EmailFacebookKontakt

“Shkencat, teknologjitë në lulëzim dhe Orthodhoksia”

Një ngjarje tepër e rëndësishme për jetën e Kishës Orthodhokse, ishte Kongresi Shkencor Ndërkombëtar, organizuar nga Kisha e Greqisë, në datat 4 deri 7 tetor. Tema e tij ishte: “Shkencat, teknologjitë në lulëzim dhe Orthodhoksia”. Të gjithë sa morën pjesë, ishin plotësisht të një mendimi, se veprimtaria qe jo vetëm e një niveli tepër të lartë, por ishte dhe shumanshmërisht e dobishme. Dëshmi e suksesit të tij është fakti se mbetën të kënaqur jo vetëm dëgjuesit e pranishëm, por edhe referuesit, që ishin shkencëtarë të shquar. Të gjithë këta të fundit, shprehën në mënyrë spontane admirimin e tyre për spiritualitetin e Orthodhoksisë dhe çka është tepër e rëndësishme, e vunë veten e tyre, me sinqeritet dhe pa interes, në dispozicion të Kishës. Me këtë Kongres, Kisha hapi një portë komunikimi dhe vetë shkencëtarët deshën të komunikonin me njerëzit e Saj. Nga ana tjetër, njerëzit e Kishës shtuan dijet e tyre për të dhënat e fundit të shkencës, si për teorinë e shpërthimit të madh të Universit apo për hartografimin e genit.

Folësi i ftuar zyrtar i Kongresit, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, përshkroi në mënyrë të shkëlqyer qëndrimin e Kishës Orthodhokse përpara zhvillimit të vrullshëm të Shkencave egzakte. Fjalimin e tij e ndau në pesë pjesë: E para ishte: “Pohim, lavdërim”, ku theksoi, se për Orthodhoksinë është motiv për falenderim evolucioni dhe përparimi i shkencës. Pjesën e dytë e quajt: “Evidentim i rreziqeve dhe i limiteve”, ku nënvizoi se Orthodhoksia, kryesisht me ekzistencën e saj, me fjalën e saj, me jetën e saj, do të kujtojë përherë faktin se njeriu është një qenie metafizike dhe se arritjet e shkencave ekzakte nuk mund të përbëjnë qëllim në vetvete për gjininë njerëzore. Pjesën e tretë, Fortlumturia e Tij e kishte quajtur: “Bashkëpunim, kundërpagim” dhe theksonte, se përveç pohimit dhe të kujtuarit me mirëdashje të limiteve të shkencës, ekziston nevoja për reciprocitet dhe bashkëpunim. Pika e katërt: “Ftesë në rinovimin e fjalës dhe veprës kishtare”, i referohet nevojës së atyre që, duke i shërbyer Kishës në pozita përgjegjëse të saj, duhet të instruktohen në elementët e të rinj shkencorë… Pjesën e pestë dhe të fundit Kryepiskopi Anastas e quajti: “Kontributi i spiritualitetit orthodhoks në përpjekjet e shkencëtarëve”. Në këtë pjesë ai nënvizon, se kontributi i veçantë i Orthodhoksisë në zhvillimin e vrullshëm të dijeve shkencore, do të mbetet plotësimi i këtyre dijeve me kultivimin e dashurisë në të gjitha qëndrimet e saj.

Për dialogun ndërmjet Orthodhoksisë dhe Shkencës foli Kryepiskopi i Athinës Kristodhuli, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në Kongres. “Eshtë e nevojshme – tha ai – që duke kapërcyer frenimet e çfarëdollojshme, frikat e pajustifikuara, paragjykimet dhe afrimet zemërngushta, të ecim përpara në dialogun e mendjes me ndërgjegjen e dijeve shkencore me nevojën e besimit përmbi ndjenjën e arritjeve të sotme me arritjet e provuara në kohë. Ekziston bindja se ky dialog do të formojë brenda nesh ikonën e së vërtetës për natyrën e qenieve dhe, në veçanti, të njeriut dhe marrëdhëniet e tyre me Qenien Perëndi”.

Kongresi ishte i ndarë në pesë unitete. I pari i kushtohej krijimit të botës dhe se çfarë po ndodh në Univers, si formohet, çfarë po ndodh në hapësirën yjore. U theksua se referatet e këtij uniteti ishin të një niveli tepër të lartë, po kjo nuk përbënte pengesë për të patur edhe diferencime shkencore… Uniteti i fundit i Kongresit kishte të bënte me Mekanikën e Përgjithshme: edhe këtu u vunë re mosmarrëveshje ndërmjet shkencëtarëve. Diskutimet e tyre treguan vështirësitë që kanë shkencëtarët e degëve të ndryshme, për të konstatuar nëse në fund të fundit për të njëjtën çështje janë dakort ndërmjet tyre apo jo…

G.N.R.