EmailFacebookKontakt

Shën Grigor Pallamai mbi Djalin Plangprishës

Do të ketë zi buke, – thotë profeti, duke qarë për Jerusalemin, – jo uri e për bukë dhe ujë, por për fjalën e Zotit. (Amos 8:11)

…Disa, duke qenë në zi shpirtërore prej kohësh, humbasin edhe dëshirën për t’u ngopur; bëhen të pandjeshëm ndaj së dëmshmes. Kur takojnë ndonjë prift, nuk ia dëgjojnë mësimet, madje, nëse ai do të mungonte, nuk do ta kërkonin dhe do të bënin një jetë edhe më mëkatare se djali plangprishës. Ky i fundit, me gjithë varfërinë e tij, larg ushqimit të të Atit, kur ra në zi buke, u pendua, u kthye dhe mori përsëri ushqim hyjnor e të pastër. Falë pendimit të thellë, fitoi dhuntitë e Shpirtit deri në atë pikë sa patën zili për pasurinë e tij. Le ta tregojmë sërish këtë shëmbëlltyrë ungjillore:

“Një njeri, – thotë Zoti, – kishte dy bij.” Këtu i referohet Vetes. Sepse, nëse Ai u bë njeri për shpëtimin tonë, nuk është çudi që të paraqesë Veten (në paravoli) si njeri, që të na japë një mësim të dobishëm; Ai që kujdeset gjithmonë për shpirtrat dhe trupat tanë, si Zot dhe Krijues i të dyjave. Vetëm Ai e tregoi këtë vepër të dashurisë dhe bujarisë së tejskajshme ndaj nesh edhe para se të ekzistonim. Edhe para se të vinim në botë, Ai përgatiste për ne trashëgiminë e përjetshme të Mbretërisë.

Pra, një njeri kishte dy bij; kështu dispozitat kontradiktore ndajnë natyrën e vetme, ashtu si virtyti dhe mëkati i ndajnë njerëzit në dy grupe. Themi se një person është i dyfishtë kur ka zakone të përziera dhe anasjelltas, se disa janë një kur solidarizohen me njëri-tjetrin. Më i riu i bëri të atit një kërkesë të papjekur dhe krejtësisht të pakuptimtë; edhe mëkati, që shkakton largimin (nga Zoti), është më i ri në origjinë, duke qenë shpikje e mëvonshme e vullnetit tonë të mbrapshtë. Përkundrazi, virtyti është i parëlindur, duke qenë nga përjetësia në Perëndinë dhe i vendosur në shpirtrat tanë që në fillim. “Më jep pjesën e të mirës që më takon” – i tha të atit. Çfarë marrëzie! Nuk u përkul para tij, as e pyeti, por “i tha”, duke kërkuar me ngulm, si një detyrim nga ana e Atij që u jep të gjithëve falas. “Më jep pjesën e të mirës që më takon me të drejtë.” Po cila e drejtë i bën etërit debitorë të fëmijëve të tyre?! Në fakt, fëmijët i detyrohen etërve, pasi kanë marrë ekzistencën prej tyre. Në këtë pikë, sjellja e djalit i përshtatet papjekurisë së tij…

Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi gjithçka dhe u nis për në vend të largët, – thotë Krishti. Pse nuk u largua menjëherë? Sepse joshësi dinak, djalli, nuk i propozon menjëherë njeriut që ta ndjekë në mëkat, por e bind gradualisht, duke i fryrë në zgavrën e veshit: “Dhe ti, duke jetuar sipas gjykimit tënd, pa shkuar në kishë, mund të shohësh vetë se çfarë është e përshtatshme, pa u larguar nga e mira.” Kur ai e largon dikë nga himnet e shenjta dhe nga fjalët e mësuesve të shenjtë, e largon nga mbrojtja hyjnore, duke e dorëzuar në veprat e tij të liga. Sepse Zoti është i pranishëm kudo, por vetë e keqja u largua nga e mira, dhe prandaj kur mbetemi në mëkat, largohemi nga Zoti. “Të pabesët nuk do të qëndrojë para syve të Tu (Ps. 5.6), i thotë Davidi Perëndisë.

