EmailFacebookKontakt

Shen jan kukuzeli nga durresi

Në këtë artikull do të njohim lexuesit tanë me një bir të shquar të qytetit të Durrësit, i cili, me kontributin që dha në zhvillimin e muzikës bizantine, ka krijuar në historinë e kësaj muzike një periudhë më vete, që përfshin shekullin XII deri në të XV pas Krishtit dhe që njihet me emrin “periudhë kukuzeliane”. Ky është Jan Kukuzeli, ishte nga Durrësi dhe ka jetuar në shekullin XII pas Krishtit. Biografët e tij nuk na japin hollësira rreth jetës në Durrës. Theksojmë vetëm se kishte mbetur jetim nga i ati dhe se për edukimin e tij kulturor u mor e ëma. Ishte i zgjuar dhe i urtë, por, mbi të gjitha, kishte një zë aq të bukur e të jashtëzakonshëm, një vesh muzikor kaq të mprehtë, sa që, kur merrte pjesë nëpër manifestimet e ndryshme të kohës, linte përshtypje të thella për talentin e tij.

Kukuzeli në Konstandinopojë

Pikërisht ky talent i tij i veçantë mendojmë se është bërë shkak që Kukuzeli të dërgohet në Konstandinopojë, ndoshta dhe me rekomandim të autoriteteve të vendit, për t’u pajisur me kulturën përkatëse muzikore.

Shkollat e Konstandinopojës, me në krye universitetin, qenë të dëgjuara në gjithë perandorinë. Profesorët qenë gjithashtu njerëz të dëgjuar; filozofë, oratorë, filologë, etj., pararendës të vërtetë të humanistëve të mëdhenj të Rilindjes.

Në Konstandinopojë vinin nga të gjitha anët e perandorisë edhe artistë të talentuar e sidomos këngëtarë, për t’u afirmuar dhe vlerësuar si të tillë.

Sipas të dhënave që na jep Nikolla Mesariti, njohuritë praktike dhe teorike të muzikës në kryeqytetin bizantin merreshin si më poshtë:

Pranë kishave të mëdha, si të Shën-Sofisë, të Apostajve e të tjera, kishte shkolla ku të rinjtë fillestarë mësonin gramatikën dhe më të përparuarit dialektikën e retorikën. Që të dy grupet merrnin njëkohësisht dhe një kulturë muzikore; të parët mësonin këngët e psalmeve dhe të tjerët himnet. Mësimi teorik i muzikës merrej në universitet.

Në Konstandinopojë ekzistonte që në shekullin e V pas Krishtit një universitet i ngritur në kohën e perandorit Theodhos II, i riorganizuar pastaj në shekullin IX nga Çezari Vardhas dhe i ndihmuar nga perandorë të tjerë të shekujve X-XI.

Universiteti kishte dy rrethe: triviumin, i cili përfshinte të tre artet e lira: gramatikën, retorikën dhe dialektikën dhe quadriviumin, që përfshinte matematikën, muzikën, gjeometrinë dhe astronominë.

Vetkuptohet, se përfshirja e lëndës së muzikës në quadrivium, tregon rëndësinë që i jepej studimit të saj në Bizant. Bile në legjislacionin bizantin ka pasur dhe ligje të veçanta për përhapjen e muzikës dhe të drejtat e këngëtarëve, siç është p.sh. legjislacioni i Justinianit (527-565), perandor me origjinë ilire, i cili parashikonte ngritje shkollash për muzikën, përcaktonte të drejtat që gëzonin këngëtarët dhe krijonte madje dhe tituj, si “domestik” ose “llampadar”, me të cilët nderoheshin këngëtarët më të dalluar e të talentuar.

U zgjatëm pak me hollësira, sepse këto na ndihmojnë për të kuptuar më qartë formimin kulturor të Kukuzelit tonë, i cili, dalëngadalë, pas mbarimit me sukses të studimeve, u bë figurë artistike e shquar, që tërhoqi vëmendjen e perandorit dhe të njerëzve të pallatit. Kështu ai shumë shpejt mori titullin e domestikut dhe u emërua drejtues i të gjitha aktiviteteve artistike dhe ceremonive festive të pallatit të patriakanës.

Nuk dihet se sa kohë do të ketë qëndruar Kukuzeli në këtë detyrë, sepse më vonë e gjejmë atë në Athos.

Kukuzeli në Athos

Athosi është një mal në pjesën ekstreme të gadishullit Kalqidik të Greqisë, i veshur me pyje prej fagu, bredhi dhe gështenjash, me burime dhe përenj të shumtë, me detin që e rreh nga të tri anët, me një pamje piktoreske shumë të bukur dhe madhështore.

Në këtë terren me një sipërfaqe prej 321 km2 është ngritur këtu e 1000 vjet përpara një komunitet murgjish, me një numër të konsiderueshëm manastiresh, të mëdhenj e të vegjël, ndër të cilët më i vjetri e më i madhi është Lavra e madhe, e ndërtuar me 963 nga një ish-oficer i lartë bizanti, Athanas, së bashku dhe me disa ish-nënpunës të lartë me origjinë gjeorgjiane.

