EmailFacebookKontakt

Shkolla e Muzikës Bizantine – rrugëtim i suksesshm 10-vjeçar

Shkolla e Muzikës Bizantine këtë vit mbush një dekadë nga themelimi i saj. Më 1 tetor 2012, ditën e kremtimit të mjeshtrit të madh të artit psaltik, shën Joan Kukuzelit, kjo shkollë çeli dyert dhe priti studentët e saj të parë. Si një shkollë e veçantë në arsimin kishtar, ajo përgatit psaltë profesionistë, që do të shërbejnë në kishat orthodhokse të Shqipërisë. Kjo shkollë është fryt i përpjekjeve inovative të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas dhe i bashkëpunëtorëve të tij, për të mundësuar kushte me standarde bashkëkohore dhe kualifikim sa më cilësor e profesional.

Përgjatë historisë nuk kemi ndonjë evidencë konkrete që të ketë ekzistuar një shkollë e mirëfilltë e Artit Psaltik në shqip për përgatitjen në nivel profesional të psaltëve ashtu si me shkollat simotra në Kishat e tjera Orthodhokse. Pas viteve 1990, me rënien e diktaturës dhe ardhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, muzika bizantine mori një hov të ri. Menjëherë filluan mësimet e muzikës bizantine, të cilat zhvilloheshin në kurse specifike nëpër enori, në Seminarin Hieratik, Akademinë Teologjike, licetë kishtarë (Sukth, Gjirokastër), si dhe në veprimtari javore të qendrave rinore. Por këto përpjekje nuk ishin të mjafueshme për t’iu përgjigjur nevojave të Kishës sonë. Prandaj, Kryepiskopi ynë vizionar themeloi Shkollën e Muzikës Bizantine, një institucion me rëndësi të veçantë për Kishën.

Pas 10 vitesh rrugëtim të vështirë artistik, në këtë shkollë janë kualifikuar mbi 50 psaltë, nën udhëheqjen e drejtorit dhe pedagogut të tyre të artit psaltik Ph.D.c Theodhor Peci dhe stafit pedagogjik të përkushtuar. Një pjesë prej psaltëve të diplomuar janë punësuar me kohë të plotë brenda Kishës, të cilët ushtrojnë funksionin e tyre liturgjik në Tiranë, Korçë, Berat, Pogradec etj. Ajo që vlen të theksohet është se shkolla është një vatër e rëndësishme liturgjike, nga ku përgatiten botimet e librave liturgjikë e muzikorë përmes një procesi gjithëpërfshirës të përkthimit, përshtatjes dhe kompozimit të teksteve poetike. Por shkolla është bërë edhe më prezente përmes korit bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”, jo vetëm gjatë adhurimit në Kishë, por promovohet edhe nëpër festivale, koncerte, shfaqje dhe veprimtari brenda dhe jashtë vendit.

Kjo dekadë rezultoi e suksesshme, e frytshme që na nxitin për perspektiva e sfida të reja, për vizion më largpamës për të siguruar vazhdimësinë dhe të ardhmen në veçanti të Shkollës së Muzikës Bizantine dhe në përgjithësi të artit psaltik në vendin tonë.

Dh. P.