Shën Vasili i madh eshtë lindur në Qesari të Kapadokisë prej prindërish të krishterë. E ëma e tij, Emilia, dhe gjyshja e tij, Makrina, i dhanë që në fëmini një edukatë të zgjedhur të krishterë. Mësimet e para i bëri pranë babait të tij Vasilit, i cili ishte mësues i retorikës në Neo-Qesari, ku u njoh dhe lidhi miqësi në Konstandinopojë dhe dëgjoi kurset e oratorit të shquar, Liban, i cili mbeti i habitur me cilësitë shpirtërore të nxënësit të tij, me të cilin vazhdoi të lidhej me korrespondencë edhe pas mbarimit të kurseve. Që këtij shkoi pastaj në Athinë për të përvetësuar sa më mirë gjuhën greke. Në Athinë takoi dhe mikun e tij Grigorin nga Nazianzi, i cili e ndihmoi mjaft, si më i vjetër që ishte dhe i njihte njerëzit. Me Shën Grigorin, Vasili kaloi jetën së bashku tërë kohën sa qëndroi në Athinë dhe merreshin vesh njëri me tjetrin aq mirë sikur që të dy kishin një mendje dhe një zemër.
Duke folur për jetën e tyre të asaj kohe, Shën Grigori thotë: “Që të dy bashkë njihnin vetëm dy rrugë, atë që të çonte në Kishë dhe shërbyesit e saj të shenjtë që kryenin misteret e shenjta dhe ushqenin tufën e Krishtit me bukën e jetës dhe atë që të shpinte në shkollat dhe ata që na jepnin mësime. Ua linin të tjerëve rrugët që shpinin në teatrot, në shfaqjet e në vendet e degjenerimit. Preokupimi ynë qe sidomos shenjtërimi, qëllimi ynë i vetëm që të quhemi të krishterë dhe të jemi të tillë me të vërtetë. Kjo qe përpjekja jonë më e lavdishme”.
Aq të gjera e të thella qenë njohuritë e tij në filosofi, në letërsi, në poezi, në shkencat natyrale dhe në mjekësi që jo vetëm kolegu, po shpesh edhe profesorët e tij i drejtoheshin atij, kështu që ai ishte një farë pusi i pashterur i dijes dhe qe lutur të mbetej profesor në Athinë. Mirëpo ai u kthye në Qesari, në vendlindjen e tij të dashur ku bapi një shkollë retorike dhe u muar me studimin e Shkrimit të Shenjtë dhe me shkrimet e etërve që kishin qenë para atij. Duke parë rrezikun në të cilin e nxitnin lëvdatat dhe ankesat që korrte, vendosi ta lërë botën dhe të përqafojë jetën monakale. Ua shpërndau të vobektve gjithçka pati, veshi rason e murgut dhe filloi udhëtimin nëpër Siri, Mesopotami dhe Egjipt që të vizitonte manastiret e murgjërve dhe të murgeshave, për të njohur së afërmi jetën monakale. I kthyer nga udhëtimi, themeloi një manastir në Pont, të cilin e organizoi në mënyrë të tillë që u shërbeu si model manastireve në të ardhme dhe jetoi në të duke studiuar në thellësi Shkrimet e Shenjta.
Në moshën 35-vjeç u hirotonis prift në Qesari dhe pas 6 vjetësh u zgjodh episkop i Qesarisë. Mirëpo, s’qëndroi shumë në këtë detyrë, veçse 9 vjet sepse në vitin 379 ndërroi jetë në moshën 51 vjeç.
Si episkop Shën Vasili i pasoi fjalimet e tij të shquara në çdo rast, me vepra të gjalla, me një energji dhe punë organizative të mrekullueshme për të varfërit e nevojtarët dhe me një zell e guxim pa kufi në mbrojtjen e orthodhoksisë.
Me fjalimet e tij ai zbutte zemrat e pasanikëve, që t’u vijnë në ndihmë nevojtarëve në periudhën e një zije të madhe që bënte kërdi në Qesari. Nga pasuria e Kishës themeloi një spital të madh, të cilin e vizitonte shpesh e ngushëllonte të sëmurët. Kundër herezisë ariane luftoi me këmbëngulje, por edhe me dinjitet. Perandori Valene, i cili e mbronte atë herezi, shihte tek ai kundërshtarin më të rreptë, por njëkohësisht dhe e respektonte për cilësitë e tij të larta. Memorial ka mbetur diskutimi që Shën Vasili ka patur me prefektin Modest të dërguar nga Perandori për ta imponuar që të pajtohej me arianët. Kërcënimeve të prefektit, Shën Vasili u dha këtë përgjigje: “Kot më kërcënon me konfiskimin e pasurisë, sepse nuk ke për të gjetur tek unë veçse disa veshje të përdorura dhe disa libra. Nga internimi nuk kam frikë, sepse do të bashkohem më shpejtë me Krijuesin tim, për të cilin jetoj”. Në kërcënimin e Modestit që “asnjë episkop s’më ka folur më këtë mënyrë”, Shën Vasili u përgjigj: “Ndofta s’do të kesh takuar ndonjë herë episkop orthodhoks”. Modesti i dha një kohë prej një dite që të mendohej, por Shën Vasili i tha: “Kot e shtyn çështjen. Edhe nesër unë do të jem ai që jam edhe sot”.
Megjithatë, Shën Vasili u internua, por, meqë një fëmijë e perandorit u sëmur rëndë papritur dhe perandoresha e konsideroi këtë si dënim nga Perëndia për internimin e padrejtë të Shën Vasilit, ai u lirua nga internimi dhe fëmija e perandorit u shërua me bekimin e tij.
Shën Vasili ndërroi jetë më 1 janar të vitit 379 pas Krishtit. me këto fjalë në gojë: “O Zot në duart e tua po dorëzoj shpirtin”. Dhe Kisha jonë po më 1 të janarit, po e përkujton me nderim vit për vit e do ta përkujtojë gjer në mbarim të shekujve.
Nga ai kanë mbetur një shumicë shkrimesh e fjalimesh ndër të cilët më të shënuara janë: një vepër “Për të 6 ditët e krijimit të botës”, në të cilën vihet re pasuria e shumëllojshmëria e njohurive të tij edhe “Mesha Hyjnore” që mban emrin e tij dhe që është një përmbledhje më e shkurtër e meshës së Apostull Jakovit, vëllait të Zotit dhe episkop i parë i Jerusalemit.