EmailFacebookKontakt

Shën Mitrofani – kryepiskop i Konstandinopojës (4 qershor)

Shën Mitrofani, ishte djali i Dometit, vëllait të perandorit Probus (276-282). Këta ishin ilirë nga Panonia. Hiri i Perëndisë bëri që Dometit t’i hapeshin sytë dhe të shikonte marrëzinë e kulteve të idhujve. Kështu, ai u bë i krishterë dhe u pagëzua. Pastaj ai u largua nga vendi i tij dhe shkoi e u vendos në Bizant, qytet atëherë pothuaj i panjohur, së bashku me të dy bijtë e tij Mitrofanin dhe Probusin. Atje, ai zuri miqësi të madhe me peshkopin e qytetit Titin, i cili ishte një njeri i ditur dhe i devotshëm.

I frymëzuar nga Fryma e Perëndisë, ky episkop i mirë e dorëzoi Dometin prift dhe më vonë e caktoi si pasardhësin e tij. Mbas vdekjes së Titit, Dometi e drejtoi kishën e Bizantit, nën persekutime të ndryshme, për 24 vjet. Dometi pushoi në paqe dhe atë e zëvendësoi djali i tij Probusi, i pranuar njëzëri nga i gjithë komuniteti i krishterë i qytetit. Probusi e drejtoi grigjën e Krishtit me urtësi për 12 vjet, dhe pas tij u zgjodh vëllai i tij Mitrofani, të cilin e admironin të gjithë për virtytet dhe maturinë e tij. Kështu, kjo familje ilire e drejtoi kishën e Bizantit për shumë kohë, me devotshmëri dhe me urtësi. Ata ishin njerëz që kishin frikë Perëndie dhe tërë komuniteti i krishterë i donte dhe i respektonte.

Kur perandori Kostandini i Madh, një tjetër ilir, zgjodhi Bizantin si kryeqytetin e ri të perandorisë, ishte Mitrofani ai që drejtonte kishën e Bizantit. Thuhet që Kostandini e zgjodhi Bizantin si kryeqytet, jo vetëm për pozicionin e favorshëm gjeografik, si një urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit dhe për klimën e butë, por gjithashtu, për shkak të shenjtërisë së episkopit të tij, pamja e të cilit mjaftonte të ngjallte respekt dhe tek arrogantët më të mëdhenj. Kështu, që, në një farë mënyre, shën Mitrofani është episkopi i parë i Kostandinopojës.

Gjatë Sinodit të Parë Ekumenik (325), shën Mitrofani ishte shumë i moshuar dhe i mbërthyer në shtrat, nga një sëmundje e rëndë. Meqenëse nuk mund të lëvizte, ai dërgoi në Nikea, Aleksandrin, të parin e priftërinjve të tij, në të cilin ai kishte besim të plotë. Kur perandori u kthye në Kostandinopojë, mbas mbarimit të Sinodit, shkoi përnjëherë të vizitonte hierarkun e shenjtë. Mitrofani i tha perandorit se kishte pasur një zbulesë dhe, sipas kësaj zbulese, Aleksandri do e zëvendësonte atë si episkop dhe pas Aleksandrit do ishte Pavli. Të dy këta, Aleksandrin dhe Pavlin, Kisha jonë Orthodokse i ka kanonizuar shenjtorë dhe i nderon; në 30 gusht (shën Aleksandrin) dhe në 6 nëntor (shën Pavlin).

Disa ditë mbas vizitës së perandorit, episkopi i shenjtë pushoi në paqe, në moshën 117 vjeç, mbasi kishte marrë nderimet e Etërve të Sinodit. Shërbesa e varrimit u krye nga shën Jakovi, episkopi i Nisibës.

Lipsanat e tij të çmueshme u vendosën në një kishë që ndodhej në zonën e Heptaskalonit. Gjatë persekutimit të Kostandin Kopronimit, këto lipsana të çmuara u dogjën.

Kisha jonë Orthodhokse e nderon këtë shenjtor në 4 qershor.

At Joani