EmailFacebookKontakt

Shën Joan Gojarti për edukimin e fëmijëve

Kur, që nga vitet e para të jetës, fëmijët nuk kanë edukatorë, çfarë do të bëhen? Ndërsa disa mësojnë të mirën, që kur lindin deri sa plaken dhe nuk e arrijnë dot, po ata, të cilët në fillim të jetës së tyre mësojnë të keqen, cilën të keqe nuk do të kryejnë? Sot çdo njeri bën të pamundurën që të arsimojë fëmijët me profesione dhe dije, por si do ta kalisë shpirtin e tyre drejt virtytit, për këtë asnjeri nuk i jep rëndësi.

***

Nëse do të skaliten mësimet e mira në shpirtin e birit tuaj, që është ende i njomë, asnjeri nuk mund t’i shuajë më, sepse do të bëhen si vula mbi dyll. Përdore si duhet pushtetin tënd. Ti i pari u gëzohesh të mirave, kur ke fëmijë të mirë dhe pastaj Perëndia.

***

Hyrja e fëmijës së vogël në adhurimin publik të Kishës kërkon kujdes të veçantë. Një vizitë e shkurtër në Kishë është një përgatitje e mirë. Heshtja, drita e pakët, bukuria e mjedisit, qëndrimi adhurues, ndihmon fëmijën të kuptojë se gjendet në një realitet tërheqës dhe të shenjtë. Në Liturgjinë Hyjnore të së Dielës, ku mund ta çoni, pamja e njerëzve të grumbulluar dhe që luten do t’i bëjë përshtypje dhe do të mësohet. Le të mos harrojmë se për shumë shekuj nuk kishte dhe nuk ka edhe sot katekizëm të veçantë për fëmijë të vegjël. Edukimi i krishterë i fëmijëve bëhej dhe bëhet në njërën anë nga familja dhe në anën tjetër nga adhurimi hyjnor në Kishë. Duhet të drejtoni shpesh fëmijët e vegjël në Kishë. Kështu do të familjarizohen me këtë vend të shenjtë dhe do të njohin personat dhe gjërat e Kishës.

***

Fëmija 3-vjeçar fillon të zbulojë i mrekulluar botën përreth. Çdo herë gëzohet dhe feston për zbulimet e tij të reja. Fëmija ka një ndjenjë të thellë të mrekullie dhe gëzimi për hapjen e tij në botë. Ftoheni të merrni pjesë në këto momente zbulimi dhe gëzimi. Veçanërisht ia vlen të edukoni tek fëmija ndjenjën e mrekullimit. Jeta e përditshme dhuron shumë raste për t’i treguar fëmijës gjëra të reja. Mjedisi i natyrshëm, fenomenet natyrore, ndërrimi i stinëve e të tjera bëhen shkak për të ndihmuar fëmijën që të njohë botën përreth. Çdo zbulim i ri e shton ndjenjën e mrekullimit dhe e drejton shpirtin fëminor tek Krijuesi, Perëndia. Ndjenja e mrekullimit është një shkallë që e udhëheq fëmijën më afër Perëndisë.