Të “mbyllur” quhen oshënarët që mbylleshin në qeli të ngushta ose në shpella dhe nuk dilnin fare përjashta tyre. Eshtë fjala për një formë mbinjerëzore ushtrimi të besimit. Ndërsa Neofit do të thotë: ai që u mboll rishtas. Kështu quheshin në Kishën e Vjetër ata që sapo pagëzoheshin.
Shën Neofiti, lindi në vitin 1137 në Amatundë të Qipros, prej prindërish të varfër, por shumë besimtarë. Që në moshë të njomë ai filloi të punonte në kultivimin e vreshtave. E fejuan në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, por fejesa u prish dhe oshënari hyri në një manastir në afërsi të Nikosisë, ku mësoi të shkruajë, si dhe mësoi përmendësh tërë Psaltirin.
Pas shtatë vjetësh u nis të bënte një pelegrinazh në Vendet e Shenjta dhe rrezikoi për shkak të një furtune të madhe. Duke mos gjetur vend të përshtatshëm qetësie shpirtërore, u kthye në manastirin e tij, por shpejt vendosi të lundrojë për në Azinë e Vogël dhe të hyjë në malin e murgjërve – Latros. Gjatë udhëtimit, në Pafos të Qipros i vodhën paratë e udhëtimit. Ndaj qëndroi jashtë qytetit dhe në një vend panoramik, në një anë humnere, gërrmoi një shpellë dhe u mbyll në të. Gradualisht në atë vend u krijua një manastir – me aktivitet të çmuar deri sot – të cilin e drejtonte me dashuri.
Që në moshën 36-vjeçare qe prift. Në moshën 64-vjeçare gërmoi dhe krijoi shpellën e dytë, më lart, që të gjejë qetësi nga pelegrinët e shumtë. Kur qe duke e përfunduar, shpëtoi për mrekulli nga një shkëmb që u rrokullis nga lart.
Të dyja shpellat komunikonin midis tyre me anë të një çarjeje, për të dëgjuar shërbesat dhe për të marrë Kungatën Hyjnore. E vazhdoi jetën e mbyllur deri në fjetjen e tij (22.4.1219).
Varri i tij, të cilin e kishte hapur vetë, ishte i panjohur nga viti 1571 deri më 27 shtator 1750, kur u rizbulua rastësisht dhe lipsani i tij i shenjtë u çua në kishën e manastirit ku dhe ruhet.
Shenjti shkroi Dhiatën Tipike, domethënë kanonizmin për vëllazërinë e tij, si dhe 15 vepra të ndryshme shpirtërore, vepra që kanë dhe vlera të mëdha letrare.
Gjetja e lipsanit kremtohet më 27-28 shtator, ndërsa kujtimi i tij më 12 prill.