EmailFacebookKontakt

Shkodër – Dosjet e pronave flenë…

Shkodër

Dosjet e pronave flenë…

“Orthodhoksët e Shkodrës janë komuniteti më i diskriminuar në drejtim të kthimit të pronave. Në këta 20 vjet këtij komuniteti nuk i është kthyer asnjë pronë edhe pse janë marrë vendime ligjore në favor të tij.” Kështu u shpreh atë Nikolla Petani, i cili ka reaguar menjëherë pas deklaratës së myftiut të Shkodrës lidhur me pronat.

Pronat e pakthyera

Ish-varrezat orthodhokse pas urës së Bunës aktualisht janë një aktivitet asfalt – betoni, duke sjellë edhe ndotje të qytetit. Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave ia ka kthyer Kishës Orthodhokse, por ajo akoma është pronë e bashkisë dhe bashkia nuk vepron, ndërsa dosjet tona flenë në këtë institucion.

Ajo që dhe sot njihet me emrin “Shtëpia e Oficerëve” ka qenë kisha orthodhokse. Pushteti komunist prishi institucionet e kultit dhe kishën orthodhokse e ktheu në shtëpi të ushtarakëve dhe sot aktualisht aty ka disa biznese dhe për 44 vjet vazhdon

të hidhet valle e këndohet mbi një kishë. Aty ka dhe biznese e zyra pushtetarësh e partish politike, njëra prej të cilave është selia e PR-së në Shkodër. Vendi ku ngrihet sot kisha orthodhokse në Shkodër është e blerë me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas, ndërsa ambienti ku ajo ka qenë dikur përdoret prej 44 vjetësh prej të tjerëve.

Është i njohur problemi i ish-turizmit ose hotel Rozafës, ku ka 20 vjet që ka një proces gjyqësor mes pronarëve të truallit, komuniteti mysliman, komuniteti orthodhoks dhe familja Lacej. Janë 20 vjet gjyqe, ku Komisioni i Kthimit e Kompensimit të pronave ia ka kthyer Kishës Orthodhokse dhe pronarëve të tjerë. Por, ndërkohë ndërhyjnë institucione të tjera dhe shfuqizohen vendimet e hyjnë në fuqi të tjera me pronarë të tjerë. Shkodranët e dinë se kujt i përkiste më parë ky objekt dhe kujt i përket tani. Të gjithë janë njerëz të lidhur me pushtetin apo të afërm të tyre.

Një tjetër pronë e pakthyer e komunitetit orthodhoks në Shkodër është dhe lulishtja te spitali, ku kanë qenë varrezat orthodhokse. Ne kemi kërkuar kompensimin e kësaj prone, për të ndërtuar një klinikë diagnostikuese pas spitaleve, por kërkesa jonë ka rënë në vesh të shurdhër. Për secilin prej nesh është e dhimbshme që komunizmi i ktheu kishat në kazerma e klube kulture dhe sot ka akoma kisha mbi të cilat hidhet valle.

I bëjmë apel pushtetit qendror e vendor të mbajë premtimet e dhëna në gjithë këto vite për kthimin e pronave tona dhe të mos harrojë se komunitetet fetare janë një zë shumë i rëndësishëm për të gjithë vendin e veçanërisht për Shkodrën.

Ne kërkojmë vetëm zbatim të ligjeve dhe lutemi që këta njerëz të mos i kenë veshët e shurdhër dhe t’u hapen ashtu siç duan ata dhe në ato momente kur u duhet atyre, – ka theksuar atë Nikolla Petani.

Më tej ai ka përmendur ndihmesën e komuniteteve fetare në periudha të ndryshme, ku më 1997-n ishin ata që dolën nëpër rrugët e qytetit, duke u përpjekur të shuajnë ligësinë që ekzistonte apo në rastet e përmbytjeve të vitit të kaluar, ku kanë dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë për të dëmtuarit.