Kështu, djali i vogël u largua (nga i ati) dhe shkoi në një vend të largët, ku shpërdoroi të gjithë pasurinë e tij duke jetuar në shthurje. Si e shpërdoroi të mirën e tij? Pasuria jonë kryesore është, mbi të gjitha, mendja. Për sa kohë që qëndrojmë në rrugën e shpëtimit, ajo mbetet brenda nesh dhe ne priremi drejt Mendjes së parë dhe supreme: Perëndisë; por kur u hapim derën pasioneve, mendja shpërndahet menjëherë, duke bredhur pafundësisht në kënaqësitë dhe dëfrimet trupore. Pasuria e këtij të riu është mendja e shëndoshë, që mbetet tek ai dhe krijon dallimin midis së mirës dhe së keqes për sa kohë që ai vetë i bindet urdhrave dhe këshillave të Atit. Por, nëse e refuzon këtë, atëherë mendjen e shpërndan në kurvëri dhe marrëzi. Kjo vlen dhe për çdo virtyt dhe forcë tonën, që përbëjnë pasurinë tonë, të cilat kur janë nën ndikimin e së keqes shumëformëshe, jepen tek i ligu dhe shpërndahen….

Pasi i shpenzoi të gjitha, filloi të ndjente privimin, uri, por ende nuk u kthye, sepse ishte i pabindur. Prandaj “shkoi të gjente një nga banorët e atij vendi: dhe ky dërgoi në arat e tij për të ushqyer derrat”.

…Vetëm kur erdhi në vete dhe pasi e kuptoi gjendjen e mjerueshme në të cilën kishte rënë, ky bir, i cili ishte ndarë nga i ati, qau për veten e tij duke thënë: “Sa punëtorë të babait tim kanë bukë me bollëk dhe unë vuaj nga uria.” Kush janë këta punëtorë? Ata që për djersën e pendimit dhe përulësinë e tyre marrin shpëtimin si shpërblim. Ndërsa bijtë janë ata që, nga dashuria për Të, u nënshtrohen urdhërimeve të Tij, sipas mësimit të Krishtit: “Ai që më do mua, do ta ruajë fjalën time” (Jn. 16.23).

Kështu ky djalë i vogël, i privuar nga dinjiteti birëror, i përjashtuar vullnetarisht nga atdheu i shenjtë dhe që jeton në zi buke, dënon veten, përulet dhe me pendim thotë: “Do të ngrihem, do të shkoj dhe do të bie në këmbët e Atit dhe do t’i them: ‘Atë, kam mëkatuar kundrejt qiellit dhe përpara teje.'”…

…Vëllezër, me vepra pendimi le të ndahemi nga i ligu dhe kopeja e tij; nga derrat dhe lendet që ushqehen ata, d.m.th. nga pasionet e turpshme si dhe ata që jepen pas tyre; të largohemi nga kullotat e pashëndetshme, pra nga zakonet e këqija; të arratisemi nga vendi, i cili është mungesa e besimit, dëshira e pangopur dhe mospërmbajtja; dhe le të rendim drejt Atit të paprishshmërisë, Dhuruesit të Jetës. Le të ecim në udhën e jetës përmes virtyteve; sepse këtu do Ta gjejmë duke na pritur me dashuri, ai ati i paravolisë, dhe duke na dhënë falje të mëkateve, zotimin e pavdekësisë, parashijimin e trashëgimisë që do të vijë.

Djali plangprishës, ndërsa ishte në vendin e pasioneve, edhe kur i mendonte fjalët e pendimit dhe i thoshte ato, nuk kishte dobi prej tyre. Dobi pa vetëm kur i la të gjitha veprat e mëkatit dhe u kthye tek i ati.

Duke marrë atë që kapërcen çdo shpresë, ai qëndroi në përulësi gjatë gjithë ditëve të jetës së tij, duke jetuar në shpresëtari dhe drejtësi dhe duke e ruajtur të pacenuar hirin e Perëndisë të ripërtërirë.

Edhe ne, pra, le ta ruajmë të pacenuar, që të gëzojmë jetën që do të vijë me djalin plangprishës të shpëtuar në Jerusalemin e Sipërm, Atdheun e të gjithë të gjallëve, Kishën e të parëlindurve, me Krishtin, Zotin tonë, të cilit i përket çdo lavdi në jetë të jetëve.

Përktheu Eleni Pani