Shën Andoni i madh u lind rreth vitit 251 pas Krishtit. Ishte nga Egjipti i sipërm dhe familja e tij posedonte mjaft pasuri.
Që kur ish i vogël Shën Andoni shkonte bashkë me prindërit nëpër mbledhjet e të krishterëve, falej bashkë me ta, dëgjonte me vëmendje predikimet, merrte pjesë në diskutimet për probleme fetare dhe punonte për përhapjen e krishtërimit. Me prindërit sillej shumë mirë, i dëgjonte dhe kryente me gëzim çdo punë që e ngarkonin. Ata gëzoheshin dhe falenderonin Zotin për fëmijën e mbarë që kishin.
Shën Andoni pas vdekjes së prindërve
Në moshën 18-20 vjeç Andoni humbi të dy prindërit e tij të dashur. U hidhërua, por, i ngushëlluar nga mësimet e Kishës, e mblodhi shpejt veten duke u përqëndruar përsëri në mësimet e fesë dhe në kujdesin për motrën e tij shumë të vogël. Nuk e dehu fakti që u gjet zot dhe administrator i një pasurie të madhe. Frika e gjallë e Perëndisë dhe dashuria Ungjillore, e kishin mësuar të jetë i thjeshtë dhe vetpërmbajtës. Kur një të dielë dëgjoi në Kishë Ungjillin, në të cilin Krishti, duke iu drejtuar një të riu pasanik, i tha se po të dëshironte të bëhej i përsosur, të shiste pasurinë dhe të hollat tua ndante të varfërve e t’i shkonte pas, me aq dhembshuri dhe ndjenjë bamirësie iu mbushur shpirti, sa që menjëherë e vuri në zbatim thirrjen hyjnore.
Fillimi i jetës së tij asketike. Dieta e një shenjti.
Pastaj deshi të bënte një jetë më vete, por pa u shkëputur krejt nga kisha e gjallë e Krishtit që rronte dhe vepronte në gjirin e botës. Mirëpo, në atë kohë s’ka patur manastire dhe nuk ish futur akoma ndonjë njeri nëpër shkretëtirat e Egjiptit për të jetuar më vete, për të bërë jetë monakale. Vetëm ata që dëshironin të jetonin disi të veçuar, larg tronditjeve të shoqërisë, ngrinin banesa më vete, të thjeshta e modeste jashtë qëndrave të banimit dhe bënin një jetë disi më vete. Ndërsa Shën Andoni zgjodhi një vend shkretëtire midis Menfit dhe Arsionit.
Duke mos patur të holla e duke mos pranuar të tilla prej askujt, dhe, duke dëgjuar fjalët nga Shkrimi i Shenjtë se ai që nuk punon nuk duhet as të hajë, punonte për të nxjerrë ushqimin me djersën e ballit, kurse kohën që i mbetej, ia kushtonte lutjes. Nuk kish bërë asnjë lloj arsimi. Në fshatin e tij s’ka patur shkollë.
Kujdesej shumë që të vinte në kontakt me anakoretë të tjerë, d.m.th me njerëz që jetonin në vetmi si ai. I takonte me respekt, me ëmbëlsi dhe me përulësi, interesohej të mësonte nga secili çdo gjë të mirë e të vlefshme për virtytin. I pëlqente veçanërisht t’i lexonin Shkrimin e Shenjtë.
Kujtesa e fortë e tij dhe përpjekjet e bëra.
I kish kushtuar një kujdes të veçantë ky burrë i shenjtë ushtrimit të kujtesës, që i vlejti në vënd të librit. Kish mësuar përmendësh kapituj të tërë nga Shkrimi i Shenjtë.
Për t’u admiruar është gjithashtu dhe lufta e madhe që ka bërë për përsosjen e tij trupore dhe shpirtërore. I thjeshtë në të ngrënë – hante vetëm bukë – dhe i kursyer në gjumë. Pjesën më të madhe të natës ia kushtonte lutjes, si dhe meditimit të mendimeve dhe gjykimeve hyjnore ose vështrimit dhe dëgjimit të natyrës, e cila me lulet e saj, me yjt e saj, me shpendët dhe kafshët e saj, me freskinë e me gjëmimet e saj, lajmëron mirësinë dhe tërëfuqinë e Krijuesit të Gjithësisë. Dhe shtrihej mbi një shtresë të thjeshtë e të ashpër, shpesh vetëm sipër një rogozi, duke patur parasysh se një murg dhe eremit, që të jetë i zoti i plotë i vetvetes duhet që, përveç ushtrimeve shpirtërore, të bëjë dhe një jetë trupore të vështirë, të rrahur nga nevojat, larg rehatllëkut dhe komoditetit anën e të cilave shpesh janë të lidhura plot kurthe të tjera për murgun.