Ky komunitet, i cili gëzonte një autonomi të plotë, i varur direkt prej patrikut, u bë një qendër e rëndësishme e kulturës dhe artit bizantin.

Në këtë vend, pra, një mëngjes të bukur zbriti nga një anije, i veshur me rroba shumë të thjeshta, që të mos e njihte njëri në udhë, Jan Kukuzeli, i cili u paraqit në manastirin e Lavrës së madhe, jo me emrin e tij të vërtetë, por me një emër tjetër dhe kërkoi që, pasi të bënte stazhin e nxënësit, të pranohej si pjesëtar i përhershëm i atij komuniteti.

Kërkesa iu pranua dhe si detyrë prove iu caktua të kulloste cjepë të manastirit. Dhe ai, duke shkuar me kopenë e vet ku ishin kullotat më të mira, ose duke shëtitur vendet piktoreske të malit, gjente në pamjen e natyrës dhe në atë jetë të lirë, kënaqësinë shpirtërore dhe mendore.

Jani – thonë biografët, donte shumë edhe detin, i cili i kujtonte vendlindjen e tij të dashur, Durrësin, i cili, si pozitë me rëndësi strategjike për perandorinë, ishte mollë sherri dhe luftrash midis bizantinëve, normanëve, venedikasve e të tjerëve.

Dhe një ditë – vazhdojnë biografitë, ndërsa kulloste cjeptë në një kep të Athosit dhe koha ishte e pastër dhe e qartë, s’po ndihej asnjë shushullimë, shenjë kjo se atje përreth s’kishte njeri, ia nisi këngës. Dhe këndoi me aq pasion e melodi sikur dëshironte që muzika e tij ta shpërblente për tërë kohën e heshtjes.

Mirëpo, ky akt u bë shkak për zbulimin e tij. Një asket që e kishte dëgjuar dhe që ishte shtangur nga bukuria e të kënduarit, lajmëroi të parin e manastirit. Lajmi dha shkak për dyshime. Sepse brenda kësaj kohe, edhe perandori edhe patriku po e kërkonin në të gjitha anët me anë të dërguarish. Ikja e tij në mënyrë misterioze nga pallati kishte bërë përshtypje, sepse ai ishte një personalitet, tashmë i njohur për talentin dhe kulturën e tij në rrethet e larta të perandorisë.

Për ikjen e tij të fshehtë nga Konstandinopoja janë paraqitur mjaft supozime. Disa thonë se ai iku pse kapa turne prirje për jetën monakale ose pse, gjoja, ka refuzuar të merrte për grua një vajzë nga të aristokracisë që ia kishte propozuar perandori, e të tjera.

Kukuzeli, kur u thirr prej igumenit, natyrisht nuk e fshehu se kush ishte në të vërtetë, por, në të njëjtën kohë, i parashtroi edhe planin që kishte për t’iu kushtuar krejtësisht studimit dhe punimit të muzikës, duke iu lutur që të ndërhynte ku duhej për qëndrimin e tij përgjithnjë në Athos, pasi ndërkohë kishte kryer dhe stazhin e nxënësit për murg.

Dhe kërkesa iu plotësua. Me ndërmjetësimin e igumenit ai u lejua të qëndronte në Lavrën e Madhe, ku iu dha një qeli e posaçme në afërsi të saj. Në atë qeli të thjeshtë ai kreu gjithë atë punë të madhe në fushën e muzikës bizantine, gjersa vdiq në moshë të kaluar, i nderuar dhe i respektuar nga i gjithë Komuniteti dhe krishterimi orthodhoks, që vazhdojnë ta kujtojë si shenjt çdo vit më 1 të tetorit.

Kontributi i Jan Kukuzelit në zhvillimin e muzikës bizantine.

Eshtë thënë që në fillim. Kontributi që ka dhënë Kukuzeli në zhvillimin e muzikës bizantine, pra dhe të muzikës në përgjithësi, është i madh dhe vihet në dukje nga të gjithë bizantinologët dhe muzikologët që janë marrë me të dhe që në shumicën e tyre janë të huaj. Të gjithë e vlerësojnë si “burim të dytë” të muzikës bizantine.

Ky kontribut konsiston në mënyrë përmbledhëse në sa më poshtë:

1. Në bazë të sistemit ekzistues të shkrimit muzikor të periudhës së quajtur “damaskiniane”, Kukuzeli ndërtoi një sistem të vetin, i cili në muzikë njihet me emrin “sistemi kukuzelian”. Këtë sistem ai e pasuroi me një shumicë shenjash të reja, duke krijuar kështu mundësi për shprehjen sa më të plotë të karakterit monodik të këngës, të vetë melodisë, në të gjitha nuancat e saj, që nëpërmjet tyre virtuozizmi zanor të gjente një fushë të gjerë zhvillimi.

