EmailFacebookKontakt

Shën Efimia

NGA SHENJTORËT E MUAJIT

Shën Efimia (11 Korrik)

Shën Efimia rridhte nga Halkidona, që gjendet përballë Kostandinopojës. I ati quhej Fillofron. Ishte shumë i pasur. Nëna e saj Theodhosiani, ishte e krishterë dhe dallohej për besimin e saj.

Nga një rrënjë e tillë, nga nëna e pasur me virtyte, doli Efimia, në kohën e Perandorit Dioklecian (284-305 pas Krishtit), përndjekës i egër i të krishterëve. Ishte një e re e mbushur me dëshirë për Zotin, të cilin e dashuroi me gjithë shpirt. Besimi i madh dhe i flaktë i Efimisë, si dhe virtytet e saj u shpalosën më shumë kur shpërtheu përndjekja e ashpër dhe e frikshme kundër të krishterëve.

Përndjekja e madhe dhe pohimi i mrekullushëm i të krishterëve

Në ato vite të frikshme, perandori Dioklecian shpalli një përndjekje të madhe kundër të krishterëve. Ku jetonte Efimia, udhëheqës ishte Priskas. Si ndihmës kishte Apelianin, priftin e Aresit, perëndisë pagane të luftrave.

Kur arriti e kremtja e Aresit, zotërit vendas dërguan në të gjithë zonën e Halkidonës urdhëresa dhe predikues. Ftonin të mëdhenj të vegjël, me dashje dhe pa dashje, të shkonin në festën e perëndisë së rreme pagane. Ata që do ishin kundër pushtetit idhujtar dhe s’do të shkonin në tempull, do të provonin tortura të tmerrshme dhe vdekje tragjike.

Në atë kohë, ata që ishin te kishterë grumbulloheshin e përbënin grupe të bekuara dhe shoqëri entuziaste. Nga këto grupe disa bënin mbledhje në shtëpi, kurse të tjerë shkonin në shkretëtirë. Atje kalonin ditët dhe netët e vështira me lutje, falje dhe adhurim tek Perëndia. Në një grup e shoqëri të tillë merrte pjesë dhe besimtarja e madhe Efimia, madje dhe si udhëheqëse e grupit.

Kur u mblodhën paganët për të kremten, Apeliani i ligë e nxiti udhëheqësin të arrestonte shumë nga të krishterët. Ndërmjet tyre zuri dhe Efiminë me shokët e saj.

Tirani, tregoi menjëherë fytyrën e vërtetë prej bishe. Urdhëroi t’i burgosnin dhe t’i rrihnin pa mëshirë për 20 ditë rresht. Martirët gëzoheshin, sepse merrnin plagë për Krishtin. Të krishterët nuk u përulën, ndaj gjykatësi mizor urdhëroi që martirët t’i dërgonin tek Diokleciani i pamëshirshëm. Kështu e këshilloi Apeliani.

E shenjta në martirin e rrotës

Ndërsa të shenjtën Efimi e ftoi afër tij dhe i premtonte shumë. Shpresonte i pamendi se do ta mashtronte. Ajo përgjigjej me gjakftohtësi të habitshme:

– Fuqia e Krishtit, zotëri, është e pathyeshme dhe mos mendo se më shikon grua e do frikësohem.

Tirani, kur dëgjoi këto fjalë, luajti mendsh dhe urdhëroi ta torturonin në rrotë. Ishte një torturë që shkatërron trupin njerëzor. Por, në sajë të mëshirës së Perëndisë martirja doli nga rrota dhe ecte e shëndetshme dhe e padëmtuar. Fytyra e saj ishte më e bukur se më parë. Një dritë hyjnore i lante fytyrën.

Në furrën e ndezur

I verbuar nga egoizmi, Prisku jo vetëm nuk i besoi fuqisë hyjnore, por urdhëroi të ndiznin menjëherë zjarr në një furrë të madhe. E ndezën dhe flakët u ngitën lart. Në atë kohë përgjegjësit e xhelatëve, Sostheni dhe Viktori, erdhën tek Prisku dhe i thanë:

– Ne, siç e shikon dhe vetë, jemi të gatshëm të zbatojmë urdhrat e tua, por këtu nuk mundemi, sepse shikojmë në krah të saj burra të frikshëm, që na frikësojnë dhe janë të gatshëm të shpërndajnë zjarrin për ta mbrojtur atë. Me këto që shikojmë, besojmë edhe ne se Perëndia e Efimisë, Krishti, është Perëndia i vërtetë. Prisku, sapo i dëgjoi, e humbi dhe urdhëroi menjëherë t’i burgosnin të dy dhe më pas t’ua hidhnin bishave të egra.

Udhëheqësi kokëshkretë urdhëroi dy shërbëtorët e këqinj, Qezarin dhe Varin, ta hidhnin të shenjtën në furrën e zjarrtë. Ata u afruan, por nuk i panë engjëjt, sepse ishin me predispozicion jo të mirë dhe nuk kishte mundësi për të besuar. Ndaj, e hodhën Efiminë brenda zjarrit. Flaka u dendësua, u derdh rreth furrës dhe dogji xhelatët. Martirja fitimtare ndërkohë lutej, sikur të ishte brenda një vendi të freskët e çlodhës. Kur flaka u shua dhe shërbëtorët u shpërndanë nga dënimi hyjnor, e shenjta doli nga furra krejtësisht e padëmtuar.

I kruajnë mishrat

Ditën tjetër tirani urdhëroi të sillnin të shenjtën nga burgu. Kur erdhi martirja përpara, ai i tha:

– Deri kur ti Efimi do të lodhësh veten tënde, do të mërzitësh perënditë dhe do të zemërosh mbretin? Më e mira për ty është të sakrifikosh për perënditë e mëdha.

– Ç’gjë është më e urtë nga ajo që të mos besosh në gurët pa shpirt dhe tek perënditë që nuk dëgjojnë e flasin dhe janë pa ndjenja, – u përgjigj e shenjta. A ka gjë tjetër më qesharake dhe pa mend se të besojë dikush tek ato?

Tirani u mbush me inat dhe urdhëroi t’i kruanin mishrat me gurë me maja dhe hekura të mprehtë. Xhelatët e padhimbshëm i kthenin shpesh poshtë e lart veglat e martirizimit dhe prisnin e shqyenin mishrat e së shenjtës, por martirja dukej përsëri e padëmtuar.

Prisku qëndronte gjithmonë i verbër përpara mrekullive, sepse ishte me vullnet të keq, prandaj e solli përsëri të shenjtën në amfiteatër dhe e urdhëroi të përleshej me bishat.

E shenjta mërzitej, pse nuk largohej sa më shpejt për tek dhëndri i dëshiruar, Krishti, në jetën dhe gazin e vërtetë e të përjetshëm. Prandaj, u lut si më poshtë:

– Zot dhe Mbret, që në fillim më tregove fuqinë Tënde të pamundshme, kontrollove sëmundjen e demonëve, mosnjohjen e tiranëve dhe më bëre më të fortë me plagët dhe mundimet. Siç pranove gjakun e martirëve para meje, prano dhe sakrificën time, therrjen e shpirtit të dërrmuar dhe frymën e përulësisë së ofruar për Ty. Merre shpirtin tim dhe prehe nën hijen e shenjtorëve dhe martirëve.

Kështu, duke u lutur virgjëresha e mirë martire, katilët lanë të vërshonin 4 luanë dhe 3 arinj. Bishat u afruan dhe puthnin me shumë respekt, si të ishin njerëz, këmbët e së shenjtës. Por, ndodhi që një arushë kafshoi një pjesë nga trupi i të shenjtës. Plagë apo shenjë nuk bëri asnjë në trupin e së shenjtës. Kjo u bë shkak të shkonte martirja Efimi tek dhëndri i dëshiruar Krisht. Ishte 16 shtator i vitit 303 pas Krishtit.

Perëndia lavdëroi daljen e saj nga kjo botë, sepse u dëgjua një zë nga qielli që thoshte: “Tani, ngjitu tek Ai që fal kurorën, ti që luftove për rrugën e mirë dhe e përfundove atë. Shko të marrësh pagën dhe shpërblimin e mundimeve të tua. Njëkohësisht me zërin, ndodhi një tërmet i madh që tronditi qytetin. Të gjithë banorët u trembën dhe dolën jashtë.

Atëherë, prindërit e të shenjtës, gjetën rast e morën trupin e çmuar dhe martirik të saj. Lipsanin e shenjtë e varrosën afër Halkidonës. Atje qëndroi për shumë vjet, duke bërë shumë mrekulli dhe shërime të pafund.

Vërteton librin e Sinodhit

Mrekullia më e rëndësishme, që forcoi besimin e orthodhoksëve dhe bëri që emri i saj të dëgjohej me famë dhe të nderohej në të gjithë botën, është kjo: Një prift me emrin Eftihi, i nxitur nga Satanai, në vitet e Theodhosit të Vogël, më 410 p. Kr, kryetar i herezisë, mbështeste se Zoti ynë Iisu Krisht ka një natyrë, atë të Perëndisë. Shën Flaviani për këtë e shkarkoi nga detyra, por ai përdorte eunukët e Mbretërisë si vegla dhe lëkundte paqen e kishës me mosbesim. Kjo ndodhi derisa vdiq mbreti Theodhos. Kur mbretëronte Markiani bashkë me Pulherian, më 451, u mblodh Sinodi Ekumenik IV në Halkidonë, për të shqyrtuar çështjen. Erdhën në të 630 episkopë.

Pas një diskutimi të madh teologjik, Sinodhi dënoi Eftihin dhe pasuesin e tij Phisuhro, si dhe të gjithë ata që vazhdonin të shikonin tek Krishti një natyrë dhe një veprim dhe jo dy natyra e dy veprime, hyjnoren dhe njerëzoren, të kobinuara me njëra tjetrën. Heretikët, me gjithë këto, nuk besonin tek dogma orthodhokse e Sinodhit të Shenjtë. Për këtë Etërit e shenjtë përdorën një mënyrë tjetër për t’i bindur. Të dy palët, orthodhoksë dhe heretikë, shkruan në dy libra të veçantë se çfarë besonin.

Atje në Halkidonë, siç thamë, ishte kutia që kishte trupin e Shën Efimisë. E hapën me besim dhe respekt dhe i lanë mbi kraharor të dy librat; orthodhoksin dhe heretikun. E vulosën kutinë dhe pas disa ditësh e hapën përsëri. Panë një mrekulli të habitshme dhe të madhe. E gjetën librin e heretikëve të hedhur poshtë këmbëve të saj, ndërsa librin e orthodhoksëve, që kishte vendimin e Sinodhit të Shenjtë, e mbante Shën Efimia në prehrin e saj. Pas kësaj mrekullie orthodhoksët u gëzuan, u mbështetën në besim dhe lavdëruan Perëndinë që bën mrekulli të tilla, për t’u korrigjuar shumë dhe të futen në rrugë të drejtë. Heretikët u turpëruan.

Kujtimi i saj kremtohet më 11 korrik.

Ikona e mësipërme është e realizuar ashtu siç iu shfaq Shën Efimia Jerond Paisit. Ja dhe historia:

Ishte shfaqur një problem kishtar. Disa episkopë shkuan tek Jerondi e i kërkuan ndihmë. Por, ishte shumë e vështirë. Jerondi sado që dëshironte të ndihmonte, nuk mundej, se, siç thoshte, ngado që ta shikonte çështjen nuk ekzistonte një rrugëdalje shpirtërore. Kështu, vendosi të lutej. Lutej, që Perëndia t’i jepte zgjidhje problemit që po përballonte Kisha jonë. I lutej veçanërisht Shën Efimisë dhe i thoshte:

– “Shën Efimi, ti që me “vendimin Ekumenik” atëherë zgjidhe problemin e madh të Kishës, nxirre sërish Atë nga ky qorrsokak.”

Një mëngjes, papritur, dëgjon se dikush po i trokiste tek dera e jashtme. Jerondi nga brenda pyeti:
– Kush është?
Dëgjoi një zë gruaje që i përgjigjet:
– Efimia jam, Jerond.
– Cila Efimi? – pyeti Jerondi
Nuk mori përgjigje, por dera trokiti për të dytën herë dhe Jerondi pyeti përsëri:
– Kush është?
Përsëri u dëgjua i njëjti zë t’i thotë:
– Efimia, Jerond.

Trokiti për të tretën herë dhe Jerondi ndjeu se brenda në qelinë ku ndodhej dikush hyri dhe kaloi korridorin. Shkoi tek dera e atëherë pa Shën Efiminë, e cila në mënyrë të mrekullueshme kishte hyrë nga dera e mbyllur dhe në atë çast i lutej një ikone të vogël të Shën Triadhës, të cilën Jerondi e kishte varrur në të djathtë të derës së Kishës, në murin e korridorit.

Atëherë, Jerondi i tha shenjtores për ta provuar:
– Thuaj: Lavdi Atit, dhe Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë.

Shenjtorja e pohoi qartë këtë lutje dhe Jerondi menjëherë ra në gjunjë t’i lutej.

Pas kësaj, tregon Jerondi, qëndruan shumë kohë. Sesa, thotë ai, nuk mundi ta përcaktojë, sepse për sa kohë diskutonin me Shenjtoren, kishte humbur sensin e kohës. Shenjtorja i dha zgjidhjen që priste Jerondi për të tria çështjet që e preokuponin dhe për të cilat ai lutej, dhe në fund ai i tha:
– Dua të më thuash, se si e përballove martirizimin?

Dhe shenjtorja iu përgjigj:
– Jerond, nëse do ta dija se ç’më priste në këtë jetë të përjetshme dhe në bukurinë qiellore që shijojnë shpirtrat pranë Perëndisë, po të them me të vërtetë, do të lutesha të mos mbaronte kurrë ai martirizim, i cili nuk është asgjë para atyre që m’i dhuroi Hiri i Perëndisë.