Në gjurmët e shenjtorëve
Shën Grigor Pallamai
Kisha jonë e shenjtë nderon në të dielën e dytë të Kreshmëve Shën Grigor Pallamanë. Veçanërisht në kohën tonë, kur shumë prej nesh kërkojnë shembuj përvoje spirituale ndër të huajt, duke mos njohur së pari përvojën tonë shpirtërore orthodhokse, përkujtimi i Shën Grigor Pallamait, i këtij mësuesi të dëgjuar të orthodhoksisë dhe asketi të madh të Malit të Shenjtë, merr një kuptim aktual. Kisha Orthodhokse synon gjithnjë të na njohë e të na afrojë sa më shumë me figura që janë treguar mësues dhe shtylla të patundura të orthodhoksisë.
Biografinë e Shën Grigor Pallamait e ka shkruar Shën Filotheu, patrik i Konstandinopojës dhe mik i ngushtë i tij. Nga të dhënat autentike që na jep Shën Filotheu ne mësojmë se në shekullin XIV jetonte në Konstandinopojë familja e shquar dhe e madhe e Konstandin Pallamait dhe Kalies, që kishin shumë fëmijë, nga të cilët i pari quhej Grigor. Prindërit shpresëtarë i rritën dhe i edukuan që të gjithë me frikë Perëndie. Pastaj, të dy prindërit u bënë monakë, i ati me emrin Konstandin dhe e ëma me emrin Kaloni. Prej prindërish të tillë ishte e natyrshme që Grigori të merrte një edukatë të mirë dhe një kulturë të gjerë. Postet e rëndësishme shtetërore, që i ofroi vetë perandori i asaj kohe Andronik Paleologu, ai i refuzoi. Anoi më tepër nga asketët dhe mësuesit e virtytit të Malit të Shenjtë Athos, të cilët kishte dëshirë t’i imitonte. Atje, pra, në Malin e Shenjtë, iu dha rasti, duke qenë murg, të jepet me mish e me shpirt pas ushtrimeve shpirtërore dhe përsosjes së krishterë.
Mbrojtës i Orthodhoksisë
Grigor Pallamai u tregua teologu më i madh bizantin i shekullit XIV dhe një nga më të rëndësishmit të të gjithë shekujve. Jetoi në një periudhë kritike dhe zuri një vend të shquar në historinë e spiritualitetit orthodhoks. Baza e luftës së tij shpirtërore qe mbrojtja e murgjërve isihastë të Malit të Shenjtë nga akuzat që u bënte një murg italian i quajtur Varlaam. Isihastët nuk paraqitnin diçka të re, por thjesht përjetonin në kohën e tyre traditën e vjetër të Kishës “mbi qetësinë”, të cilën e kombinonin me një lutje të vazhdueshme, fryt i së cilës ka qenë të tërhiqnin sa më pasurisht hirin e Perëndisë. Lutja e tyre e shkurtër, të cilën e përsëritnin jo formalisht, po me bindje të plotë, ishin fjalët: “O Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, ki mëshirë për mua”. Kësaj lutjeje ata nuk i atribuan ndonjë fuqi magjike, por nëpërmjet asaj mundoheshin të largonin mendjen nga gjërat e kësaj bote dhe të komunikonin pa telashe jo me qënien e Perëndisë, po me energjitë e tij të pakrijuara. Të gjitha këto i jepnin rast murgut Varlaam nga Perëndimi t’i akuzonte isihastët si heretikë.
Atëherë, Grigor Pallamai, njohës i traditës së Etërve të shenjtë më tepër nga kushdo tjetër, mori përsipër mbrojtjen e murgjëve isihastë. Sipas mësimit të tij, vazhdimi i traditës kishtare brenda jetës kultike ka qenë gjithnjë e pandërprerë. Të pandërprera janë gjithashtu mësimi dhe teologjia e Kishës. Mbrojtës i kësaj vazhdimësie, në personin e isihastëve, u tregua Grigor Pallamai në të tri sinodet lokale (1311, 1347 dhe 1351), të cilët u morën me problemin isihast.
Vazhdues i traditës së Etërve të Shenjtë
Shën-Grigor Pallamai përsërit tërë traditën e Etërve të Shenjtë. Dallon qënien e paafrueshme të Perëndisë nga energjitë e afrueshme të Tij. Ky dallim i qënies dhe i energjive të Perëndisë është shumë i vjetër. E mësuan Vasili i Madh, Gojarti i hirshëm, Konfesori Shën Maksim e shumë Etër të tjerë të mëdhenj të Kishës. “Qënia e Perëndisë është absolutisht e pakuptueshme nga njeriu”, shkruan Shën Vasili i Madh. Kurse “energjitë e tij zbresin drejt nesh” thekson Joan Damaskini. “Rrezatimi dhe hiri i Perëndisë që vijnë te njeriu me përqëndrimin në vetveten e tij dhe me lutjen” nuk janë veçse energjitë e paafrueshme të Perëndisë, mëson tani Shën Grigor Pallamai. Këto energji vijnë prej Perëndisë dhe shpërblejnë ata që rrojnë në Hyjni. Etër më të vjetër të Kishës mësuan se për afrimin e Perëndisë njeriu disponon dy sy shpirtërorë të ndryshëm. Me njërin ngrihet te Krijuesi nëpërmjet natyrës dhe veprave të krijesës dhe me tjetrin drejtohet te Perëndia nga misteret e Zbulesës dhe nga besimi.
Sikurse gjatë Shpërfytyrimit të Shpëtimtarit u shfaq Perëndia e Trinishme tek të tre apostujt – Petrit, Jakovit dhe Joanit -. Kështu edhe tani shfaqet brenda nga energjitë e Tij në të gjithë ata që kanë fuqinë ta duan më shumë.
Një kthesë shpresëdhënëse në mësimin e Etërve të Shenjtë dhe në mënyrën e jetës po vihet re kudo në botën tonë orthodhokse. Pas kërkimeve të pafund të njeriut të kohës sonë nëpër fushat pseudoshpirtërore, ai sot duhet të drejtohet drejt arritjes së një jete spirituale të pastër, të bukur, nga thesari ynë teologjik dhe nga kulti i Kishës sonë Orthodhokse.
B.