EmailFacebookKontakt

Shenjtorë të Nëntorit

Martiret Kiriena dhe Juliana (1 nëntor)

Shkëlqyen në kohën e Perandorit Maksimian (286-305), në atdheun e tyre, në Kiliki, në pjesën juglindore të Azisë së Vogël. Kiriena rridhte nga qyteti i Tarsit, ndërsa Juliana nga qyteti bregdetar Rose. U kapën gjatë persekutimeve ndaj të krishterëve dhe iu bënë presione që t’u flijonin idhujve, por ato nuk u thyen, prandaj iu nënshtruan torturave. Konkretisht, Kirienës, për ta poshtëruar i rruajtën kokën dhe vetullat dhe i ngjitën në ballë një letër ku shkruheshin sharje të ndryshme. Pastaj e hipën mbi një gomar dhe e brodhën nëpër Tarso të zhveshur, ndërsa fëmijë rrugaçë e godisnin me shkopij dhe ushtarët e përqeshnin. Në këtë kohë, pasi iu lut Perëndisë që të mos dukej e zbuluar, u mbulua nga Hiri Hyjnor. Më pas të dy shenjtoret i çuan në Rose, ku i hodhën në zjarr.

[Në po atë periudhë, në mënyrë të ngjashme u poshtërua dhe u martirizua me anë të zjarrit edhe virgjëresha Manatho (ose Maratho), në Skithpojë, në veri të Jeruzalemit. Kremtohet me shenjtorë të tjerë më 20 tetor dhe 12 nëntor. Martirizimin e Shenjtores e përshkroi bashkëkohësi i saj Eusebi i Qesarisë.]

Shën Joan Përdëllimtari (12 nëntor)

Jetëshkrimi i tij i gjatë, por i rrjedhshëm, është një dënim i përgojimit. Kështu, ai nuk u besoi atyre që akuzonin priftërinjtë dhe nuk e dënoi oshënar Vitalin (11 janar), i cili hynte nëpër shtëpitë publike, duke u shtirë si imoral, por, në të vertetë i shpëtonte prostitutat nga mëkati (po të kishte pranuar ta akuzonte oshënarin do ta dënonin në mënyrë shembullore…). Përmenden, gjithashtu, shumë mrekulli të tij dhe fragmente impresionuese, që bënin të kthenin rrugë dhe të pasurit mëkatarë e të pashpirtët.

Shën Joani u lind në Qipro në vitin 555, prej eparkut të virtytshëm Epifan dhe Kosmisë. E edukuan dhe e martuan me zor, por shpejt i vdiqën edhe fëmijët, edhe e shoqja. Atëhere iu përkushtua Zotit dhe tërë pasurinë e vet e dha si lëmoshë. Bëri kaq emër, sa edhe pse ishte laik u hirotonis, kundër vullnetit të tij, si Patrik i Aleksandrisë (610). Shkëlqeu në fushat e bamirësisë, të dashurisë, të tolerancës, të përulësisë, sa që e njohën si të tillë dhe heretikët monofizitë, edhe pse i luftonte me ngulm. I nxitur nga vegime ai përdëllente në mënyrë ungjillore, domethënë bujarisht dhe në mënyrë “naive”, ndaj këshilltarët e tij u bënë të pakënaqur, kur gjoja gënjehej herë pas here nga mashtruesit. Por, ai nuk u thye dhe i ndihmuar nga Perëndia, nuk bashkëpunoi në rrëmbimin e parave kishtare.

Ndërtoi për të vobektët, padronët e tij, siç i quante, bujtina, spitale dhe shtëpi lindjeje. Gjithashtu, ngriti kisha dhe dy manastire. U kujdes edhe për refugjatët e ardhur nga Jeruzalem, pas pushtimit të tij nga persët (viti 614). Kështu, ofronte çdo ditë ushqim dhe strehe për 7500 veta. Grave u jepte ndihmë të dyfishtë. Për më tepër, dërgoi ushqime, para dhe njëmijë muratorë në Tokën e Shenjtë të shkretuar, si dhe pagoi për të liruar shumë robër. Proverbiale mbeten blerjet e njëpasnjëjta nga një pasanik të së njëjtës kuvertë, tepër të çmuar, të cilën ia falte shenjtorit, të varfer në jetën private. Shenjti e shiste dhe paratë i përdorte për të vobektët, pasaniku e shihte përsëri në treg, ia blinte dhe ia ridhuronte, Shën Joani e rishiste e kështu me radhë. Kush do të lodhej i pari? Pasaniku, duke blerë apo Shenjti, duke e shitur për bamirësi? Shën Joan Përdëllimtari u kujdes edhe për drejtësinë, madje vetë u jepte të drejtën atyre që ngatërroheshin në çështje të ndryshme. Në një periudhë urie të tmerrshme hodhi poshtë një propozim për hirotonisje simoniane të një të pasuri (simoniane quhet kur dikush paguan për t’u hirotonisur).

Kur persët organizuan një komplot në Aleksandri, komandanti i saj e bindi që të shkonte në Qipro, ku fjeti pas pak kohe (viti 619). Ndërsa e varrosnin në të njëjtin varr me dy episkopë të fjetut më parë, lipsani i tij lëvizi që të vendosej midis tyre! Një herë kundërmoi miro. Si bir i tij shpirtëror përmendet edhe Perandori Konstandin i tretë (viti 641).

