EmailFacebookKontakt

Shkollë Ungjillëzimi në Poloni

Njëzet e pesë përfaqësues, nga kisha orthodhokse, katolike dhe protestante, të Evropës qendrore dhe lindore, u mblodhën nga 9-16 tetor, për një “Shkollë Ungjillëzimi” 8-ditore. Takimi ishte organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave dhe Konferenca Evropiane e Kishave. Qëllimi ishte të nxitej lutja dhe mësimi i krishterë, gjatë të cilit pjesëmarrësit të përpiqeshin të kuptonin më mirë si të realizonin misionin kryesor të Kishës, duke ofruar një dëshmi të përbashkët në vendet e tyre.

“Ne diskutuam se si mbaroi periudha e ateizmit të ish-regjimeve komuniste, por tashmë një ateizëm i ri, i Perëndimit sekular, i ka dhënë pak kohë kishave tona të marrin veten”,- vuri në dukje At Luka Veronis, përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. “Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj situate duke ofruar lajmin e mirë të Dashurisë së Perëndisë në një mënyrë autentike dhe të sinqertë. Kështu, ne mund të përpiqemi të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, të pranojmë problemet që mund të shkaktojnë traditat tona të ndryshme, dhe të përpiqemi, me vullnet të mirë, të punojmë së bashku kur është e mundur. Kjo mund të bëhet nëpërmjet shërbimit të dashurisë për të afërmin tonë, si shprehje e dashurrisë sonë më Krishtin, nëpërmjet inigëtimit të përbashkët të jetës, në kërkim të së vërtetës, ose thjesht, në përpjekjen për të ofruar krah për krah një shembull jete të shenjtë në botë”.

Shkolla e Ungjillëzimit konsiston në atë se, misioni i vërtetë i krishterë është të shpallë, të paraqesë dhe dëshmojë nëpërmjet dashurisë lajmin e mirë të shpëtimit, të cilin Jisu Krishti u ofron të gjithë njerëzve nëpërmjet Kishës. Qëllimi i këtij lajmi të mirë është të transformojë njerëzimin nëpërmjet saj dhe ta bëjë atë të ri. Më tej, ky mision i shenjtë i kerygma (shpallja e lajmit të mirë), Liturgjisë (ndarja e lajmit të mirë nëpërmjet lutjes), martoria (të dëshmuarit e besimit tonë) dhe diakonia (shërbimi), realizohet duke respektuar lirinë e tjetrit.

Korresp. i “Ngjallja”