EmailFacebookKontakt

Shën Martini i Dumas (20 mars)

Shenjti lindi dhe jetoi në shekullin e VI pas Krishtit. Ishte me origjinë nga krahina e famshme ilire e Panonisë. Aq shumë kishte përparuar në diturinë e asaj kohe, sa që njohuritë e tij, sipas Shën Grigorit të Turit, i kalonte shumë të gjithë dijetarët e shekullit të tij. Ai, jo vetëm që kishte një njohuri të madhe në të gjitha shkencat e kohës së tij, por, gjithashtu, kishte të ndezur në shpirt një devotshmëri dhe dashuri të madhe për Krishtin.

I ndezur nga zjari i fesë, ai ndërmori një udhëtim në vendet e shenjta të Palestinës; pastaj shkoi në Galile, ku Suedët, të cilët ishin infektuar nga herezia ariane, kishin vendosur sundimin e tyre. Mbreti i tyre, Teodorimi ishte i sëmurë nga lebra. Martini arriti ta shëronte nga kjo sëmundje e rëndë, me ndërmjetimin e një shenjti tjetër ilir, Shën Martinit të Turit. I mrekulluar nga shenjtëria e Martinit dhe nga qartësia e predikimeve të tij, mbreti u kthye në besimin e vërtetë: dhe jo vetëm mbreti, por e gjithë ajo pjesë e Spanjës u kthye në besimin orthodhoks.

Martini si një apostull i vërtetë i Krishtit, shkonte kudo, duke përhapur ungjillin dhe besimin e drejtë. Përveç kësaj, ai themeloi edhe shumë manastire, ndër të cilët, më kryesori ishte ai i Dumas, pranë qytetit të Bragës, i cili ndodhet sot në Portugali. Vetë shenjti e drejtonte këtë manastir. Duke parë zellin, urtësinë, diturinë dhe shenjtërinë e Martinit, episkopët e zonës vendosën ta dorëzonin episkop. Kështu, në vitin 567, Martini u dorëzua episkop. Mbreti i Suedëve donte që ai të ishte episkop i oborrit mbretëror, prandaj, dhe një autor i vjetër e quan episkop të familjes mbretërore.

Por, ndonëse u bë episkop, ai vazhdoi të jetonte në të njëjtën mënyrë si kur ishte murg i thjeshtë; gjithmonë në lutje dhe agjërim. Martini i shenjtë i drejtonte klerikët e tij me një drejtësi dhe urtësi hyjnore. Fama e tij u përhap kudo dhe shumë njerëz shkonin të këshilloheshin me të. Pastaj atë e zgjodhën në fronin e Bragës, e cila ishte mitropolia e gjithë Galicisë (1). Nga bashkëkohësit, ai shikohej si një nga ndriçuesit më të mëdhenj të Kishës së Spanjës dhe një nga perlat e jetës murgjërore. Fortunato, i cili ia kushtoi këtij shenjti vargjet e para të librit të tij të pestë, na thotë se ai kishte trashëguar së bashku me emrin dhe meritat e Shën Martinit të Turit. Këta dy ilirë, të quajtur të dy Martin, ishin mbushja e tërë murgjërisë së Europës Perëndimore.

Shenjti ynë i shërbeu Kishës, jo vetëm me virtytet e tij, por edhe me shkrimet. Shkrimet e tij i drejtohen Nitigios, episkopit të Lugos. Ato janë titulluar: “Përmbledhje e Tetëdhjetëekatër Kanoneve” dhe janë ndarë në dy pjesë: e para i drejtohet episkopëve dhe klerikëve, ndërsa e dyta për laikëve.

Mbasi i shërbeu me devotshmëri Zotit, që aq shumë e deshi, Shën Martini fjeti në 20 Mars të vitit 580. Lipsani i tij u transferua nga Duma në Braga në vitin 1606.

Kisha jonë e nderon kujtimin e tij në 20 mars.

At Joan Pelushi

1) Ose i Kishave të Suedëve në Spanjë. Qyteti i Bragës ishte i krishterë prej shumë kohësh dhe po ashtu ishte nga të parët, që u shkëput nga zgjedhja saraçene. Për këtë arsye, kryepiskopi i Bragës ka debatuar për një kohë të gjatë me atë të Toledos për primatin e gjithë Spanjës. Episkopata e Dumas u bashkua me atë të Bragës në shek. VII.