EmailFacebookKontakt

Shën Maria Magdalena, miraprurëse dhe e barabartë me apostujt

Shën Maria Magdalena ishte pjesëtare në grupin e nderuar të grave galilease që i shkonin pas Zotit tonë Iisu Krisht dhe Apostujve të Shenjtë dhe i ndihmonin me gjithçka mundnin në misionin e tyre hyjnor.

Kjo Mari quhet Magdalenë se ishte me origjinë nga Magdala, një qytet që ndodhej në jug të Galilesë. Shumë biografë e paraqesin Mari Magdalenën si grua mëkatare. Ndofta ka qenë, prandaj e kishin pushtuar shtatë demonë, nga të cilët e shpëtoi Iisui, dhe prandaj ajo, ia përkushtoi, si mirënjohje, tërë jetën e saj shërbimit të Shpëtimtarit.

Gjatë pësimeve të Krishtit, ka qenë dhe ajo në Jerusalem dhe i ka ndjekur këmba-këmbës gjer në Golgotë, duke vajtuar dhe duke rrahur kraharorin bashkë me gratë e tjera të Galilesë. Ishte bashkë me miraprurëset, madje, qe e para, sepse ajo, pasi pa gurin të rrokullisur nga dera e varrit të Krishtit, shkoi me vrap te Petro dhe te Joani e u tha: “e kanë marrë Iisunë nga varri dhe nuk dimë ku e kanë vënë”. Aq thellë e kish ndjerë vdekjen e Shpëtimtarit në shpirtin e saj dhe aq ishte hutuar, sa që vazhdonte të qante jashtë varrit edhe pas largimit të Petros e të Joanit. Dhe malli e nxiti që të fuste kokën në varr. Dhe atëherë pa brenda dy engjëj të veshur me rroba të bardha, që qëndronin njeri nga ana e kokës dhe tjetri nga ana e këmbëve të vendit ku ishte vendosur trupi i Iisuit. Ata i thanë: “O grua, pse qan? – Maria u përgjigj: “sepse e kanë marrë Zotin tim dhe nuk di se ku e kanë vënë”.

Dhe tek po thoshte këto, ndjeu se dikush ishte pas saj. U kthye dhe sheh një njeri, po nuk e njohu se kush ishte. Ishte Iisui vetë. Ky i tha: “O grua, pse qan? Cilin kërkon?” Ajo, duke kujtuar se mos ishte pronari i kopshtit ku ndodhej varri dhe se mos ky e kish marrë trupin, i tha: “Zotni, nëse e ke marrë ti trupin, më thuaj se ku e ke vënë, që ta marr vetë”. Dhe Iisui atëherë ia zbuloi asaj veten. Me zënë e tij të zakonshëm dhe të ëmbël iu drejtua Magdalenës, duke e thirur me emër: “Mari”. Ajo, menjëherë e njohu dhe iu përgjigj me mallëngjim e me gëzim: “Pavuni”, domethënë “mësues”. Dhe me vrap iku, që t’u thoshte Apostujve se kish parë Zotin.

Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentikostisë dhe themelimit në Jerusalem të Kishës së parë të krishterë, Shën Maria Magdalena vazhdoi veprimtarinë e saj duke përhapur Ungjillin.

Pas fjetjes së Virgjëreshës së Shenjtë dhe Hyjlindëses Mari, Shën Maria Magdalena u vendos në Efes, bashkë me Shën Joan Teologun, ku edhe ndërroi jetë. U varros pranë shpellës ku më vonë kanë fjetur për një kohë shumë të gjatë të shtatë djemtë e Efesit.

Kujtimin e Shën Marisë Magdalenë, miraprurëses dhe të barabartë me apostujt, Kisha jonë e kremton vit për vit më 22 korrik.