EmailFacebookKontakt

Shpëtimtari ynë: “zoti krisht”

“Sot u lindi juve një Shpëtimtar, i Cili është Zoti Krisht” (Lluka 2:11)

Sado që kemi në dispozicion komoditete, që u mungonin brezave të mëparshëm, sado të admirueshme që të jenë arritjet njerëzore në ditët e sotme, në thellësi, të gjithë kërkojmë më shumë dritë, më shumë të vërtetë, më shumë kuptim në jetën tonë. Mundimet, sëmundjet, skamja, vdekja vazhdojnë ende të na sundojnë. E liga, me një mijë fytyra, shtrin rrjetat e saj dhe tiranizon qenien dhe shoqërinë njerëzore. Kemi nevojë për shpëtim.

E kremtja e sotme, me mënyrën e vet shpresëdhënëse, na siguron: “Sot u lindi juve një Shpëtimtar, i Cili është Zoti Krisht” (Luk. 2:11). “Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre” (Matth. 1:21).

Të gjithë sa u bëmë të denjë të besojmë te Krishti, e dimë se Zoti ynë nuk ishte thjesht një profet unikal, një mësues i papërsëritshëm, një përtëritës shoqëror, por, përtej dhe mbi të gjitha këto, Ai është Biri i Perëndisë së gjallë;

Ai që mori natyrën njerëzore, që e ngriti në lartësi të pakonceptueshme për intelektin njerëzor;

Ai që u bë njeri, për ta bërë njeriun Perëndi, “mori formën tonë dhe e hyjnizoi atë”.

Ai është Shpëtimtari i njerëzimit dhe i secilit prej nesh personalisht. Sigurisht, nëse do të duam të bëhemi pjesë të Trupit të Tij, të Kishës së Tij. Sepse Krishti është Shpëtimtar që respekton lirinë njerëzore dhe e bën njeriun me të vërtetë të lirë, të aftë që të ketë dashuri. Në figurën e Perëndinjeriut, gjinisë njerëzore i zbulohet Perëndia i pakuptueshëm si dashuri; dhe atyre që lidhen me Të u ofrohet mundësia thelbësore e dashurisë dhe e “komunikimit” të çdo personi njerëzor me Perëndinë Triadik dhe me njerëzit e tjerë që janë ikona të Tij.

* * *

Atij, pra, i Cili “erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarët” (I Tim.1:15), “t’u japë zë të mirë të vobektëve”, “t’u lëçisë skllevërve lirinë, dhe të verbërve t’u hapë sytë, edhe ata që janë në mundim, t’i dërgojë në liri” (Luk.4:18), i përgjërohet secili prej nesh, veçanërisht në këto të kremte, me mirënjohje dhe aspiratë:

Që të na shpëtojë nga mëkati ynë personal, i cili na robëron dukshëm ose fshehurazi.

Që të na çlirojë nga frika, ankthi dhe situatat pa rrugëdalje, që shpesh na rrethojnë.

Që të na lirojë nga egoizmi ynë i ndërlikuar, që na tiranizon dhe shkatërron mundësinë e komunikimit me njerëzit rreth nesh.

Që të na shpëtojë nga pasiviteti dhe mëlankolia, që na shpërqendrojnë.

Shpëtimtarit Krisht, I lutemi në veçanti këto ditë, për shoqërinë tonë:

Që të na mbulojë me dashurinë e Tij dhe të shërojë plagën e thellë të fëmijëve të luftrave dhe të përndjekjeve.

Që të shpëtojë rininë tonë nga idhujt e rremë, që me maskime moderne magnetizojnë masën e njerëzve, duke përdorur fuqinë e mjeteve të informacionit.

Që t’u japë durim dhe pritshmëri atyre që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, nga skamja apo vetmia.

Që të falë fuqi qëndrese, sa herë që e keqja imponohet, viciozët mbizotërojnë, padrejtësia sundon.

Që të frymëzojë ata që administrojnë çështjet e përbashkëta të jenë të ndershëm, të drejtë dhe të përgjegjshëm.

Që të shndërrojë shoqërinë tonë nga grup individësh, në “shoqëri dashurie” personash.

