Në vitet 60 Shkodra ka patur tri kisha orthodhokse, prej të cilave dy në qytet dhe një në fshat. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, si rrjedhim i ndryshimeve demografike, numri i banorëve orthodhoksë është shtuar mjaft, por ata nuk kanë asnjë kishë të tyren.
Në nëntorin e vitit 1990, pikërisht në Shkodër, u dha shkëndija e parë për ushtrimin e lirë të bindjeve fetare, të cilat përbëjnë një nga liritë dhe të drejtat themelore, të fiksuara në “Kartën e Helsinkit”. Por, realisht, në ushtrimin e riteve fetare, hasim shkelje të mënyrave të ndryshme. Zvarritja prej disa kohësh për të zgjidhur ndërtimin e kishës orthodhokse në Shkodër është një fakt i tillë. Kryesia e KOASH në Shkodër, ka vite që troket në dyert e Bashkisë së qytetit, por ka marrë vetëm premtime, sorollatje; ka marrë veç fjalë. Kjo bën që orthodhoksët e Shkodrës të ndihen të diskriminuar dhe aspak të barabartë me qytetarët e besimeve të tjera fetare. Atyre hapur iu mohohet e drejta e ushtrimit të riteve dhe bindjeve fetare. Shqetësimin e tyre, në formën e një peticioni, e kanë drejtuar në të gjitha instancat, deri tek presidenti, por asgjë.
Zgjidhjen e këtij problemi, orthodhoksët shkodranë e quajnë tepër urgjent. Ata nuk duan që kremtimet fetare t’i festojnë në sallën e kinemasë, apo në sallën e lojrave të fëmijëve, të marrë me qira. Eshtë e drejta e tyre, që, ashtu si besimtarët e tjerë, të mblidhen dhe t’i festojnë ato në mjedisin e tyre kishtar. Ka ardhur momenti që ky problem të zgjidhet, sepse kemi të bëjmë jo vetëm me njohjen e të drejtës së pronësisë, që i takon ligjërisht besimtarëve orthodhoksë, kishës së tyre, por dhe të drejtën e ushtrimit të lirë të bindjeve fetare në një shtet demokratik.
Ndaj, orthodhoksët shkodranë shprehin sërish pakënaqësinë dhe gjithashtu do të dëshironin që kishën ta ringrinin në tokën e saj.
Luiza Vujoshi