EmailFacebookKontakt

Shën Nikodhim Agjioriti në lidhje me fallin dhe parashikimet e demonëve

Cili është shkaku i këtij fenomeni.

Marrë nga: Fjala për llojet e ndryshme të magjisë.

Do të pyesni përse disa herë dalin të vërteta disa parashikime të demonëve?

a) Meqë nuk besoni pa u lëkundur te Zoti dhe vetëm tek Ai, por u besoni edhe demonëve. Kështu, për shkak të pabesisë suaj, Perëndia e lejon të bëhen ato që demonët parashikojnë.

b) Meqë kur shkoni te demonët dhe kërkoni ndihmën e tyre bëheni edhe vetë shërbëtorë të djallit, hyni nën pushtetin e tyre. Kështu, ai mund të bëjë çfarë të dojë me ju. Pra, ato që ju thotë edhe i bën, si një kriminel që e skllavëron një njeri dhe nëse i thotë se do të jetojë, do të jetojë. Por nëse i thotë se do të vdesë, do të vdesë. Sepse është në dorën e keqbërësit të bëjë të dyja këto gjëra.

Shën Joan Gojarti na thotë: “Le të supozojmë se një princ e braktis pallatin e tij, shkon në vend të shkretë dhe hyn me dashjen e tij nën pushtetin e një kryetari bande. Më thuaj, a mundet kryetari i banditëve t’i thotë që në fillim me siguri nëse do të jetojë apo do të vdesë? Sigurisht që mundet! Por jo meqë e parapa të ardhmen, por meqë, duke u bërë zotëria i princit, ka mundësi t’i bëjë çfarë të dojë – ta vrasë, ose t’i falë jetën”.

Prandaj, vëllezërit e mi të krishterë, mos i besoni parashikimeve të demonëve, sepse në realitet nuk njohin më parë asgjë. Vetëm te Zoti të keni besim të thellë dhe Ai do t’ju shfaqë ato që keni nevojë për të ditur.

c) Të krishterët nuk duhet t’i kenë frikë djallit dhe demonëve.

Përse, o të krishterët e mi, me magjitë e ndryshme ia bëni qejfin djallit? Ai nuk ka pushtet e fuqi të shkaktojë as tundimin më të vogël. Përderisa Krishti u mishërua, djalli e humbi pushtetin e tij tiranik. Krishti i bërë njeri ia dërrmoi kryet dhe i la vetëm bishtin ta lëvizë, vetëm që të ushtrohen dhe të kurorëzohen besimtarët.

Tani, vetëm me anë të mashtrimeve i kap njerëzit në kurth me ligësi dhe jo si tiran, siç ishte më parë se të vinte Krishti. Pra, vetëm mendime të këqija mund të na vendosë në mendje, por varet nga vullneti ynë nëse do t’i pranojmë ose do t’i dëbojmë.

Asnjë tundim, nuk mund t’i ndodhë njeriut, nëse nuk e lejon Perëndia. Më kot, pra, i merrni me të mira demonët me anë të magjive, sepse nuk mund të bëjnë asgjë pa lejen e Perëndisë.

d) Që të ruheni nga magjitë dhe energjitë demoniake, duhet të mbani të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, burra e gratë varur në qafen tuaj Kryqin e Nderuar. Demonët dridhen nga frika kur shikojnë Kryqin dhe ikin sa më larg tij.

Nga ana tjetër, siç e pohojnë vetë demonët te shenjtorët që kanë pushtet ndaj frymërave të këqija, tri gjëra kanë frikë më shumë: Kryqin, Pagëzimin e Shenjtë dhe Kungimin Hyjnor.

Gjithashtu të keni në shtëpinë tuaj, por edhe me vete gjithmonë, Ungjillin e Shenjtë dhe natyrisht ta studioni. Në shtëpinë ku ka Ungjill, djalli nuk futet dot.

Çiftet e martuara duhet të rrëfehen dhe të kungohen me Misteret e Panjollshme. Mbi të gjitha, ata duhet të kenë besim të fortë dhe të palëkundur në Zotin dhe Ai do të shpërbëjë të gjitha veprimet e demonëve.

Nëse për besimin e paktë të disa të krishterëve, demonët shfaqin fantazma, qoftë nëpër varre, qoftë në shtëpi apo gjetkë, të thirret prifti, të bëhet ajazma dhe të spërkatet vendi.

Kështu, me anë të Hirit Hyjnor, shpërbëhet çdo energji demoniake. Në fund, kur një i krishterë duhet të ndërtojë një shtëpi apo një varkë, le të ftojë priftin t’i bëjë ajazmën dhe të lexojë uratën e duhur të Kishës në këto raste.

Përktheu A. B.