Atij, Shpëtimtarit, “i Cili është Zoti Krisht”, i drejtojmë lutje, duke I kërkuar të shpëtojë botën tonë.

Të shpëtojë popujt e dheut nga çmenduria e luftës dhe të stabilizojë paqen e brishtë në rajonin tonë. Të shpëtojë njerëzimin nga makinacionet e shumë të fuqishmëve, që etjen e tyre për pushtet e fshehin nën deklarata të bujshme dhe nën interesim hipokrit për begatinë tonë.

Të shpëtojë planetin tonë, krijesën që Ai na fali, nga shkatërrimi që i ka shkaktuar lakmia njerëzore, mania e fitimit dhe shfrytëzimi arrogant i natyrës.

* * *

“Sot u lindi juve një Shpëtimtar, i Cili është Zoti Krisht”. Iisui lind dhe bën shpëtimin e botës me një mënyrë të pazakontë. Me ardhjen e Tij të pazhurmshme në botë, me Grazhdin, me Kryqin. Në kundërshtim me mjetet moderne që trumbetojnë fuqinë, zhurmën dhe suksesin. E gjithë pamja e Krishtlindjeve ndriçohet nga zgjedhja dhe pranimi i pamundësisë nga vet Perëndia. Bota mbushet me shpresë nga buzëqeshja e një fëmije, e Iisuit të porsalindur, e Fjalës së Perëndisë dhe nga dashuria e heshtur e një nëne të re, Hyjlindëses, e Cila përfaqëson gjënë më të mirë që ka njerëzimi.

Iisui vjen të lindet sot në qenien tonë në të njëjtën mënyrë të pazakontë. Dhe të gjithë sa E pranojmë, zbulojmë se shpëtimi, brenda nesh dhe rreth nesh, nuk kryhet me trumbetime, por shpesh brenda përjetimit të heshtur të pamundësisë dhe të dashurisë. Misterin e Shpëtimit (që fillon me Trupëzimin e Fjalës së Perëndisë, që arrin kulmin me flijimin shpërblyes dhe Ngjalljen e Krishtit dhe përmbushet me lartësimin e natyrës njerëzore në fronin e Perëndisë) e përjetojmë në mënyrë mistike, të përulur dhe thelbësore, në çdo Eukaristi Hyjnore.

Por, Shpërblyesi, të Cilin vështrojmë sot me shpresëtari dhe aspiratë, i ka edhe Ai sytë tek ne. Dhe na thërret, që pas Eukaristisë dhe lutjes sonë, të bëhemi edhe ne bashkëpunëtorë në veprën që Ai kryen në Histori. Të jemi pjesëtarë të gjallë të komunitetit eukaristik të Kishës, të Trupit të Tij mistik, që vazhdon veprën e Tij shpëtimtare në botë. Kisha, ku bëjmë pjesë, nuk është një komunitet i mbyllur, që interesohet vetëm për shpëtimin e anëtarëve të saj. Eshtë e hapur ndaj gjithë botës. Dhuratat e Perëndisë, nuk i mban për vete, por ua ofron të gjithëve, pa përjashtim, të mirëve dhe të liqve, besimtarëve, besëpakëve madje edhe jobesimtarëve. Ajo jeton, vepron, lutet “për gjithë botën”. Dhe kjo “gjer në atë kohë që të vijë” (Kor. 11:26) përgjithmonë, Ai, Zoti.

Me këtë siguri të patundur të Shpëtimtari Krisht, i Cili erdhi dhe mbetet i bashkuar me njerëzimin dhe do të vijë përgjithmonë me fuqi dhe lavdi, për të sjellë “qiej të rinj edhe dhe’ të ri, në të cilët rri drejtësia” (II Petr.3:13), me këtë besim të pathyer se Ai është pandërprerë bashkë me ne, le të vazhdojmë, vëllezër, përpjekjen e jetës sonë që shpëtimi, të cilin na solli Ai, të bëhet më i prekshëm brenda nesh, në shoqërinë dhe botën tonë.

Krishtlindje të lumtura, plot ngazëllim, me ndjenjë të fuqishme të pranisë së Shpëtimtarit Krisht në jetën tonë, në jetën e botës.

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë

Prof. Dr. Anastasi