Zoti tha: “Mësoni nga unë, sepse jam i butë dhe i përulur në zemër.” Prandaj shpirti im lodhet ditë e natë dhe i lutem Perëndisë e gjithë shenjtorëve në qiell, dhe të gjithëve juve, që keni arritur ta njihni përulësinë e Krishtit: lutuni për mua. Lutuni që shpirti i përulur i Krishtit, për të cilin shpirti im vajton me mall, të zbresë mbi mua. Unë nuk mund të bëj ndryshe, veçse ta kërkoj me zjarr këtë përunjësi, të cilën shpirti im njëherë e njohu me anë të Shpirtit të Shenjtë, por unë e humba këtë dhuratë dhe kështu shpirti im e kërkon atë me lot.
O Zot, në shumicën e mëshirave të Tua, falna një shpirt të përulur, që shpirtrat tanë të mund të gjejnë prehje tek Ti.
E Tërëshenjta dhe e hirshmja Nënë e Perëndisë,
Lutju Perëndisë që të na bëjë të përulur në shpirt.
Të gjithë ju shenjtorët që banoni në qiell dhe shikoni lavdinë e Zotit e shpirtrat tuaj gëzohen, lutuni, që edhe ne të mund të jemi me ju, sepse shpirti im, gjithashtu, i kënaqur do të shikonte Zotin dhe do ta kërkonte përulësisht, duke e njohur vetveten të padenjë për një bekim të tillë.
O Zot i mëshirshëm,
me anë të Shpirtit tënd të Shenjtë, mësomë përulësinë Tënde.