2. Ka ndërtuar për muzikën bizantine “sistemin e rrathëve muzikorë”, me të cilin stabilizoi një herë e mirë raportin që ekziston ndërmjet 4 tingujve kryesorë: dorianit, lidianit, frigjianit, dhe miksolidianit dhe 4 tingujve të tërthortë, që janë: ipodoriani, ipolidiani, ipofrigjiani dhe ipomiksolidiani.

3. Kompozoi shumë këngë dhe himne të reja, si polielejë, heruvikë e të tjera, duke vënë në përdorim dhe ison e këngës paqadike, ashtu siç gjendet ajo në këngët e vjetra dhe ka rishikuar e ndrequr melloditë e shumicës së këngëve që këndoheshin nëpër ceremonitë kishtare, që nga shërbesa e mbrëmjes e deri te liturgjia. Madje ka rishikuar dhe ka ndrequr edhe vetë tekstet e këngëve, duke kthyer një pjesë të tyre nga prozë në vargje, duke ndarë himnet në pjesë të njishme ose në gjysëmvargje, të njohura me termin anagrame dhe, në shumë raste, duke hartuar vetë edhe tekstin e tropareve.

Dorëshkrimet voluminoze të tij me këngën bizantine me nota, që gjenden nëpër bibliotekat e Athosit e nëpër bibliotekat e tjera të Evropës dhe që në tërësinë e tyre nuk njihen akoma mirë, tregojnë në mënyrë të qartë punën e gjerë që ka bërë Kukuzeli në të gjitha fushat e artit muzikor bizantin dhe justifikon plotësisht vlerësimin që i është bërë si “bilbili mrekullueshëm” në ekzekutimin e saj.

Nga këto, më të rëndësishme janë sidomos dy librat: njëri përmban këngët që janë vënë në melodi ose ndrequr prej tij dhe tjetri teorinë e këngës.

I pari, ka këtë titull: “Libër që me dëshirën e Perëndisë së shenjtë përmban tërë shërbesat e Kishës, i ndërtuar prej Mjeshtrit zotit Jan Kukuzeli”.

I dyti, që është edhe më i rëndësishmi, ka këtë titull “Arti i të kënduarit dhe shenjat e këngës bashkë me hironominë dhe kompozimin, bërë prej Mjeshtrit Jan Kukuzeli”, nëpërmjet të cilit ai, në formë pyetje-përgjigje, shtjellon anën teorike të muzikës bizantine. Ai është traktati i parë i këtij lloji.

Meritojnë gjithashtu të përmenden edhe dy vepra të tjera që titullohen: e para “Tropare për Hyjlindësen, poezi të zotit Manuil Rambatia, melodia e Kukuzelit” dhe e dyta “Kondaqe për gjithë vitin, të bërë nga Mihail Ananeoti dhe të ndrequra nga Jan Kukuzeli”.

Detyra e muzikologëve tanë

Vepra dhe personaliteti i Jan Kukuzelit njihet pak ndër ne, sepse pak është shkruar për të. Për kohën para Luftës II Botërore as që mund të bëhet fjalë për një gjë të tillë, po të përjashtojmë dy shkrime që ka botuar në një nga revistat e asaj kohe shkruesi i këtij artikulli dhe ku bëhej një paraqitje e shkurtër e jetës dhe e punës së Kukuzelit në lëmin e muzikës bizantine.

Më vonë kompozitorët Ramadan Sokoli dhe Kostandin Trako kanë shkruar për artistin tonë të muzikës Jan Kukuzelin dhe punën e tij. Janë botuar dhe disa artikuj të shkëputur në shtypin tonë, ndër të cilët po përmendim atë të shkruar nga Moikom Zeqo në gazetën “Drita” (12 shkurt 1978, faqe 12), me titull “Mbi figurën e Jan Kukuzelit”. Eshtë një fillim i mirë ky për popullarizimin e këtij personaliteti të madh muzikor. Por duhet ecur më përpara, në studime më të thelluara, lidhur p.sh. me formimin e tij, me largimin e tij nga kryeqyteti bizantin, me masën e ndikimit në krijimtarinë e tij të këngës popullore, me krijimtarinë e tij në tërësi, në bazë të një pasqyre të plotë dhe analize të hollësishme të të gjithë thesarit muzikor që ai ka lënë në dorëshkrime dhe që ndodhet i shpërndarë nëpër bibliotekat e mëdha të Evropës e sidomos në atë të Lavrës së Madhe të Athosit. Duhet gjurmuar edhe në vendin tonë, sidomos në Arkivin e Shtetit, se mos gjendet ndonjë kopje, sepse, siç dihet, muzika bizantine dhe tekstet e saj, janë përdorur vazhdimisht nëpër ish-manastiret dhe kishat orthodhokse.

Shën Jan Kukuzeli ynë mbetet një figurë e madhe e Kishës dhe e artit tonë muzikor dhe zë një vend nderi në historinë e vendit tonë e të muzikës.

DHIMITER BEDULI