Shën Joan Gojarti
(13 nëntor)
Eshtë Mësuesi Ekumenik më popullor, më orator dhe më i dashur. U lind në Antioki (v. 354). E ëma Anthulla në moshën njëzetëvjeçare varrosi të shoqin gjeneral, që ishte edhe ai i krishterë, dhe mbeti gjithmonë e ve për hir të Gojartit. Në moshën tfembëdhjetëvjeçare ai braktisi shkollën e oratorit idhujtar Livan (i cili më pas donte ta shpallte pasardhës të tij, nëse nuk do të ishte i krishterë) dhe studioi për theologji.
U pagëzua në vitin 372, ndofta nga Shën Meleti i Antiokisë (12 shkurt). Pas tre vjetësh i thanë të bëhej prift, por ai iku. U bë murg pranë një jerondi dhe dy vjet të tjera qëndroi i vetëm në një shpellë. Por u kthye në vitin 380, sepse, nga ushtrimi i madh, vuante nga veshkat. Meleti e hirotonisi dhjak (v. 381) dhe pasardhësi i tij e bëri prezviter (v. 386).
Shën Joani fliste vazhdimisht, interpretonte Shkrimet e Shenjta, mbështeste njerëzit, i ruante nga herezitë, zhvillonte vepra bamirësie. Fitoi kudo nam dhe admiruesi i tij, kryeministri Eftropi – i cili më pas u bë armiku i tij – e solli në Konstandinopojë në mënyrë poshtruese, që mos reagonte. Kështu, më 15 dhjetor 397 u dorëzua kryepiskop i saj. Predikonte dhe duartrokitej; udhëhiqte, organizonte dhe drejtonte – edhe pse më vonë i shërbenin ndihmëset e Shën Olimbiadhës (12 korrik). I papajtueshëm ai godiste madje edhe vetë mbretëreshën Evdhoksia – kështu Kisha do ta humbiste shpejt. Udhëtonte dhe shkarkonte klerikë të padenjë (v. 401), por me këtë gjë si shkas (“ndërhyrje në juridiksionin e huaj”) armiqtë e tij e shkarkuan në sinodin e Drinit (v. 403).
Ndërkaq revolta popullore dhe ngjarje të shënuara në pallatet mbretërore, ia pezullojnë internimin. Por, ai përsëri kontrollonte mbretëreshën, kështu që u internua (v. 404) në Kukuso të Kapadokisë. Ndërsa kalonte në Komana të Pontit të Azisë së Vogël, dha shpirt nga torturat (14.9.407) ditën e Lartësimit të Kryqit.
Shënjti ka shkruar shumë vepra dhe ka kompozuar shumë të tjera të Liturgjisë së tij, kumtesa dhe letra dhe sidomos omeli. Kremtohet edhe më 30 janar, ndërsa transferimi i lipsanit të tij, që u bë në vitin 438 në mes të entuziazmit masiv, kremtohet më 27 janar.