Apostulli Filip (14 nëntor)

Me prejardhje nga “Vithsaidhaja e Galilesë” (Joani 12:21-45), ishte një nga Dymbëdhjetë Apostujt (Matth. 10:3, Marku 3:18, Lluk. 6:14, Vepr. 1:13). Menjëherë pas ftimit të tij në mision apostolik nxitoi dhe bindi mikun e tij Nathanail ose Vartholome (11 qershor), se kishin gjetur Mesinë e shumëpritur (Joani 1:44-48). Para shumëfishimit të pesë bukëve, Mësuesi, duke vënë Filipin në provë, e pyet se ku do të blenin aq bukë për gjindjen. Dhe Filipi, nga ana e tij, u habit se ku do të gjendeshin aq para për të blerë bukët (Joani 6: 5-7). Më vonë disa grekë që kishin përqafuar judaizmin lutën apostullin (me emër grek: Filip = mik i kuajve), të takoheshin me Zotin.

Filipi dhe Andrea i Parëthirruri (30 nëntor) dëgjojnë nga Perëndinjeriu se “erdhi ora që të lavdërohet Bir i njeriut” (Joani 12: 20-23). Gjatë Darkës Mistike Krishti, duke marrë shkas nga lutja e Filipit që t’iu tregonte Atin, shpall njeqenshmërinë e Tyre: “Kush ka parë mua, ka parë Atin…” (Joani 14: 8-11). Apostulli, i cili sipas traditës kishte tri vajza, predikoi në Azinë e Vogël, në Parthi, në juglindje të Detit Kaspik, në Snothia, në veri të Detit të Zi dhe veçanërisht në Armeni, në mes persekutimesh e torturash. Ka kryer mrekulli, madje ka ngjallur një djalosh të vdekur.

U martirizua, ndofta, në kohën e Perandorit Trajan (viti 98-117 pas Krishtit), në Hierapol të Frigjisë, në jugperëndim të Azisë së Vogël. U kryqëzua kokëposhtë dhe ndërsa po jepte shpirt, një tërmet fundosi nënkonsullin dhe të tjerë, sa që ata që shpëtuan, të trembur çvarën të gjallë apostullin Vartholome dhe motrën e Filipit, virgjëreshën Mariamni (17 shkurt), të cilët e ndihmonin Filipin gjatë udhëtimeve të tij dhe u kryqëzuan bashkë me të. Të dy ata varrosën trupin e tij dhe më pas Mariamni veproi në Lindje, në Likaoni, ku dhe fjeti, ndërsa Vartholomeu në Indi.

Andrea i Parëthirruri (30 nëntor)

U thirr i pari ndër të Dymbëdhjetët. Ishte peshkatar, i bir i Jonasë, si dhe apostull Petri (29 qershor), të cilin e çoi tek Mesia. Banonte në Kapernaum të Gjenisaretit (Marku 1:29), por prejardhja e tij ishte nga Vithsaida e afërt. Nxënës i Pararendësit (7 janar), ndoqi pas Krishtin dhe bashkëbiseduan kur Ai u tregua prej tij si “Qengji i Perëndisë” (Joani 1:35:45).

Dy vëllezërit braktisën që të gjitha, sapo Shpërblyesi i ftoi përfundimisht në misionin apostolik (Matth. 4: 18-20 etj). Para ngopjes së pesëmijë vetave ai u bë pesimist: Si do të mjaftonin ato pak ushqime? (Joani 6: 8-9). Së bashku me bashkvendasin e tij, Apostullin Filip (14 nëntor), takoi disa grekë me Zotin (Joani 12: 20-23).

Misionin e tij të shenjtë e mësojmë nga ndërthurja e traditave: Predikoi bashkë me Petrin në Pont (Sinop, Amiso, Trapezuntë) të Azisë së Vogël. Në sinop disa njerëz të egër e linçuan, madje njëri prej tyre i kafshoi dhe i preu një gisht, por Iisui e shëroi plotësisht. Dhe ata njerëz e besuan dhe ai i pagëzoi. Më pas veproi në Snothia (në jug të Rusisë, ku e nderojnë si ndriçues të tyre), në Thrakën Lindore, domethënë në pjesën Evropiane të Turqisë së sotme, ku u bë episkop i parë në Bizant dhe hirotonisi si pasardhësin e tij apostullin Stahi (31 tetor). Më pas vazhdoi në Greqi, deri në Patra, ku banorët besuan pas shërimeve që ai kreu. Shëroi edhe një shërbëtor të Maksimilis, gruas të nënkonsullit romak dhe më pas atë vetë. Duke u bërë besimtare, ajo u nda nga burri i saj idhujtar, i cili i egërsuar kryqëzoi Shën Andrean (=burrëror) kokëposhtë.

Në vitin 357 Shën Artemi (20 tetor), me porosi mbretërore, transferoi lipsain e tij në Konstandinopojë (kremtohet më 20 qershor). Koka e tij e nderuar u transferua më 20.6.1460 nga Patra në Romë dhe u kthye përsëri më 26 shtator 1964, (transferimi i dytë).

Shenja X në flamurin e Britanisë, mburoja e Skocisë, është kryqi i Apostullit, mbrojtës i skocezëve, të cilët u krishteruan nga një murg i një manastiri romak, që kishte emrin e tij (shek VI).

At Ju.