U lind në vitin 1255, pranë Izmirit të Azisë së Vogël, prej prindërve të shquar, të pasur dhe shpresëtarë dhe u edukua sipas pozitës familjare. Familjarisht u skllavërua nga pushtuesit otomanë, por në qytetin Laodikia i liruan të krishterët vendas, duke paguar para. Grigori atëherë kërkoi të ushtrohet.
Në Qipro veshi petkun e murgut dhe hyri në Manastirin e Shën Ekaterinës të Sinait. Bindja, lutjet, psalmodia, studimi, agripnia, kreshma, puna që kryente, e bënin të respektuar nga të gjithë. Por disa e patën zili. Për këtë Grigor Sinaiti ikën nga Manastiri i Sinait dhe pasi lutet në Vendet e Shenjta, shkon në Kretë dhe bën jetë “praktike”, domethënë lufton për kalitjen e tij të jashtme. Por një eremit, që quhej Arsen, i mësoi “jetën teorike”, “agripninë” dhe “lutjen shpirtërore” domethënë jetën e brendshme shpirtërore. Dhe kjo arrihet kryesisht me “lutjen” “Zoti Iisu Krisht (Bir i Perëndisë) mëshiro mua (mëkatarin)”.
Grigori do të lëvdohet si initiator i ripërtëritjes së misticizmit të avave të vjetër e të mëparshëm bizantinë. Kudo ku vendosej, e rrethonin shumë veta, të cilët më vonë do të bëheshin të shquar. Tani nis lëvizja e ndritur e Isikaizmit.
Oshënari më pas shkoi në Malin e Shenjtë, ku predikonte metodën e pastrimit nga pasionet, të ndriçimit e të “rrëmbimit të mëndjes nga imazhet hyjnore dhe nga situatat hyjnore” dhe ishte i pari që predikoi lutjen shpirtërore. Por për shkak të dhunës së turqve shkoi në Konstandinopojë, nëpërmjet Selanikut.
Kur u ftua në pallat nga mbreti Andronik II (1282-1328) u “arratis” për në Trakë. Për shkak të cmirës së disave, u kthye në Athos. Përfundimisht u vendos në Trakë, ku ndërtoi manastire me ndihmën e carit bullgar. Atë kohë u përhap Isikaizmi tek të gjithë sllavët.
Shën Grigor Sinaiti fjeti kur po fillonin “grindjet isikaiste” kundër metodës së tij, në vitin 1347, më 27 nëntor, që festohet edhe sot. Shkrimet e tij përfshihen në përmbledhjen e quajtur “Filokalia”.
At Ju.