EmailFacebookKontakt

Shqetësim për përdhosjen e përsëritur të objekteve kishtare

Shprehim shqetësimin, keqardhjen dhe indinjatën tonë për përdhosjen e radhës ndaj objekteve liturgjike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, një nga trashëgimitë më të mëdha të kulturës së popullit tonë.

Videoklipi muzikor “Picasso”, xhiruar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, para ikonostasit të Rehovës (që padrejtësisht nuk i është kthyer akoma Kishës Orthodhokse, nën pretekstin e “ruajtjes” së kësaj trashëgimie të çmuar”), është shenjë e dukshme mosrespektimi ndaj këtyre vlerave shpirtërore. Ky mjedis, për vlerat që pasqyron, është krejt i papërshtatshëm për promovimin e një lloji të tillë muzike.

Aty, në respekt të traditës dhe kulturës që i ka krijuar këto objekte të shenjta, do përshtateshin tingujt e Muzikës Bizantine dhe jo tinguj që i fyejnë ato dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Ikonat janë objekte liturgjike të shenjta, të cilave besimtarët orthodhoksë iu afrohen me nderim dhe respekt të veçantë. Prandaj, është e papranueshme dhe e dhimbshme, që ato të trajtohen në mënyrë të papërgjegjshme nga ato institucione, të cilat pretendohet se duhet t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë. Për këtë arsye kërkojmë përsëri, që ato t’i kthehen Kishës Orthodhokse (në bazë të Ligjit 10057, neni 22/2, datë 22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”), e cila jo vetëm i ka krijuar, por edhe i ka ruajtur me mund të madh ndër shekuj. Ikonat ruhen dhe mbrohen më mirë në ambientet kishtare, sepse janë objekte të shenjta liturgjike dhe pjesë e dukshme e shprehjes së Besimit orthodhoks.

Lutemi dhe shpresojmë që Ministria e Kulturës të tregohet e kujdesshme dhe e ndjeshme ndaj objekteve kishtare dhe të respektojë ndjenjat fetare të Komunitetit Orthodhoks, duke mos lejuar përdhosjen e tyre.

Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Tiranë, 12 maj 2022

“Dikur objektet kanë qenë religjioze, por në momentin që ato ekspozohen në muze, ai është i hapur për të gjithë, tani janë objekte artistike dhe jo më fetare.” dhe, më tutje: “Muzeu është institucion shtetëror laik, dhe nuk ka të njëjtat rregulla si një institucion fetar. Këto janë deklaratat përçart të drejtoreshës së Muzeut Mesjetar, ku ndodhi një përdhosje skandaloze e objekteve të shenjta orthodhokse.

Po a është kjo e vërtetë? Përtej Marrëveshjes midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Shtetit Shqiptar, përtej ligjeve në fuqi, që ndalojnë çdo lloj diskriminimi fetar (dhe ky është qartësisht i tillë), ekziston edhe një Kod i Etikës, i miratuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, ku dhe ne jemi pjesëtarë.

Në këtë kod, Kreu 2, paragrafi 4, thuhet: “Materiale me ndjeshmëri kulturore, koleksionet e mbetjeve njerëzore dhe materialet me rëndësi të shenjtë duhet të merren prej muzeut vetëm nëse ruhen në kushte sigurie dhe ndaj tyre tregohet respekt. Kjo duhet të arrihet në përputhje me standardet profesionale dhe në përputhje me interesat dhe besimin e pjesëtarëve të komunitetit, kombëtar apo fetar, nga ku e ka prejardhjen objekti, atëherë kur kjo prejardhje është e njohur.” Ndërsa në Kreun 4, paragrafi 3: “Ekspozimi i materialeve sensitive, thuhet Mbetjet njerëzore dhe materialet me domethënie të shenjtë duhet të ekspozohen në përputhje me standardet profesionale dhe, atëherë kur kjo dihet, duke marrë në konsideratë interesat dhe besimet e pjesëtarëve të komunitetit, kombëtar apo fetar, nga të cilët e kanë prejardhjen objektet….”

Pra duket qartë se janë shkelur të gjitha parametrat e mbajtjes së materialeve të shenjta në mjedise muzeore, duke mos marrë parasysh as besimin, as ndjeshmërinë fetare dhe as prejardhjen e tyre të qartë nga kishat orthodhokse, nga i mori përdhunshëm regjimi komunist.

Por, mbase, sikleti arrogant i drejtoreshës rrjedh nga fakti se zakonisht këto urdhra të papërgjegjshëm kanë rrjedhur nga zyra të Ministrisë së Kulturës, ku, me sa duket, as e kanë idenë e asaj që është ligjore dhe as që e vrasin mendjen ta mësojnë, derisa ngjarje të tilla janë përsëritur me një frekuencë shqetësuese.