EmailFacebookKontakt

Shembull i krijuar me punë të përditshme

25 kilometra nga qyteti i Vlorës, në kufi me rrethin e Fierit, ndodhen 3 fshatra, Poro, Delisuf, Dëllinjë, ku gati gjithë banorët janë të besimit orthodhoks. Për ta, në Kishën kushtuar Shën Nikollës, shërben At Sotir Prifti, i cili dallohet për përkushtimin e tij dhe punën e palodhur. Por, ky klerik i ri veçohet jo vetëm për kryerjen e rregullt të shërbesave, mësimeve të katekizmit etj. Veçanërisht dalluese për këtë zonë është puna me shtypin.

Vetëm në këto fshatra shpërndahen 168 gazeta “Ngjallja” dhe 11 revista “Gëzohu” – të gjitha me abonime. Më shumë se në disa qytete e zona me shumëfishin e besimtarëve.

Kjo arritje e ka një bazë: At Sotiri e quan shtypin e Kishës, si pjesë të punës së tij të përditshme.

“Në fillim u desh mjaft këmbëngulje,- thotë ai. – U desh të shkohej shtëpi më shtëpi, duke përdorur fjalët e Ungjillit dhe duke i shpjeguar gjithsecilit rëndësinë e këtyre organeve shpirtërore. Po kështu, për to është folur edhe gjatë predikimeve në kishë.”

Dhe pak nga pak rezultatet arritën dhe tashmë janë vetë besimtarët, që shqetësohen të parët kur shtypi i Kishës vonohet.

Këtë e tregon edhe fakti, se jo më larg se para dy vjetësh, në të tri fshatrat shiteshin vetëm 27 gazeta dhe sot, siç thamë është arritur në afro 170 (Nuk mungon asnjëherë edhe të hiqet mënjanë një gazetë dhe një revistë për koleksionin e kishës).

Shumë domethënës është ky shtim tepër i ndjeshëm i abonimeve edhe sepse ndërkohë janë larguar përjashtë vendit shumë familje që merrnin rregullisht shtypin. Pra rritja është edhe më e ndjeshme, se ç’tregojnë shifrat.

Nuk mund të lihet pa përmendur fakti, se është vetë At Sotiri që shpërndan shtypin në familjet e abonuara, pa iu rënduar, në bashkëpunim edhe me anëtarë të këshillit kishtar, duke u bërë kështu një shembull kritikues e nxitës njëkohësisht, për gjithë ata klerikë e këshilla, që punën me shtypin e kanë në pikën e fundit të listës së impenjimeve të përditshme.

Manastriri i Ardenicës rrezaton në gjithë zonën rreth tij. Një nga përparësitë e punës të murgjve e kanditatëve të tij është edhe katekizmi e puna me fëmijët. Në këtë kuadër janë kryer edhe ekskursione të shumta, të cilat fillojnë gjithmonë me një lutje në Kishë.

Në foto: Fëmijët e Kolonjës dhe Goresë në Kishën e Trinisë së Shenjtë, në Berat.

– Shtypi, librat dhe botimet në përgjithësi, janë jo dëshirë, por detyrë funksionale e çdo kleriku dhe këshilli kishtar –