Më 11 shkurt, pikërisht në ditën e kremtimit të Hierodëshmorit Vlash, Kryepiskopi Anastas bëri bekimin e “Shtëpisë së Shpresës”.
“Shtëpia e Shpresës” ka pak muaj që ka filluar të jetojë me zërat e gëzuar të fëmijëve, të cilët jetojnë me shpresën dhe sigurinë e një jete në një familje. Në ceremoninë e Ajazmës ishin të pranishëm Kryepiskopi Anastas, dr. Çarls Linderman dhe familja e tij, klerikë, studentë të Akademisë Teologjike, të ftuar të tjerë të cilët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore etj. Në fund të ceremonisë Kryepiskopi Anastas iu drejtua të pranishmëve:
“Ëndrrën, e cila ishte objekt i lutjes sonë, që në ditët e para Perëndia na e bëri të denjë që ne ta shohim dalëngadalë të bëhet realitet. Kështu, kjo shtëpi e shpresës e fëmijëve u bë realitet. Sot ne i lutemi Perëndisë që mbarëvajtja e kësaj shtëpie të jetë në mbrojtjen e Tij, dhe nën Hirin e Tij.
Ka mungesa të mëdha në vendin tonë dhe ka shumë fëmijë që gjatë rrugës së jetës së tyre u mungojnë ato që ne të tjerët i kemi: ngrohtësia e një familjeje. Kjo që ne sot fillojmë këtu me Hirin e Perëndisë, që është një eksperiment nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet. Ne shpresojmë që kjo të bëhet një shembull dhe njerëz të tjerë të marrin iniciativa të tjera të ngjashme me këtë. Ne nuk përdorim për këtë institucion të njëjtat fjalë ose shprehje që përdorin edhe të tjerët. Do t’ju lutesha edhe ju të tjerëve që gjithmonë ta quajmë “Shtëpia e Shpresës”, pra shtëpia e fëmijëve që ka shpresë. Për të mbërritur në këtë ditë duheshin shumë përpjekje, shumë mundime dhe sakrifica. Në radhë të parë, unë nuk do ta merrja iniciativën në qoftë se nuk do ta dija që këtë ngarkesë do ta mbanin dy bashkëpunëtorët e mi të shkëlqyer, të dashurit e mi Çarls dhe Maria, të cilët pranuan që të marrin përsipër përgjegjësinë e kësaj shtëpie dhe të bëhen shembull për të gjithë zonën këtu. Atë që unë uroj nga zemra është që kjo shtëpi këtu të jetë një shtëpi shprese, gjithçka të qeshë brenda. Zjarri në vatër, fëmijët që jetojnë dhe lodrojnë në këtë shtëpi, vizitorët që vijnë këtu, por edhe sendet të marrin jetë dhe të tregojnë gëzimin e kësaj shtëpie. Atëherë le t’i vëmë edhe një emër tjetër, midis nesh kësaj shtëpie. Ta quajmë “Shtëpia e buzëqeshjes”. Dhe që kjo gjë të bëhet realitet nuk duhet vetëm përpjekja jonë. Pa bekimin e Perëndisë asgjë nuk mund të realizohet”.
Me rastin e ajazmës (bekimin e shtëpisë së tyre), fëmijët e “Shtëpisë së Shpresës” kishin përgatitur një program të bukur artistik për të pranishmit.
L.P.