Në datën 14 gusht u krye Shërbesa e Bekimit të Themeleve të kishës së re të Shën Prokopit në Tiranë, u krye nga Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili së bashku me klerikë të kryeqytetit.
Më 30 prill 2023, Kryepiskopi Anastas priti në kishën e Shën Prokopit, në Parkun e Liqenit, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, i cili inspektoi nisjen e punimeve për rindërtimin e kishës. Kisha do të ndërtohet si dhuratë nga Biznesmeni Mihal Delijorgji.
“Pas një kalvari 30 vjeçar për çështje të pronës dhe të përdorimit, më në fund e kemi zgjidhur problemin, dhe të gjithë besimtarët do të kenë shumë shpejt një Kishë të re të Shën Prokopit…” do të thoshte Z. Veliaj.
Ndërsa Kryepiskopi Anastas tha: “Nëse gurët e saj do të kishin mundësi të tregonin, do na tregonin gjithë historinë e qytetit tonë; nëse do ishin magnetofona që do kishin mundësi të regjistronin, do na thoshin të gjithë historinë e qytetit tonë. I jemi mirënjohës kryetarit tonë të dashur, z. Veliaj, për përpjekjet që u bënë, të cilat i dhanë mundësi Kishës që pas 30 vitesh të rindërtohet në këtë vend. Shën Prokopi do jetë i hapur për të gjithë. Kisha e re do të jetë në harmoni me bukurinë e vendit këtu dhe të jetë diçka e veçantë për qytetin e Tiranës. Do të jetë në qendër të Tiranës, një vend i së vërtetës, një vend i dashurisë dhe një vend i së bukurës”.