Mos ishin tepërime të gjitha këto? Nuk ishte e mundur, sepse, edhe pas kësaj jete rigoroze, vazhdonin për shenjtin ngacmimet, sulmet prej shpirtërash të ligj, mendimet e liga, dyshimet, tronditjet e ndryshme shpirtërore për jetën që bënte dhe që ai i përballonte me hirin hyjnor, i cili i siguronte gjithnjë kurorën e fitores dhe shpërblente besimin e tij të patundur, thjeshtësinë dhe vetpërmbajtjen, vetëmohimin dhe lotët, përvuajtësinë dhe lutjet.
Sa më thellë shkretëtirës
Në moshën 35 vjeç ai gëzonte tashmë emër të madh për shpresëtarinë dhe virtytin e tij. Dhe bashkëatdhetarët e tij e donin dhe e nderonin jashtëzakonisht duke e konsideruar pleqtë si djalë të tyre, të rinjtë si vëllain e tyre. Të gjithë donin ta takonin, të shprehnin respektin dhe dashurinë për të. Dhe pikërisht në këtë kohë, për të evituar këto manifestime, të cilat atij i dukeshin si të tepëruara, shkoi të banonte më thellë në shkretëtirë. Vitet shkonin, dhe ai shkonte sa më thellë nëpër shkretëtirë. Por edhe ardhjet vazhdonin. Njerëzit për ta takuar e për t’i marë bekimi, udhëtonin me ditë të tëra. Sa po plakej, aqë më shumë i shtohej emri dhe ndikimi.
Gjatë lëvizjeve që bënte, kujdesej gjithnjë të kultivonte vetë një kopësht, nga i cili siguronte ushqimin. Rreth vitit 305 pas Krishtit nisi të ngrinte qendra banimi të quajtura hisihastire (vende pushimi) për ata që i vinin pas dhe dëshironin të bënin një jetë si të tij dhe të cilët në kohën e persekutimeve dhe të përndjekjeve të besimit dhe të Kishës, janë treguar mbrojtës dhe përkrahës të saj.
Shën Vasili dhe Shën Thanasi tek ai
Ndërmjet të tjerëve vinin te Shën Andoni sidomos në kohën e pleqërisë, edhe luftëtarë të mëdhenj e të lavdishëm të Kishës. Shën Vasili i madh p.sh kur vendosi të heqë dorë nga profesioni i oratorit dhe i avokatit e t’i kushtohej tërësisht Kishës, mendoi të vizitonte edhe Egjiptin; po kështu edhe shtylla e patronditur e orthodhoksisë, Shën Thanasi i madh, i cili pati një lidhje të përzemërt dhe miqësi me Shën Andonin e madh në shkretëtirë.
Shën Andoni në Aleksandri. Shën Andoni dhe Konstandini i Madh
Por Shën Andoni nuk qëndronte gjithnjë nëpër hapësirat e shkretëtirave. Nga njerëz të ndryshëm që i vinin, ai informohej për fatin e Kishës. Kështu p.sh. edhe në kohën e perandorit romak Maksim më 311 pas Krishtit, kur të krishterët persekutoheshin, erdhi shenjti në Aleksandri e u dha kurajo dëshmorëve dhe ndihmoi komunitetin e krishterë. Edhe më vonë më 335 pas Krishtit, erdhi përsëri e dha kontributin e tij në luftën e Shën Thanasit për mbrojtjen e besimit, me popullaritetin e madh që gëzonte, me fjalimet e tij të urta dhe entuziaste dhe me Meshën e tij shumë të madhe. Fama e tij arriti gjer në vesh të perandorit Konstandinit të Madh, i cili i ka shkruar dhe letra, duke i kërkuar bekimet dhe uratat. Vdiq në moshën 105 vjeç duke ia dorëzuar shpirtin Zotit.
Trashëgimia e Shën Thanasit
Shën Thanasi i madh na ka lënë të shkruar një fjalim të rëndësishëm për Shën Andonin, ku përshkruan me hollësi jetën dhe përpjekjet e tij dhe ishte kujdesur që t’i jepej në robe shumë e përdorur dhe e vjetër e Shenjtit dhe pikërisht jo robe me të cilën ishte paraqitur në Aleksandri kur erdhi e foli kundër herezive. Dhe këtë robë pastaj Shën Thanasi e mbante vetë, duke e konsideruar atë si shumë më të çmuar e më të shkëlqyeshëm dhe se porfira perandorake. Shën Andoni përkujtohet më 17 janar.