EmailFacebookKontakt

Shën Joani i Ri i Konicës

Në ditën e martirizimit të tij, më 23 shtator, Kisha jonë nderon Shën Joanin e Ri të Konicës.

Shën Joani i Ri lindi aty nga fundi i shekullit të 18-të (me gjasa më 1785) në Konicë, në një familje të komunitetit mysliman të qytezës. Madje ai ishte i biri i Shehut të komunitetit Halveti të asaj treve, çka e bën me bazë hipotezën se ishin në origjinë nga shqiptarët që relativisht pak kohë më parë ishin islamizuar. Kushtet e këtij largimi nga besimi i Krishterë Orthodhoks në mënyrë domethënëse i përshkruan Pukëvill në kronikat e tij.

Emri që iu vu ishte Hasan dhe si i tillë, me shumë krenari si djali i Shehut, u rrit në Konicë derisa nga fillimi i shekullit tjetër, në moshë thuajse njëzetvjeçare, u vendos në Janinë për më shumë arsim dhe mundësi për zhvillim. Janina në atë kohë ishte qendër e rëndësishme për kushtet e pushtimit otoman lidhur me arsimin, kulturën, lëvizjen e ideve, shkëmbimet me botën jashtë etj.

Për Hasanin e ri shqetësimi për gjërat shpirtërore kishte filluar që në Konicë. Biografët referojnë një kontradiktë të mprehtë me të atin, që lidhej me thelbin e Besimit të Krishterë. Hasani kishte debatuar me babain – Sheh, lidhur me kapërcimin më revolucionar në historinë e njerëzimit, aty ku Zoti Jisu Krisht thërret “…duaje armikun tënd…”. Hasani kishte shprehur habinë e tij se si kundrejt kësaj dashurie, në librin e besimit që i ati predikonte përmbahej edhe liria për të vrarë këdo që nuk e përqafon atë.

Kur filloi të jetonte larg të atit, natyrisht që për të riun e Konicës u krijuan mundësi për meditim më të thellë shpirtëror. Në vijim zhvendoset me detyrë ofiqari në administratën e Aliut në Vrahor- Agrinjo, si nëpunës i mesëm. Shqetësimet dhe preokupimet shpirtërore aje shfaqen më qartë, me thellësi më të madhe dhe reagime të ndërgjegjshme.

I biri i Shehut të Konicës braktis detyrat e tij në shërbim të Sulejman Vrionit, nga Myzeqeja, myselim i Vrachorit, tërhiqet në vetminë e tij dhe fillon të jetojë si i krishterë. Madje, për të përballuar jetesën punon për Panajotis Galanis, pronar tokash dhe dhimogjerond i zonës.

Ndërsa jetonte si i Krishterë dhe kishte mësuar shumë për besimin Orthodhoks, formalisht nuk ishte ende i tillë dhe, natyrisht, në atë errësirë të dhunës otomane askush nuk guxonte të pagëzonte një njeri të besimit tjetër. Prandaj shkoi përkohësisht në Itakë, e cila ishte nën zotërimin anglez, së bashku me ishujt e tjerë të Arkipelagut Jonian dhe mori pagëzimin më Jisu Krishtin. U thirr me emrin Joan.

Pasi u kthye në Agrinjo, u martua me një vajzë të krishterë të zonës dhe jetuan në Machalasot Fitaria.

Kronikanët shkruajnë se i ati nuk e kapërdiu lehtë mosbindjen e Joanit për t’u kthyer në shtëpi dhe në besimin e tyre. Kjo vinte në dyshim edhe autoriteti i tij në komunitetin e zonës në përgjegjësi. Ndaj vetë ai e denoncoi tek autoritetet lokale dhe nisi gjykimi nga kadiu i zonës.

Me këmbënguljen e vetë të atit të shenjtorit, kadiu vendosi dënimin me prerje koke – dënim i zakonshëm për të krishterët – por edhe ndalimin e kryerjes së varrimit dhe shërbesës nga komuniteti i krishterë i zonës.

Të gjitha u kryen ashtu sikundër vendosi kadiu i nxitur nga Shehu i Konicës. Por vazhdimi ishte sipas Hirit të Zotit dhe Perëndisë sonë Jisu Krisht. Besimtarët shkuan natën dhe mbuluan trupin e shenjtorit. Ata shënuan vendin poshtë rrapit, ndanë përroit të Shën Dhimitrit të Agrinjos, ku ishte kryer edhe ekzekutimi i tij. Vite më vonë, etërit e vëllazërisë së Manastirit të Fjetjes të së Tërëshenjtës Mari të Prusiotisës, në Karpenisi të Evritanisë, të nxitur nga tregimet përdëllimtare të besimtarëve të zonës dhe të prirë nga vegime hyjnore, mblodhën në fshehtësi lipsanet e martirit dhe i vendosën në një kriptë në manastirin e tyre.

Lipsani u zbulua në mënyrë të mrekullueshme dhe rishtazi te kripti ku ishte rivarrosur në Prusiotisa, më 3 janar të vitit 1974.

Shembull i shën Joanit të Ri të Konicës ishte i vyer në atë kohë, por edhe në ditët e sotme. Me ndërmjetimet e shenjtorit, le të ndriçohemi për të kuptuar me fuqinë e besimit që Perëndia dhuron, ato sa shembulli i tij na jep në përditshmërinë tonë të përjetimit të besimit dhe mistereve të tij në Kishën Orthodhokse.

Përlëshorja e Shenjtorit Ting. I, sipas: Tis erimou politis

Birin e Konicës dhe mburrjen e Vrachorit,
dhe luftëtarin e Krishtit, Joanin e Ri le të nderojmë,
që ndonëse rrënjë jobujare ka pasur,
shkëlqyer për Krishtin ai dëshmoi.
Nga rreziqet kërkojnë të shpëtojnë,
të gjithë sa atij i drejtohen:
Lavdi Atij që ty të forcon, Lavdi Atij që të vuri kurorë,
Lavdi Atij që me ndërmjetimin tënd
na dhuron çlirimin nga pasioni!

Përgatiti O. B.

Në foto: Manastiri i Fjetjes të së Tërëshenjtës Mari të Prusiotisës, në Karpenisi të Evritanisë.