EmailFacebookKontakt

Shën Fileti i Ilirisë

Shën Fileti ishte nga Dalmacia dhe ishte senator. Ai dhe tërë familja e tij ishin të krishterë; e shoqja shën Lidia, si dhe fëmijët e tyre, shën Maqedoni e shën Theoprepi. Jetonin në Dalmaci në kohën e perandorit Adrian (117-138). Meqënëse ishin të krishterë u arrestuan dhe u dërguan para perandorit.

Perandori Adrian nuk mundi dot t’i përgjigjej fjalëve që Shpirti i Shenjtë i frymëzonte Filetit. “Dhe kur t’ju çojnë në sinagoga, para gjyqtarëve dhe autoriteteve, mos u shqetësoni se si e çfarë do të përgjigjeni, ose ç’do të thoni; sepse Shpirti i Shenjtë do t’ju mësojë po në atë orë se ç’duhet të thoni” (Luk. 12:11-12).

Ndaj perandori i dërgoi ata tek guvernatori ushtarak i Ilirisë, që në atë kohë ishte Amfiloku. Edhe përpara guvernatorit ata u përgjigjën me trimëri se ishin të krishterë. Kur dëgjoi këtë guvernatori dha urdhër që t’i nënshtroheshin torturave. I shtrinë në një tavolinë të madhe, dhe filluan t’i rrihnin egërsisht me shpata druri.

Duke parë durimin dhe qëndresën e tyre mbinatyrore, sekretari i gjyqit, Kronidi, besoi në Krishtin dhe e rrëfeu përnjëherë trimërisht besën e tij. Mund ta merrni me mend tërbimin e guvernatorit dhe të torturuesve të tjerë, të cilët pritnin që torturat do e mposhtin familjen e Filetit, dhe jo që të tjerë të ktheheshin e të bëheshin të krishterë. Kështu që edhe Kronidi pësoi fatin e martirëve të tjerë.

Pastaj, të tërë familjen e Filetit dhe Kronidin i çuan në burg. Gjatë natës ata u vizituan nga një engjëll, i cili i ngushëlloi dhe i trimëroi. Perëndia gjithmonë nuk i braktis shërbëtorët e tij. Ai vigjëlon mbi çdo shpirt, të cilin e do sikur të ishte i vetmi në këtë botë. Kujdesi i Perëndisë i preku dhe ju dha kurajo të madhe. “Kur Zoti është me ne, kush mund të na rrijë kundër?”

Të nesërmen në mëngjes, Amfiloku urdhëroi që të përgatitej një kazan i madh plot me vaj dhe me rrëshirë. Mbasi e vunë në zjarr kazanin dhe pritën që ai të valonte, atëherë hodhën brenda Filetin, Lidian, Maqedonin, Theoprepin dhe Kronidin. Por ja, përsëri ndodhi një mrekulli: në kontaktin me trupat e shenjtëve, lëngu që po ziente u ftoh përnjëherë. Përpara kësaj mrekullie edhe Amfiloku i ashpër u trondit. Zemra e tij u zbut nga prania e hirit hyjnor. Ai besoi në çast në emrin e Jisu Krishtit dhe thirri me zë të madh nga thellësia e shpirtit të tij: “Zoti Jisu Krisht, eja e më ndihmo!” Një zë qiellor ju përgjigj: “Lutja tënde u dëgjua, eja e ngjitu deri tek mua!” Pendimi, kjo ndjenjë hyjnore jep gjithmonë fruta. Perëndia jonë i dashur dhe zemërdhembshur i fal dhe i mëshiron gjithmonë ata që pendohen me të vërtetë. Sado fjalë të kenë bërë, sado të kenë luftuar kundër tij; nëse ata pendohen me gjithë zemër, Ai e hap derën e qiellit, ashtu siç ia hapi edhe kusarit të penduar në kryq: “Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë” (Luk. 23:43). Këto ngjarje bënë një përshtypje të madhe në të gjithë Ilirinë. Edhe shumë të tjerë u kthyen e u bënë të krishterë.

Kur ja raportuan perandorit Adrian në Romë këto ngjarje, ai u tërbua nga zemërimi, dhe përnjëherë u nis për në Iliri. Ai kishte shpresuar që senatori Filet do të nënshtrohej, dhe do kthehej përsëri në fenë pagane, ndërsa ndodhi e kundërta, ai po kthente të tjerët. Kështu që, kur arriti në Iliri, ai i thirri dëshmorët e Krishtit dhe filloi t’i kërcënonte, por qe e kotë, sepse besa e Krishtit i mund të gjitha. Duke parë që kërcënimet nuk po jepnin rezultat, ai dha urdhër të torturoheshin. Dhe kur edhe torturat nuk dhanë atë që priste, ai, i mbushur me zemërim, dha urdhër që të gjashtë shenjtët ilirë të hidheshin sërish në një kazan të madh që kishte shtatë ditë që po ziente. Por në kontakt me trupat e shenjtëve, prapë lëngu u ftoh menjëherë dhe të gjashtë mbetën të padëmtuar.

I turpëruar nga kjo mrekulli perandori u kthye përsëri në Romë. Ndërsa shenjtët, mbasi u lutën dhe falenderuan Perëndinë, i dhanë shpirtërat e tyre në duart e Tij, duke marrë kurorën fitimtare të martirit. Kisha jonë orthodhokse e nderon kujtimin e tyre në 27 mars.

J.P.