i shenjtë i malit Atos”; arqimandriti Keruvim në librin “Nëpër shëtitoren e të Tërëshenjtës”; studiuesi italian dhe profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë, zoti Roberto Moroco de la Roka në veprën e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”; studiuesi arbëresh Ferrari etj.

I diplomuar më 1907 në Institutin Teologjik të Halkit, i paharruari Jerotheos u hirotonis episkop nga vetë Patriku i Konstandinopojës, çka flet për vlerësimin shumë të lartë që i është bërë atij.

Ardhja e demokracisë në Shqipëri na ringjalli shpresat për të pyetur e mësuar në Greqi për këtë hierark të lartë të orthodhoksisë shqiptare. Zoti e solli mbarë që unë të punësohesha në kishën madhështore të Shën Dhimitrit në Pire. Aty, krahas kryerjes së detyrës, pyesja të gjithë priftërinjtë për Episkopin Jerotheos, por për mëse dy vjet nuk mësova gjë. Në janar 1995, arqimandriti Theofilos, klerik drejtues në kishën e Shën Eustathit në Atiki, më tha se ishte hirotonisur prift në Malin e Shenjtë nga Episkopi shqiptar i Melitupoleos, Jerotheos Andon Jaho. Të dhëna të tjera mësova edhe nga arqimandriti Andreas në Neo Iraklio të Athinës, i cili për vite të tëra kishte qenë sekretar i përgjithshëm në Malin e Shenjtë dhe e kishte njohur personalisht të përndershmin mitropolit Jerotheosin. Në mars 1995 i dërgova një letër murgut Moisi, sekretar i përgjithshëm i Malit të Shenjtë. Në përgjigjen e tij ky klerik më shkruante plot respekt për Episkopin Jerotheos. Ai, gjithashtu, më dërgoi një fotokopje të librit për Malin e Shenjtë, të shkruar nga arqimandriti Gavril Dhionisiatu, botim i vitit 1953, ku në një faqe shkruhet për Episkopin përmetar Jerotheos, i cili për 27 vjet ka qenë i vetmi Episkop në të gjithë Malin e Shenjtë. Në shtator të vitit 1995 u nisa vetë për në Malin e Shenjtë. Në qimitirion e skitisë së Shën Anës gjeta eshtrat e Episkopit Jerotheos, të cilat ruhen në një kuti metalike pas kryqit të Tryezës së Shenjtë. Murgu Ananias (me të cilin shpesh komunikoja shqip, se ishte me origjinë shqiptare) më dha për familjen një copë eshtër të Episkopit, së bashku me vërtetimin përkatës, të firmosur e të vulosur. Imzot Jerotheosi, me kulturën e tij të lartë dhe me mundësitë financiare që disponte ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm e të gjithanshëm për arsiminin dhe përgatitjen klerike të jerondit Jerasimos, me origjinë nga Dhroviani i Sarandës e me shërbim në “Shën Ana e Vogël”, që njihet si një ndër himnografët më të shquar të Greqisë, si dhe për bashkëpatriotin e tij, Vasil Joanidhi, me origjinë nga fshati Kutal i Përmetit, ish profesor teolog i dëgjuar i Universitetit të Athinës. Ai vazhdimisht ka ndihmuar të varfërit e jetimët, e sidomos bashkëpatriotët e tij që vinin nga Shqipëria, ku ai kishte meshuar për vite të tëra. Siç thotë murgu nga Mali i Shenjtë At Justini, i cili prej disa vitesh kontribuon për Kishën tonë, në Ajon Oros emri i Imzot Jerotheut është tepër i njohur nga të gjithë, si një klerik i shenjtë i kushtur tërë jetën shërbimit të Perëndisë. P.sh. thuhet se gjatë agripnive, që në Malin e Shenjtë ndodh të zgjasin edhe mbi dhjetë orë, ai lutej tërë kohën në këmbë. Më 3 shkurt 1996, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së të paharuarit e të përndershmit Mitropolit Jerotheos Andon Jaho, u organizua një përkujtimore përshpirtjeje në kishën e Shën Dhimitrit në Pire. Veç të afërmëve dhe besimtarëve shqiptarë, grekë e arvanitas, ndodhej gjithashtu edhe ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Greqi, z. Hysen Çabej.

Jeta dhe veprimtaria e Episkopit shqiptar do të kujtohet me respekt të thellë nga të gjithë besimtarët orthodhoksë.

Ilia Spiro Vasili