EmailFacebookKontakt

Shën Konstandini dhe Shën Elena

Ndërkohë që persekutimi kundër krishtërimit dhe Kishës së krishterë, i shpallur nga perandori Dioklecian dhe ndihmësit e tij Galer e Maksim ishte në zhvillim e sipër në pjesën lindore të Perandorisë Romake, në Francë, Britani dhe Spanjë, mbi të cilat sundonte Konstanc Klori, të krishterët jetonin në qetësi.

Me vdekjen e Konstanc Klorit (306 pas Krishtit) hipi në fron biri i tij Konstandin, i njohur në histori me emrin “Konstandini i Madh” dhe në historinë e Kishës “Shën Konstandini”. Ky qe njeriu i zgjedhur nga providenca hyjnore për t’u dhënë fund një herë e mirë persekutimeve kundër Kishës së krishterë, t’i siguronte asaj një paqe të qëndrueshme dhe t’i jepte ndihmën e duhur për të kryer misionin e saj të shenjtë në shoqëri.

Që kur erdhi në fuqi, Konstandini i Madh ndoqi shembullin e babait të tij. Ndaj të krishterëve dhe Kishës ka treguar tolerancë të veçantë, megjithatë nuk ishte formalisht i krishterë, sepse ai u pagëzua pak kohë para se të vdiste. Ajo që i diktonte atij këtë qëndrim të favorshëm për të krishterët, ishte bindja e thellë se krishtërimi përbënte në atë kohë një force që s’mund të shtypej e të zhdukej dhe se vetëm mbi themelet e tij do të mund të rilindej e të shpëtohej Perandoria Romake, e cila ndodhej në agoni.

Rasti për ta vënë në jetë këtë bindje iu dha menjëherë sapo u shpall perandor nga ushtria. Mbi Italinë dhe Afrikën sundonte Maksenci, një persekutor i madh i të krishterëve, Konstandini i shpalli luftë. Po, një ditë para nisjes së betejës, ai pa në qiell një kryq prej yjesh me mbishkrimin përreth “Me këtë do të fitosh”. Natën pastaj iu shfaq në vegim Zoti Krisht, i cili i tha të bëjë një flamur me shenjën e Kryqit që kishte parë në qiell dhe njëkohësisht të pajiste të gjithë flamujt e ushtrisë si dhe përkrenaret me shenjën e Kryqit dhe kishte për të dalë fitues. Konstandini veproi sipas porosisë dhe e mundi Maksencin, i cili në ikje e sipër u mbyt në lumin Tiber. Dhe kështu Konstandini mbeti perandor i vetëm i pjesës perëndimore të perandorisë.

Bashkë me kunatin e vet Licin, i cili ishte perandor në pjesën lindore të perandorisë, shpalli në vitin 313 Ediktin e Milanos, me anën e të cilit u jepej liri e plotë të gjitha feve, pra edhe krishtërimit, duke u dhënë fund persekutimeve. Njëkohësisht u ktheheshin të krishterëve të gjitha pasuritë e konfiskuara dhe anulloheshin të gjitha masat që qenë marrë kundër tyre.

Mirëpo Licini nuk e respektoi për shumë kohë Ediktin e Milanos. Ai kaloi nga ana e paganëve dhe nisi përsëri persekutimet kundër të krishterëve në pjesën e perandorisë ku sundonte, gjë që e detyroi Konstandinin t’i shpallte luftë. Beteja kësaj radhe bëhej midis krishtërimit dhe paganizmit. Fitorja qe nga ana e të krishterëve. Licini u mund e u zu rob dhe Konstandini arriti të mbëtet perandor i vetëm i Perandorisë së madhe Romake (viti 316). Konstandini nuk e shpalli krishtërimin si fe kryesore të perandorisë së, po mori të gjitha masat e mundshme për forcimin dhe përparimin e tij. Kështu, për shembull, inkurajoi kalimin në krishtërim, zgjodhi dhe emëroi në funksionet më të larta të shtetit njerëz të krishterë, nderoi në mënyrë të veçantë klerin, ndërtoi me shpenzimet e shtetit e të vetat kisha në viset e ndryshme të perandorisë, u ktheu të krishterëve pasuritë e konfiskuara apo të grabitura gjatë persekutimeve, caktoi të dielën si ditë pushimi për tërë perandorinë, shpalli ligje të ndryshme për mbrojtjen e të krishterëve dhe të Kishës etj. etj.

Ndaj paganizmit Konstandini u soll me shumë takt e urtësi. Ai nuk përdori masa të rënda e shtrënguese për ta shtypur me anën e forcës, po ndaloi vetëm kultin e hyjnive imorale dhe të sakrifikimit të kafshëve në publik. Me këto masa ai ndihmoi në spiritualizimin e paganizmit dhe parapërgatitjen e paganëve për të kaluar në krishtërim.

Që të shkëputej krejt prej paganizmit që i kishte rrënjët në Romë, ai transferoi kryeqytetin e perandorisë në Bizant, të cilin e stolisi me kisha dhe pallate madhështore dhe e quajti me emrin e vet Konstandinupolis – qytet i Konstandinit.

Në të gjitha veprimet e tij për Krishtërimin, Konstandini ka qenë nxitur dhe ndihmuar nga nëna e tij shpresëtare Elena. Ajo vetë ka ngritur shumë kisha madhështore në Vendet e Shenjta të Palestinës. Asaj i detyrohet dhe gjetja e Kryqit të nderuar mbi të cilin ka qenë kryqëzuar Shpëtimtari, sepse me porosi të saj u bënë gërmime në Golgota, ku u gjetën tre kryqe. Si u vërtetua me anën e një çudie se cili ishte Kryqi i Zotit, ai u soll në kishë, ku është ruajtur me shenjtërim të madh.

Kisha, duke patur parasysh ato që ka bërë Konstandini i Madh dhe nëna e tij, perandoresha Elena për Krishtërimin, i ka renditur në radhët e shenjtorëve dhe i përkujton me nderim e lavdi, më 21 maj.

Petro Papandile