Lindi në shekullin III nga prindër të krishterë në Patara të Azisë së Vogël jugperëndimore. Të mërkurat dhe të premtet nëna i jipte për të pirë vetëm në darkë. Mbeti jetim që i ri dhe jetoi si murg duke bërë vepra të mira dhe mrekulli. Midis të tjerash kur një i pasur që ishte varfëruar mendonte të nxirrte tre bijat e tij në prostitution me qëllim që të mund të jetonin shenjti që kishte hirin të parashihte gjërat shkoi natën fshehurazi dhe hodhi flori në shtëpinë e tij. Kështu ai prind martoi vajzën e tij të parë. E njëjta gjë u përsërit edhe me vajzën e dytë, derisa herën e tretë prindi, të cilit i ishte bërë kjo bamirësi dhe që ishte shumë mirënjohës, duke përgjuar e pa oshënarin, i cili i kërkoi që të mos tregonte asgjë. Herë të tjera, ngaqë kërkuan ndihmën e tij, qetësoi tre herë furtuna ose duke udhëtuar, ose duke u shfaqur në mënyrë të çuditshme dhe duke u zhdukur përsëri. Për më tej, ngjalli një marinar, që kishte vdekur në një aksident. Me nxitje të engjëllit e hirotonisën episkop të qytetit Mira, ku deri atëherë shërbente si prift. Shkriu duke ndriçuar për grigjën e tij, saqë në persekutimin gjatë sundimit të perandorit Dioklician (284-305) e rrahën, e sakatosën dhe e burgosën, por gjatë sundimit të Konstandinit të Madh u lirua. Me lutjen e tij rrëzoi një altar pagan. Në Sinodin e Parë Ekumenik, të mbledhur në Nikea në vitin 325, për shkak të indinjatës së shenjtë, qëlloi me shuplakë kryeheretikun Arius. Tre ushtarakë të dënuar me vdekje për shkak të shpifjeve të thurrura kundër tyre iu drejtuan në lutjen e tyre Shën Nikollës. Atëherë Shën Nikolla iu shfaq në ëndërr Perandorit Konstandin i Madh dhe qeveritarit Avlavi, duke u bërë të qartë pafajësinë e ushtarakëve. Kështu shpëtuan dhe u bënë murgjër.
Shën Nikolla fjeti në paqe në moshë shumë të madhe. Mrekullitë e tij janë të shumta. Kështu, një njeri që rrëshqiti në det në kohë stuhie, thirri në ndihmë Shën Nikollën dhe menjëherë u gjend në shtëpinë e vet ndërkohë që rrobat e tij kullonin ujë deti! Shën Nikolla, pra, është mbrojtësi i marinarëve, i nderuar në të gjithë botën. Lipsani i tij venerohet në Bari të Italisë.
Kremtohet në 6 dhjetor, ndërsa në 20 maj kujtohet vendosja e lipsanit të tij në Bari në vitin 1087, që të mos shkatërrohej nga pushtuesit turq.