EmailFacebookKontakt

Shën Kozmai gjallëron shpresat

Për herë të dytë kampingu i rinisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë “gjallëroi” Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit. Morën pjesë 80 të rinj nga gjithë vendi, shumica e të cilëve studentë. Një nga qëllimet e kampingut ishte përsëri gërmimi e lirimi i Kishës nga dherat. Me bekimin e Shën Kozmait, 20 ditët e kaluara aty lanë kujtime të jashtëzakonshme tek të gjithë. Por, vazhdimi i punimeve në të gjithë territorin e përjashton përsëritjen e kampingut në atë vend. Kështu, të gjithë sa morën pjesë në ato kampingje, e ruajnë si thesar bekimin që u dha Shenjti për djersën dhe mundin e tyre.

Punimet që kryen të rinjtë Orthodhoksë vjet edhe sivjet hapën rrugën për gërmimin dhe restaurimin e Kishës dhe të Manastirit të Shenjtit më të dashur të vendit. Vjet u bë një zhurmë e madhe, sepse u pretendua se ishte punuar pa leje shtetërore. Ndërsa sivjet kishim lejen e IMK dhe udhëzimet e shërbimit kompetent.

Ditën e nesërme pas përfundimit të kampingut, 1 gusht 1996, filluan punimet e rregullta për gërmimin në të gjithë territorin e Manastirit, rreth Kishës së Shenjtit. Gërmimet u kryen me lejen dhe programimin e punimeve të nënshkruar nga organizmi kompetent, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe me mbikqyrjen e tij, si dhe të Zyrës së Shërbimit Teknik të Kishës. Financimi u krye nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.

Sipas programit të punimeve u kryen gërmime në thellësi një metër, në një sipërfaqe prej dy dynymë rreth Kishës, deri në dhjetë metra tej kontureve të godinave të manastirit. Punimet, që përfunduan në fillim të shtatorit, sollën në dritë pjesën e sipërme të katit përdhes të krahëve të manastirit. U zbuluan mure guri në krahun verior (të ngjashëm me peristilin e manastirit të Ardenicës), gjithashtu hyrja harkore me gurë të skalitur në anën lindore.

Interes të veçantë paraqet gjetja në perëndim të kishës e një dhome, pikërisht poshtë vendit ku strehohej kenotafi i Shenjtit. Ky vend lidhet me murin verior të hierores së kishës së vjetër të Hyrjes së Shën Marisë. Ka dy dritare të vogla në lindje dhe një derë harkore prej guri në veri, pikërisht karshi një porte të ngjashme që u zbulua në pjesën jugore h Kishës së Shën Kozmait. Në një gërmim kërkimi që u krye brenda këtij ambienti, mbi murin e jashtëm të hierores së Hyrjes së Shën Marisë, përballë portës së dhomës, u zbulua një afresk të Shenjtit, që e paraqiste atë pa kurorë drite dhe me mbishkrimin “Kozma hieromonak”.

Parashikohet që së shpejti të vazhdojnë punimet në Manastirin e Shenjtë të Shën Kozmait, tashmë në një fazë më të vështirë, që parashikon gërmime të kujdesshme, gërmime arkeologjike, restaurim të Kishës së Shenjtë dhe më pas të Manastirit. Që të ekzistojë mundësia e vazhdimit të punimeve, Fortlumturia e Tij, Anastas nënshkroi një kontratë për ndërtimin e një rruge 3,5 km të gjatë, që të çon në manastir. Kjo ka qenë edhe kërkesa e banorëve të fshatit, që është braktisur në një masë të madhe për shkak të vështirësisë së komunikacionit.

Vetë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, nderoi sivjet festën e Shën Kozmait në Kolkondas, ku qindra njerëz u mblodhën në Kishë, në qendrën e manastirit për të lavdëruar Perëndinë dhe për të falenderuar Shenjtin që vazhdon të përkrahë shpresat e tyre. Në një takim festiv që u krye pas Liturgjisë Hyjnore, prifti i Kishës, duke falenderuar Fortlumturinë për fillimin e punimeve, vuri në dukje se Shenjti predikoi dhe u flijua për të ndaluar kthimin e fesë së orthodhoksëve, ndërsa Kryepiskopi rigjallëroi Orthodhoksinë në Shqipëri.

I lutemi Shenjtit, që të mbështesë tërë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në sprovat e përditshme; Atij që provoi shpifjet, urrejtjen, persekutimin, në mënyrë që të vazhdojë së lavdëruari Perëndia Triadik në çdo shpirt orthodhoks.

Korresp. i “Ngjalljes”