EmailFacebookKontakt

Shteti kthen në Manastir një pjesë të lipsaneve të Shën Joan Vladimirit

Më 12 prill 2021, dorëzimi i lipsaneve të Shën Joan Vladimirit, Mitropolitit të Elbasanit, Hirësi Andonit, në Manastirin që mban emrin e shenjtorit, në fshatin Shijon të Elbasanit, ishte një ditë e veçantë për besimtarët orthodhoksë. Ky akt u shoqërua me një marrëveshje të nënshkruar nga drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi dhe Hirësi Andoni.

Më pas, dy arkëzat që mbanin lipsanet e shenjta, iu dorëzuan Mitropolitit Andon nga ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Ato u vendosën në kishën e Manastirit, ku u krye një shërbesë për nder të tyre. Pastaj lipsanet u nderuan nga besimtarët e pranishëm.

“Gjatë gjithë historisë së saj, Shqipëria është karakterizuar nga bashkëjetesa fetare; kemi festuar festat e njëri-tjetrit dhe keni gëzuar me njëri-tjetrin. Asnjëherë feja nuk ka qenë faktor përçarës mes nesh dhe këtë shembull, që me krenari ia përçojmë botës, po e ndjekim edhe në raportin mes shtetit edhe fesë. Një raport që ka qenë fatal përgjatë diktaturës komuniste, kur me ligj shqiptarët e kishin të ndaluar të besonin në Zot. Por sot jemi në të tjera kushte dhe të gjithë jemi dëshmitarë për punët e mira që kemi bërë së bashku, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë komuniteteve fetare, përmes restaurimit të objekteve të kultit – monumente kulture. Rasti i sotëm është një tjetër dëshmi e vullnetit të përbashkët për të bashkëpunuar”, tha ministrja Margariti.

Hirësi Andoni shprehu falënderimet në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për plotësimin e kërkesës, që eshtrat e shenjtorit të vendoseshin në vendin që u takon. “Le të shpresojmë që ky bashkëpunim do të vijojë më tej”, u shpreh Mitropoliti.

Pjesa kryesore e lipsanit të shenjtorit qëndron dhe nderohet në Kishën tonë, por pjesë të tij qëndronin që prej shkatërrimit të kishave në zotërimin e shtetit.

Ka qenë një kërkesë e hershme që të gjitha lipsanet e shenjta t’i kthehen nderimit të besimtarëve orthodhoksë. Edhe në vazhdim do të këmbëngulet që të gjitha t’i kthehen përfundimisht Kishës. Dhe jo vetëm lipsanet, por edhe enët dhe librat e shenjtë, ikonat e gjithçka materiale që iu grabit kishave nga regjimi komunist.

Thoma Dhima