Profeti David, në një nga psalmet e tij të bukura, thotë: “Synimet dhe nevojat e jetës tënde shfaqja Zotit me besim dhe ki shpresë tek Ai dhe Ai do të t’i plotësojë ato që kërkon dhe që ke nevojë” (Psalm. 36,5).
Me këtë besim dhe shpresë Joakimi dhe Ana, prindërit e Shën Marisë, i lutëshin Perëndisë që t’u falte një fëmijë, për ta pasur si ngushëllim në kohën e pleqërisë.
Dhe këtë shpresë, Perëndia ua plotësoi. U fali Virgjëreshën Mari, e cila ish caktuar që të lindte Shpëtimtarin e botës dhe të shkëlqente si më e bekuara ndërmjet të gjitha grave.
Asnjë grua tjetër në botë nuk është nderuar aq sa Shën Maria. Në shpirtin e të krishterëve orthodhoksë ajo qëndron më lartë dhe se engjëjt. Madhështia e saj kalon çdo përmasë njerëzore.
Nderimi i saj, madhështia e saj, lavdia e saj nuk janë pasoja të ndonjë origjine të shquar, të ndonjë pozite shoqërore të lartë, të ndonjë paraqitjeje të dukshme të veçantë apo të ndonjë pasurie të madhe. Bukuria dhe madhështia e saj janë pasoja të botës së saj shpirtërore të brendshme; thesar i madh i saj, ështe pastërtia shpirtërore, ku pasqyrohet qielli.
Dhe pikërisht, këtë bukuri shpirtërore dhe këtë pastërti, të kombinuara me përulësinë e saj të thellë, preferoi Perëndia, “hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së tij”. Asnjë grua tjetër nuk është, as që nuk do të jetë ndonjëherë aq e kulluar sa Shën Maria. Prandaj, tërhoqi hirin e Perëndisë dhe u bë nënë e Fjalës së trupëzuar, e Zotit tonë Iisu Krisht, Perëndilindëse e vërtetë, se lindi “Perëndinë e trupëzuar”.
Pikërisht, ankthi i saj i madh, dëshira e saj hyjnore, për të jetuar afër Perëndisë, e bindur plotësisht te vullneti i Tij, e çoi në kontaktin e posaçëm me Perëndisë, në një shkallë të tillë, sa të ngrihet më lart se çdo tjetër krijesë; u ngrit gjer të froni i Perëndisë dhe është në krye të të gjitha qenieve, e para dhe më pranë Perëndisë se çdo tjetër. Në personin e Shën Marisë u ngrit lartë dhe u trajtua me nderim të veçantë njeriu dhe sidomos gruaja. Asnjë tjetër sistem fetar, shoqëror, apo filozofik, nuk e ngriti gruan aq lart sa krishtërimi. Sepse Shën Maria, si përfaqësuese e gjithë fisit njerëzor dhe si nënë e përbashkët e gjithë njerëzve, u ngrit gjer te Froni i Perëndisë, dhe njëkohësisht, meqë priti tërë hirin e Perëndisë, këtë hir na e fal dhe na e transmeton edhe neve kur e kërkojmë. Kështu, si nënë e Perëndisë tonë Iisu Krishtit dhe si nënë e jonë, na bashkon dhe njërin me tjetrin. Na bën të gjithë fëmijë të saj, na përmbledh me dashurinë e saj, duke suprimuar çdo lloj dallimesh.
Njëkohësisht, na tregon rrugën e vërtetë të ngritjes reale dhe qenësore, të njeriut, të gruas. Njeriu nuk ngrihet as me materializmin, që e konsideron njeriun si një pjesë të verbër të materies, as me mekanikokracinë, e cila e quan njeriun si pjesë këmbimi të mekanizmit botëror, as me humanizmat ateiste, që e kufizojnë njeriun në individualizmin dhe në egocentrizmin.
Njeriu ngrihet vetëm me lidhjen e komunikimin e tij të vërtetë e qenësor me Perëndinë. Kisha jonë orthodhokse këtë kontakt e përjeton prej shekujsh dhe e paraqet në mënyrë konkrete me jetën e shenjtorëve të saj, që janë plot me hir dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me Perëndisë dhe që e duan tërë botën e rrojnë me dashuri të pakufishme kontaktin vëllazëror me gjithë njerëzit.
Në krye të kësaj rruge të vërtetë ngritëse të njeriut e në veçanti të gruas, qëndron Shën Maria, nënë e Krishtit dhe e jona. Duke përkujtuar, çdo 8 shtator, lindjen e saj të nderuar, le të hapim sytë tanë shpirtërorë për të parë rrugën e vërtetë, që ajo na tregon për ngritjen tonë morale e shpirtërore dhe le ta pasojmë.