EmailFacebookKontakt

Si duhen kuptuar Magjia dhe Astrologjia

“… Mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë”

Kohët e fundit paraqet ngritje dukuria Magji-Astrologji dhe mjerisht, shumë njerëz, duke qenë të pasqaruar bien lehtësisht viktima.

Tek disa shkaktojnë pështjellim tre Magët, të cilët gjatë lindjes së Krishtit tonë, të udhëhequr nga ylli, u gjendën në Palestinë dhe iu falën Atij. Por, duhet ditur që tjetër është shkenca e Astronomisë dhe tjetër gjë ishte astrologjia. Shumë shkenca, si p.sh. astronomia dhe gjeometria janë tepër të lashta. Termi “magët” në Lindje nënkuptonte njerëz me shumë kulturë. Duhet të dimë se mundësitë për të marrë kulturë i kishin vetëm aristokratët, zotërinjtë.

Prandaj, tre Magët kishin kushtet për të bërë një udhëtim aq të gjatë për kohën e atëhershme dhe madje, “hapën thesarët e tyre” për t’i dhënë Foshnjës Hyjnore dhurata mbretërore, “ar e livan e smirnë” (Matth. 2,11).

Por si ndodhi, që, duke parë yllin, Tre Magët kuptuan lindjen e Mesisë? Interpretimi i Dhiatës së Re nga Etërit e Shenjtë e shpjegon se dijetarët e Babilonisë dhe të Persisë e kujtonin dhe e prisnin plotësimin e profecisë së bashkatdhetarit të tyre të lashtë, profetit Varllaam.

Domethënë, kur Hebrenjtë, gjatë daljes së tyre nga Egjipti, mbërritën në Tokën e Premtuar, në Palestinë, një mbret i saj, i trembur nga ardhja e turmës, ftoi Varllaamin që të mallkonte popullin që vinte. Por, profeti, pas ndërhyrjes së një engjëlli, iu bind porosisë hyjnore dhe, në vend që t’i mallkonte, i bekoi izraelitët! Atëherë, midis të tjerash, ai parashikoi, duke thënë se do lindë një yll prej judenjve dhe do të lind një Izraelit i Tërëfuqishëm. Ai nënkuptonte lindjen e Shpëtimtarit. Ngjarjet e këndshme dhe profecitë e fuqishme të Varllaamit janë të përshkruara në kapitujt 22-24 të Numrave. Në ngjarjen konkrete shohim se ylli i Vithleemit i çoi ata drejt Krishtit, ndërsa astrologjia të çon drejt djallit.

Theksojmë këtu se djalli e njeh të tashmen, si bie fjala ç’po ndodh tani, në këtë çast, në Amerikë. Eshtë frymë që lëviz me shpejtësi. Prandaj, ai mund të zbulojë diçka që ndodh në vende të largëta dhe të shkaktojë habi dhe frikë. Madje, në epokën e lashtë, kur nuk ekzistonte ende telekomunikacioni, habitja ishte kolosale kur satanai njoftonte diçka që ndodhte larg dhe, vërtet, pas një muaji mbërrinte letra që e konfirmonte ngjarjen.

Por, djalli nuk mund të profetizojë të ardhmen. Natyrisht, me eksperiencën e gjatë që ka, mund të presupozojë dhe të nxjerrë përfundime për diçka. Edhe mjekët, duke parë gjendjen shëndetësore të të sëmurit, me njohuritë dhe përvojën që kanë, parathonë se i sëmuri do të vdesë pas kaq muajsh… Edhe astronomët thonë që në filan datë do të bëhet eklips i diellit. Por, as mjekët, as astronomët, nuk i krijojnë dukuritë që thamë. Po kështu edhe satanai mund të presupozojë, por jo në mënyrë të pagabueshme. Shumë herë përgënjeshtrohet.

Një shembull nga veprimtaria e përditshme. Nëse mediumët dhe “interpretuesit” e horoskopit do të dilnin të vërtetë, atëherë do të ishin vetë ata që do të ishin pasuruar të parët dhe do të kishin suksese! Gjithashtu, shpesh horoskopët përplasen me njëri-tjetrin.

Duhet shënuar këtu se pasqyrimet artistike të zodiakëve nuk presupozonin praninë e tyre si simbole magjike. Ashtu siç u përdorën si dekoracion dielli dhe hëna qysh në kohët më të lashta, ashtu u përdorën disa herë edhe zodiakët. Por, magjistarët i morën dhe i shfrytëzuan ato për qëllime okultive.

Vërtet, ka magji që kryhet nën ndikimin e satanait. Madje, në të ashtuquajturën magji e zezë kryhen edhe flijime njerëzish tek satanai… Shumë shenjtorë, me fuqinë hyjnore që dispononin, zgjidhnin magjitë dhe çlironin nga pushteti i shpirtrave dinakë. Kisha jonë, gjithashtu, ka edhe lutje të posaçme, me anën e të cilave kërkojmë shkatërrimin e pushtetit të Velzevulit dhe dëbimin e tij.

Por, duhet të dime se djalli s’ka pushtet mbi njerëzit, të cilët vijnë rregullisht në Kishë dhe marrin pjesë në misteret e saj dhe sidomos në Rrëfimin e Kungatën Hyjnore. Domethënë, mbi ata, të cilët jo vetëm janë pagëzuar, por janë edhe besimtarë të ndërgjegjshëm. Misteret e hirshme na sjellin në kontakt e komunikim me Perëndinë, nga ku marrim Hirin e Tij. Ato janë burim fuqie të pathyeshme.

Nga ana tjetër, qoftë edhe në mënyrë negative, shkuarja pas magjive, vërteton besimin në ekzistencën e forcave të mbinatyrshme, në faktin se nuk ekziston vetëm bota materiale, por edhe bota shpirtërore. Sidoqoftë, ajo është një rrugë e gabuar, që të çon në skllavërinë e satanait. Magjitë kryhen në fshehtësi dhe në errësirë, sepse i errët është dinaku. Ndërsa Shpërblyesi ynë, Krishti, është drita, ashtu siç e tha edhe vetë (Joan 8,12). Prandaj, apostulli na nxit me ngulm: “Qëndroni, pra, në liri, me të cilën Krishti na liroi dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë” (Gal. 5,1).

At. Ju.