Kusht i domosdoshëm që dhurata jonë të bëhet e pranueshme nga Perëndia, është pastërtia e trupit dhe e shpirtit. Të veshur me rroba të pastra, puna fillohet me fjalë lutjeje dhe vazhdojnë brenda një atmosfere hyjnore. Mënyra më e saktë për të bërë një bukë meshe është kur brumin e zë me maja.
Materialet
750 gr miell (i fortë dhe i butë bashkë), 1 lugë glikoje kripë, maja sa një kokër qiqre, 3 filxhanë çaji ujë të ngrohtë në të vakët. Para se të fillojmë, lyejmë tepsinë me miell. Ose, n.q.s. kemi dyllë, ngrohim tepsinë dhe pastaj e lyejmë me të gjithë tepsinë, fundin dhe anët. Me një pecetë të pastër mbledhim mbetjet e tepërta.
Bërja e brumit
Në një enë pak të madhe hedhim miellin (të situr përpara). Marrim me një filxhan pak ujë të ngrohtë, shkrijmë aty majanë dhe kripën, i hedhim këto brenda në miell dhe fillojmë të punojmë brumin me fuqi dhe ritëm të shpejtë. E punojmë pandalur 15-20 minuta, duke zhytur herë pas here duart tek uji i ngrohtë i ngelur, duke pasur kujdes që brumi të mos bëhet i butë, por të bëhet i fortë.
Mbështjellja
Puna e dytë është mbështjellja sipër një tavoline me sipërfaqje të lëmuar. Marrim brumin në të dy duart dhe me fuqi të gishtat tona e rrotullojmë komplet brumin përsëri e përsëri, duke e rrotulluar njëkohësisht edhe sipër kësaj sipërfaqeje. Brenda 10-15 minutash do të jetë gati. Atëherë i japim formë të rrumbullakët dhe e vendosim në tepsi. Mbështjellja e mirë e brumit siguron dhe suksesin e meshanikut (mblatës).
Vulosja me meshanik
Në këtë pikë mbulojmë bukën e meshes me një pecetë të pastër dhe e vendosim në mes të një kuverte të leshtë të palosur në një vend të ngrohtë. E lëmë atje 10 min, sa të zërë një kore të hollë.
E mbulojmë dhe me meshanikun bëjmë shenjën e kryqit, pastaj vendosim meshanikun në qendër të bukës së meshes dhe e shtypim me forcë, pa e tundur, në thellësi deri 1 gisht, në mënyrë që të dalë mirë vula. Duke shtypur me gishtin e madh të dorës së djathtë meshanikun, me dorën tjetër fillojmë ta ngremë, në mënyrë që të marrë ajër dhe të dalë lehtë. Për siguri, para se të vëmë meshanikun, e lyejmë me miell.
Ardhja e brumit
Tani mbaruam. Mbulojmë meshën me pecetën e pastër, e vendosim brenda mbulesave që të vijë, duke hedhur sipër një copë celefon dhe e lëmë kështu gati 2 orë. Gjatë kësaj kohe 1-2 herë ngrejmë mbulesën që të shohim n.q.se është ngritur nga një anë më tepër, e kthejmë tepsinë që të ngrihet edhe nga ana tjetër.
Pjekja
Një çerek ore para se të jetë gati buka e meshës, kemi ngrohur furrën 300 gradë.
Para se ta fusim meshën në furrë, me një gjilpërë metalike të gjatë, bëjmë vrima sipër saj, deri sa gjilpëra të prekë në fund, në këto pika të vulës: Në katër cepat e pjesës qendrore (Qengjit) dhe në periferi. Lëvizim pëllëmbën e dorës sipër në mënyrë rrethore, që të dalë ajri dhe e vendosim në furrë, duke e zbritur temperaturën në 250 gradë. Kur të ketë marrë ngjyrë e mbulojmë me letër të dyfishtë varaku dhe e zbresim në 200 gradë. E lëmë për 35 min. në 200 gradë dhe për 35 min. të tjera në 150 gradë. Pasi e fikim e lëmë brenda në furrë dhe 10 min. të tjera, që të ikë lagështia.
Tani del lehtë nga tepsia. E marrim dhe e vëmë brenda pecetës së pastër, e vendosim sërish brenda mbulesave. Gjithashtu, duhet pasur parasysh, enët që përdorim për këtë punë nuk i përdorim për asgjë tjetër.
Përgjigje pyetjeve
Asnjëherë nuk është e gatshme për proskomidhi një meshë e freskët dhe e patharë mirë. Duhet mjaft kohë që të thahet. Të paktën të jetë përgatitur një ditë më përpara.
Kur në duart tona marrim një bukë meshe, mbajmë diçka të shenjtë. Atë do ta përdorë prifti dhe do të kthehet gjatë Meshës Hyjnore dhe do të bëhet trupi i Krishtit. Le të lëmë shen Nikodhimin të na drejtojë në këtë veprim. Ky nxënës shpresëmirë, thotë Ungjilli, mbështolli brenda një çarçafi të pastër me aroma Trupin e Jisuit para se të varrosej. Kështu do të veprojmë edhe ne. Do të kujdesemi që të kemi një pecetë të bardhë të pastër, me një kryq të qendisur dhe brenda kësaj do të mbështjellim bukën e meshës. Pastaj, në një letër do shkruajmë “Për shëndet” dhe poshtë kësaj do vëmë në kollonë njeri pas tjetrit emrat e familjes sonë, të të afërmëve e miqve, emrat e atyre orthodhoksëve që gjenden në vështirësi, të atyre që na kanë kërkuar të lutemi për ta dhe akoma, në mënyrë të veçantë, emrat e atyre që na kanë mërzitur, na kanë ofenduar dhe na kanë padrejtësuar.
Në një letër të dytë “Për të fjeturit” do të shkruajmë emrat e të fjeturve. Tani jemi gati e do nisemi të çojmë dhuratën tonë në Kishë, mbasditen e një dite përpara në mbrëmësore ose ditën e Liturgjisë Hyjnore në mëngjes herët, gjatë orthrit.
Lutje para bërjes së meshës
Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. AMIN;
Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona (tre herë).
Trini e Tërëshenjtë, mëshirona; o Zot, falna mëkatet tona; o Zot i madh, ndjei paudhësitë tona; o i shenjtë, vështro dhe shëro sëmundjet tona, për emrin tënd.
Atiynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote, si në Qiell, ashtu dhe mbi dhe. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse dhe ne ua falim fajtorëve tanë dhe mos na shtjer në ngasje, por shpëtona nga i ligu.
Zot, të falenderoj për këtë orë të Shenjtë, që me duart e mia mëkatare më vlerëson të bëj Dhuratat e Tërëshenjta të dashurisë Tënde.
Të lutem na dërgo nga qielli Shpirtin tënd të Tërëshenjtë, që behon të gjitha Misteret e Kishës, të behoj dhe këto Dhurata, që të bëhen të mira e të pranueshme në Shenjtëroren Tënde të Shenjtë.
Dhe të lutem, ti pranosh ashtu siç pranove flinë e Abelit, lavdërimin e barinjve, dhuratat e magëve, lopët e Petros dhe pendimin e kusarit.
Dhe më vlerëso që të T’i dhuroj gjithmonë me ndërgjegje.
AMIN;