Shën Nikolla, ose siç themi ne shqiptarët, Shën Kolli, lindi në vitin 270 pas Krishtit në qytetin Paratara të Azisë së Vogël, nga një familje fisnike e pasur dhe besnike e Krishtit. Që në moshë të re ai mbeti jetim dhe zotëronte një pasuri të madhe, të cilën, si i krishterë i devotshëm, me një shpirt të madh e të ndjeshëm, e përdori për vepra bamirësie.
I dhënë me mish e me shpirt pas fesë së krishtere Shën Kolli vizitoi vendet e shenjta ku kishte shkelur këmba hyjnore e Shpëtimtarit, Zotit Perëndisë sonë Iisu Krishtit, dhe pas kësaj u dorëzua prift. Me vdekjen e Kryepiskopit të Mirrës së Likisë Shën Kolli u zgjodh Kryepiskop në vend të tij me pëlqimin e të gjithëve. Gjatë jetës së tij baritore ai ngriti një sërë institucionesh bamirësie, si shtëpi për të varfërit e jetimët, spitale për të sëmurët e varfër, shtëpi për pleq pa përkrahje etj., duke shpenzuar të gjitha pasuritë që kishte. Dinte të sillej mirë me të gjithë dhe kishte fituar dashurinë e të gjithëve.
Shën Kolli jetoi e ushtroi detyrën e tij episkopale në një nga periudhat më të vështira për krishtërimin, në kohën e Dioklecianit, që i përndiqte në mënyrën më të egër e më barbare të krishterët, sidomos barinjtë e tyre shpirtërorë, episkopët e priftërinjtë. Kryepiskopi besnik i Mirrës nuk u tremb aspak nga përndjekjet e perandorit pagan romak, po përkundrazi e shtoi edhe më tepër veprimtarinë e tij fetare, duke predikuar veprën e Krishtit. Për këtë arsye e burgosën dhe e keqtrajtuan, por ai nuk u ep, derisa në fuqi erdhi i pari mbret i krishterë, Shën Konstandini i Madh. Ai i dha liri të plotë krishtërimit, i cili në këtë kohë ishte përqafuar gati nga i gjithë populli në perëndim dhe në lindje të perandorisë romake, pavarësisht nga përndjekjet, vrasjet, burgosjet dhe keqtrajtimet e pushtetarëve paganë romakë. Në këtë kuadër u lirua nga burgu edhe Kryepiskopi i shenjtë i Mirrës së Likisë, i cili u prit me gëzim të madh nga grigja e tij. Ai vazhdoi të ushtronte detyrën e tij kryepiskopale dhe të mbronte interesat e të gjithë nevojtarëve nga padrejtësitë që mund t’u bëheshin. Mori pjesë në Sinodhin e Parë Ekumenik të Nikesë, ku mbrojti me zell mësimin e vërtetë të Kishës së bashku me Etërit e tjerë të saj.
Ndërroi jetë në moshë të kaluar, por megjithëse shëndetdobët vazhdoi deri në fund të kryente me devotshmëri të krishterë detyrën e tij. Duke e kuptuar se po vdiste, tha këto fjalë: “O Zot, në duart e tua po jap shpirtin tim”. Lajmi i hidhur për vdekjen e tij u prit me pikëllim të madh nga të gjithë besimtarët e grigjës së tij. Lispsani (Trupi) i tij i shenjtë ndodhet në Kishën e Shën Nikollës në qytetin e Barit në Itali, dhe nderohet dhe përkujtohet me nderim të madh nga të krishterët orthodhoksë e katolikë.