Shën Anastasi jetoi në kohën kur perandor ishte një bashkëkombës i tij, Diokleciani. Thuhet se ishte me origjinë nga Akuileja dhe se ishte me profesion rregjjes rrobash. Ishte i njohur për besën e tij dhe pastërtinë e jetës së tij. Kur perandori u nis nga Ravena për të shkuar në Lindje, ai ndaloi në Salona, kryeqendra e Dalmacisë. Anastasi dëgjoi për këtë dhe shkoi vetë në Salona dhe aty filloi të flasë me guxim për Krishtin që është i vetmi Perëndi e vërtetë, Krijues i universit dhe shpëtimtar i gjindjes njerëzore nëpërmjet Trupëzimit të Tij. Për këtë e arrestuan dhe e sollën para perandorit. Edhe para tij ai u përgjigj me trimëri duke i thënë që për të ishte një bekim të jepte jetën për Krishtin. Guximi i tij dhe forca e fjalëve të tij i bindën paganët për pafuqësinë e tyre. I tërbuar perandori urdhëroi që të vritej. Ishte viti 304 mbas Krishtit. Mbasi e torturuan çnjerëzisht, i prenë kokën dhe trupin ia hodhën në det. Një zonjë e quajtur Asklepia, e cila ishte një e krishterë e devotshme, e gjeti trupin e tij në breg të detit. E morri trupin dhe mbasi e balcamosi e vendosi në një arkivol dhe e varrosi brenda vilës së saj. Më vonë ajo i ngriti një varr. Kur Krishtërimi fitoi lirinë nga Kostandini, mbi varrin e tij u ndërtua një bazilike e madhe. Fama e tij u përhap kudo. Shumë kisha u ndërtuan kushtuar atij, dhe sidomos në Iliri. Lipsanet e martirit të shenjtë u bënë një burim mrekullish dhe shërimesh, kështu që një numër i madh njerëzisht shkonin për ndërmjetimin e të shenjtit. Kur Salona u shkatërua nga invadimet barbare të shek. VII, lipsanet e tij dhe të shumë shenjtorëve të tjerë ilirë u transferuar në Romë, kur papë ishte një dalmat (ilir), Joani IV. Në Romë u vendosën në kapelen e shën Venantit, në Laterano, ku ndodhen edhe sot. Kisha orthodhokse e nderon kujtimin e tij në 25 tetor, ndërsa martirologu i shën Hieronimit e përmend në 26 gusht.