Shtatë vjet më parë, më 1 qershor 2014, u krye Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Me ndërtimin e saj u rivendos në vend një e drejtë, pasi katedralja e mëparshme në qendër të kryeqytetit u shemb nga regjimi komunist.
Gjithashtu, Shërbesa e Shenjtërimit të saj afirmoi përsëri atë që dihej botërisht: rikthimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, si e barabartë mes të barabartëve. Këtë e dëshmoi pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore e të gjitha Kishave të tjera Orthodhokse.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore, Patriarku Ekumenik tha: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri… Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes përbën sot një provë, se Ngjallja është realitet, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimit ateist, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet”.
Kjo Katedrale është dëshmi e gjallë e arritjeve të Kishës sonë Orthodhokse në këto vite ringjalljeje nga gërmadhat, që i dedikohet veprës së jashtëzakonshme të Kryepiskopit Anastas.