Manastiri i Shën Vlashit, Durrës
“Shërbëtore të Krishtit – Gratë ofrojnë dashurinë e tyre”
Me bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, prej datës 17-30 gusht u mbajt Konferenca e tretë Kombëtare e priftëreshave dhe Seminari i dytë i grave orthodhokse, me temën: “Shërbëtore të Krishtit – Gratë ofrojnë dashurinë e tyre”.
Konferenca dhe Seminari i grave u mbajtën në mjediset e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash. Morën pjesë rreth 50 priftëresha dhe 80 gra, të cilat kishin ardhur nga të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Gjithashtu, një ndihmë të madhe në mbarëvajtjen e programit të përgatitur dhanë edhe vajzat e reja të diplomuara në këtë Akademi. Konferenca zgjati 3 ditë dhe ashtu si e përmendëm më lart qëllimi i saj ishte si të gjejmë mënyrën e veçantë për të qenë shërbëtorë të Krishtit. Për këtë ishte hartuar një program mjaft i ngjeshur, ku përfshiheshin biseda, diskutime të ndryshme dhe meditime që ndihmuan më tepër pjesëmarrësit të mendoheshin për këtë temë. Ne u kërkuam folësve tanë të na tregonin se si mund të bëheshim shërbëtorë të Krishtit në martesën tonë, me fëmijët tanë, në kishë dhe shoqëri.
Për realizimin e kësaj konference dhe seminarit ndihmuan një grup nga SHBA, të udhëhequra nga priftëresha Urani Ritsi. Ky grup përbëhej nga katër gra. Priftëresha Urani është e njohur nga të gjithë ne, ajo është gruaja e At Martinit, që ka shërbyer rreth 6 vjet këtu në Shqipëri. Ajo kishte një dëshirë të madhe të vizitonte përsëri Shqipërinë, dhe kështu erdhi përsëri për të ofruar diçka shpirtërore tek gratë shqiptare, të cilat e pritën me mall, gëzim e dashuri.
Gratë e tjera pjesëmarrëse të këtij grupi ishin priftëresha Fotini Stylianopoulos, profesore e gjuhës frënge. Ajo është një grua shumë aktive në kishën dhe në dioqezën e saj. Gruaja e tretë ishte Cleo Konstandin, dentiste dhe një besimtare e devotshëm e kishës së saj në Kaliforni. Ajo ka udhëtuar në shumë vende të botës, ka një zemër të madhe dhe gjithmonë ka qenë pranë personave që kanë pasur nevojë. Personi i katërt vjen përsëri nga Kalifornia, ajo ishte Melisa Lynch, e diplomuar në letërsi dhe më pas ajo mori një master në teologji. Të gjitha këto gra erdhën me një dëshirë të madhe për t’u njohur nga afrë me gratë shqiptare, për të ndarë me to përvojat e tyre, për të ndarë me to dashurinë e Krishtit dhe për t’u rritur së bashku shpirtërisht në një unitet të vetëm në trupin e Jisu Krishtit.
Ne dëgjuam fjalime interesante dhe studime Ungjilli mbi këto tema dhe pastaj diskutuam pikat tërheqëse. Një nga këto biseda ishte ajo e priftëreshës Fotini “Ekuilibrimi i të qenit priftëreshë, grua dhe nënë”, biseda e Cleo Konstandin “Të qenit një trup në Jisu Krishtin dhe përdorimi i dhuratave dhe talenteve të dhëna nga Perëndia”. Dëgjuam meditime mbi jetë shenjtorësh (femra) Maria Magdalena, Shën Anastasia, medituam mbi jetën e së Përmbishenjtës dhe se si mund të jetë shembull shërbimi (të qënit shërbëtore) për ne.
Morën pjesë në adhurim të përbashkët dhe personal. Kënduam së bashku, hëngrëm së bashku, morëm pjesë në projektin e punëdores – në të gjitha aktivitetet, në mënyrë që të kënaqeshim në shoqërinë e njëra-tjetrës. Gjatë seminarit të grave, grupi i grave të Amerikës pati mundësinë të vizitonte qytetin e Durrësit dhe të kalonte një mbrëmje të bukur me gratë e krishtera të këtij qyteti. Gjithashtu, ditën tjetër vizituan qytetin e Korçës dhe u kënaqën mjaft me jetën aktive me 200 gra të këtij qyteti. Edhe në qytetin e Tiranës ishte kisha e Shën Prokopit ajo që bashkoi këto gra me 100 gra besimtare dhe u ofroi një mjedis të ngrohtë dhe mbresëlënës. Bukurinë më tepër këtyre ditëve ia shtoi edhe pjesëmarrja e korit të Radio Ngjallja, i cili krijoi një atmosferë festive në ambientet e Akademisë Teologjike.
Vetë Kryepiskopi Anastas erdhi dhe nderoi këtë konferencë. Në përshëndetjen e Tij, theksoi rolin e gruas në kishë dhe në shoqëri. Dhe ai vetë dëshiron që gratë t’i shërbejnë kishës në role drejtuese. Kur seminari u zhvendos në Shën Vlash, Kryepiskopi gjithashtu u tha drejtuesve të shkollës, se ai dëshironte që vajzat e reja të kishin mundësinë të studionin teologji e më pas t’i shërbenin kishës në mënyrë të kënaqshme.
Data 30 gusht, shënoi mbylljen e këtij trainimi kaq të dobishëm për të dy palët. Ky grup u largua nga Shqipëria me përshtypjet më të mira për këto gra të krishtera, që janë gra të sakrificës, të durimit, të punës dhe të dashurisë. Ato jo vetëm dhanë përvojën e tyre, por edhe përfituan shumë nga kjo konferencë, dhe ishte kjo një nga arsyet që ato shprehën dëshirën për të ardhur në Shqipëri. Shpresojmë që takime kaq interesante dhe kaq të vyera të kemi edhe në të ardhmen.
Grupi i grave të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë