EmailFacebookKontakt

Shën Athanasi i Madh

Kremtohet më 18 janar, së bashku me mësuesin tjetër ekumenik dhe kryepiskop të Aleksandrisë, Kirilin. Athanasi është mësuesi kryesor dhe At i Madh dhe “shtyllë e Orthodhoksisë”. U lind në vitin 295 prej prindërish të pasur të krishterë të Aleksandrisë. Që i vogël duke luajtur si episkop, “pagëzoi” në mënyrë aq të përkryer një fëmijë, saqë Shën Aleksandri i Aleksandrisë (29 maj), që kishte aftësinë e parashikimeve, e njohu këtë pagëzim. (Dihet se në raste nevojash të ngutshme, edhe një orthodhoks laik mund të bëjë pagëzim). Theolog dhe filozof i thellë, ai u dorëzua dhiak (para vitit 318) dhe ndoqi pas jerondin Aleksandër në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikesë (325), ku edhe dominoi, edhe pse i ri në moshë. Kur, pas kërkesës së përgjithshme pasoi në fron Aleksandrin (328), ai organizoi tërë krahinën e vet. Megjithë urdhërin mbretëror, ai nuk e pranoi Arion, kryetarin e sektit të arianizmit, i cili hiqej si orthodhoks. Dhe kështu filluan përndjekjet. Shkatërrues i dallgëve të herezive e të idhujtarisë, ai u përndoq nga katër perandorë dhe u përjashtua nga sinodet ariane. Nga 46 vitet e tij si episkop, 16 ose 20 i kaloi në internim ose i fshehur në një pus të tharë, në shkretëtirë, në varrin atëror, në një vend që askush nuk mund të imagjinonte, shtëpinë e një virgjëreshe, ndoshta të oshënares Singlitiki (5 janar). Për Athanasin shpifnin pa ngurrim: psh. se vrau gjoja një episkop dhe me dorën e prerë të këtij bënte magjira; por ai ua çon episkopin të gjallë e me tërë gjymtyrët. Paraqesin një grua të ulët se gjoja atë e ka çnderuar ai; por del se ajo nuk e njihte fare. Ikën në Konstandinopojë, por internohet në Galati (Francë). Kthehet në v.337 dhe dëbohet në v.340. Shkon në Romë dhe Sinodi e shpall të pafajshëm. Në v.346 kthehet në mënyrë triumfale. Në v.356 orthodhoksët e largojnë me forcë. Pas gjashtë vitesh kthehet, ndërsa pas 8 muajsh internohet përsëri. Kthehet (v.363) dhe internohet për të pestën herë (v.365). U thirr më 1.2.366 pas ndërhyrjes dinamike të popullit dhe drejtoi grigjën e vet i pashqetësuar deri në fjetjen e tij në v. 373, më 2 maj, ditë që festohet kujtimi i tij. Megjithë luftrat e vazhdueshme kundër tij, mësuesi ekumenik shkroi shumë vepra të çmuara apologjetike, antiheretike, interpretuese, letra dhe vepra asketike, siç është Jeta e Andonit të Madh (17 janar), me të cilin ishin ushtruar së bashku.